Masa e arrestit, “Ufoja” i lidhur me pranga në shtrat
• Ilir Paja, mjeshtri i arratisjeve nga burgjet u njoh në Spitalin Ushtarak me masën e sigurisë “arrest në burg”.Fatos Mahmutaj Kërkesa për këtë masë u paraqit para gjyqtares së gatshme të Krimeve të Rënda nga prokurori që kishte drejtuar hetimet paraprake, i cili i komunikoi 35-vjeçarit akuzat: “tentativë vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës” dhe “armëmbajtje pa leje”. Vetë i pandehuri, i cili po kurohet për shkak të dëmtimeve që ka marrë nga një plumb tejshpues në shpatull dhe disa goditjeve tjera në trup pranoi para gjykatëses se ishte personi që kishte dëmtuar policin Blendi Haxhimali, pasi policët kishin tentuar ta vrisnin atë. Ndërsa prokurori pohoi të kundërtën, sipas tij policët nuk kishin tentuar ta vrisnin atë por thjesht ta arrestonin, ndërsa ai i ka qëlluar i pari dhe pastaj ka përplasur me makinë motoçikletën me të cilën lëviznin dy policët. Ndërkohë ende nuk ka mbërritur konkluzioni i ekspertëve kriminalistë nëse gëzhoja që u gjet pranë makinës së Pajës ishte e tij apo e pistoletave të dy policëve. Vetë i pandehuri, gjatë gjithë kohës ka mohuar të kishte armë me vete dhe të ketë qëlluar ndaj policëve që po tentonin ta arrestonin te kryqëzimi i Farmacisë 10, mesditën e 6 marsit. Gjyqi Duke pretenduar se nuk ishte në gjendje për të dhënë deklarime të mëtejshme Paja tha se, kërkonte një masë më të lehtë sigurie nga ajo e kërkuar nga Prokuroria, në mënyrë që t’i jepej mundësia për t’u kuruar për shkak të dëmtimeve të shumta që kishte në trup. Por kjo kërkesë e tij u rrëzua nga gjyqtarja e çështjes, e cila vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve. Pas kësaj efektivët e togës së shoqërimit të policisë së kryeqytetit të mbështetur edhe nga forcat speciale të repartit 712, dërguan 35-vjeçarin Paja, nën masa të rrepta sigurie në Spitalin e Burgjeve. Rreth orës 11:30, Paja la dhomën e tij në katin e tretë të Spitalit Ushtarak dhe me një ambulancë policie u dërgua në një qeli të Spitalit të Burgjeve. Paja u mbajt i izoluar për tre ditë me radhë në një dhomë, të katit të tretë në pavijonin e traumës. Duke vlerësuar rrezikshmërinë e theksuar shoqërore të Pajës dhe faktin që ai është arratisur dy herë nga burgjet italiane, si dhe faktin që ai u ka shpëtuar paq disa aksioneve të policive të shumë shteteve për ta prangosur, gjatë gjithë kohës ai u mbikëqyr nga efektivë të shumtë repartit special 712, ndërkohë në dorën e djathtë të tij i ishin vendosur pranga, të cilat ishin fiksuar mirë pas krevatit. Burime mjekësore nga ky spital pohojnë se, Paja ka pësuar dëmtime serioze, por ato mund të kurohen në Spitalin e Burgjeve. Transportimi Paraditen e djeshme, menjëherë sapo iu dha masa e sigurisë Paja u zbrit nga kati i tretë i spitalit nëpërmjet ashensorit në katin e parë, ndërkohë korridoret gjatë transportimit të tij ishin bllokuar nga policët e shumtë. Mjetet e policisë dhe ambulanca që do transportonte të plagosurin ishin vendosur para hyrjes së prapme të spitalit në pritje të Pajës. Pak minuta pas largimit të gjyqtares së çështjes dhe prokurorit nga spitali, një polic zbriti poshtë dokumentacionin e të arrestuarit, që ishin kartela mjekësore, bashkë me grafitë e shumta dhe fletë-analizat, si dhe vendimi i shkurtuar për vendosjen e masës së sigurisë. Pas tij mbërriti barrela me të plagosurin, i cili sapo pa aparatin fotografik mbuloi fytyrën me batanije. Policët, pasi e afruan të ambulanca, i zbërthyen prangat nga krevati dhe e ngritën me gjithë dyshek për ta vendosur në barrelën portative, të cilën e hipën në makinë. Sendet personale të tij ishin të futura në një qese të zezë që ndodhej te këmbët e tij, të cilën policët e vendosën në ambulancë. Polici Blendi Haxhimali, një nga agjentët më të mirë të plagosur rëndë nga Ilir Paja, pritet që sot të transferohet në drejtim të Italisë me një avion sanitar. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Panorama”, nga zyrtarë të policisë së kryeqytetit, të cilët pohuan se reagimi i kolegut të tyre në spital ka qenë pozitiv dhe mjekët kanë folur me shpresë për të. Nëse ai do të arrijë të ruajë parametrat edhe për gjatë udhëtimit, Haxhimali pritet mund të transferohet me një avion sanitar në drejtim të Barit. Aty efektivi i policisë i plagosur rëndë në një aksion për arrestimin e Ilir Pajës, të enjten e javës së kaluar, pritet të shtrohet në një spital të specializuar për trajtimin e mushkërive të dëmtuara nga mjeti i Ilir Pajës. Dënimi Nëse do të gjendet fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij 35-vjeçari Ilir Paja rrezikon të vuajë një dënim që mund të shkojë deri në 20 vjet burg. Prokuroria e ka akuzuar atë për tentativë vrasjeje për shkak të cilësive të veçanta të viktimësAkuzat Paja, i arratisur dy herë nga burgjet italiane akuzohet në këtë shtet dhe në Gjermani për një sërë veprash penale, më të rënda prej të cilave janë “vrasje”, “trafikim dhe shfrytëzim prostitucioni”, “vjedhje vilash”, si dhe “grabitje”. ArrestimiIlir Paja u arrestua i plagosur, pasi njëri nga dy policët që po tentonte arrestimin e qëlloi me pistoletë. Paja ndërkohë kishte përplasur me makinë motoçikletën me të cilën lëviznin dy policët, duke plagosur rëndë njërin prej tyre. Pas kësaj i plagosur u dërgua në spital me pranga. PlagaSi pasojë e përplasjes me armë me policët që po e arrestonin Ilir Paja mori një plumb tejshpues në gjoks, i cili u bë shkak që ai të ndalonte. Ndërkohë polici Blendi Haxhimali i plagosur prej tij pësoi dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore. Policët e shumtë e mbërritur në vendngjarje i transportuan të dy në spital.