E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Kryeministër Pinok, hap kutitë, ose largohu!”

Gjeografia e protestave të opozitës nga Shqipëria e Mesme tashmë është shtrirë në Veri të vendit. Shkodra dhe Lezha kanë qenë gjatë ditës së djeshme epiqendrat e protestës së PS-së, e cila mbështetet ne tri kolona kryesore: kriza ekonomike, hapja e kutive të votimit dhe gënjeshtrat e kryeministrit. Kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në këto tubime, nuk ka ngurruar t’i vërë kryeministrit Berisha edhe nofkën e Pinokut, në një përpjekje për të ilustruar, sipas kryesocialistit, karakterin gënjeshtar të kreut të qeverisë që “gënjen për gjithçka dhe për çdo gjë”. Gjatë tubimit në Shkodër, Rama, duke komentuar çështjen e liberalizimit të vizave me BE-në, akuzoi qeverinë si përgjegjësen kryesore për izolimin e ri të vendit. “Vetëm pak kilometra nga këtu ku ne jemi, një tjetër popull fqinj, feston heqjen e vizave, feston hapjen e kutive, feston bashkimin përfundimtar të qytetarëve të vet me të gjithë qytetarët europianë. Malazezët, maqedonasit, serbët sot festojnë, kurse ne shqiptarët sot protestojmë; ky është në dallim i madh që nuk ka të bëjë me ne, por ka të bëjë me këtë pushtet, ka të bëjë me këtë qeveri, ka të bëjë me këtë Pinok kryeministër që vetëm gënjen, gënjen, gënjen dhe sot i ka lënë shqiptarët të izoluar, sot e ka lenë Shqipërinë të fundit në Ballkan, pa mundësinë për të lëvizur lirisht”, - ka theksuar Rama.
Kriza ekonomike
Kreu i socialistëve ka prekur në këtë tubim edhe problemin e krizës ekonomike që është përvijuar në vend. Sipas tij, dyqanet e mbytura në listat e borxheve kanë më pak blerës se asnjëherë në fundviti qyshkur s’mbahet mend dhe biznesmenët e vegjël të Shkodrës dhe të të gjithë Shqipërisë presin në dyqanet bosh janarin e tmerrshëm me TVSH e me tatim fitimi. “Për restorantet, për baret, për ushqimoret, për rrobaqepësitë, floktoret, për libraritë, për kinkaleritë, për të gjitha ato njësi që japin këto shërbime për qytetarët, çmimi i ri i energjisë nuk është 13% më i lartë, po është 22%. Ne protestojmë në emër të tyre. Sali Berisha i premtoi biznesit të vogël barrën më të ulët fiskale në botë për t’u marrë votën, dhe sot po u pret faturën më të lartë në historinë e këtyre 19 vjetëve pasi u ka marrë votën”, - deklaroi Rama. Sipas tij, marrëzia e këtij gjeli deti për pushtet të përjetshëm dhe për para të madhe përmes korruptimit të pushtetit, ia ka shterur fuqitë ekonomisë shqiptare dhe ka provokuar këtë rënie agresive ekonomike, “që dashtë Zoti të mos jetë si ato situatat kur për shkak të rënies ekonomike një popull i tërë u trondit, se nuk donte të binte nga fiku Sali i parë”. “Zhvlerësimi i lekut do të vazhdojë edhe në vitin 2010, kur shqiptarët do të ballafaqohen drejtpërdrejt me një rritje të mëtejshme të çmimit të jetesës, në çdo hap, në faturën e energjisë, në faturën e ushqimeve, në faturën e vizitave shëndetësore e të ilaçeve, në faturën e arsimimit të fëmijëve. E dini se çfarë thonë shifrat e Eurostatit, jo INSTAT-i i Sali Berishës, por Eurostati, lidhur me fuqinë blerëse të shqiptarëve? Është më e ulëta në Europë, 26%”, - ka nënvizuar Rama.
Hapja e kutive
Kreu i PS-së nga qyteti i Shkodrës dhe i Lezhës i ka kërkuar kryeministrit të hapë kutitë, ose të largohet, sepse këtë krizë e ka sjellë ai dhe nuk duhet ta paguajë një popull i tërë. Protesta e opozitës, sipas Ramës, për hapjen e kutive, është vullneti i saj për t’i dhënë fund krizës së demokracisë dhe rrënimit të ekonomisë për shkak të pushtetit të një njeriu që e ka bërë familjen e tij qeveri dhe politikën neveri. “Kutia e mbyllur e 28 qershorit është kutia ku ky Pinoku mund të fshehë forcërisht votën e popullit, por nuk mund fshehë krizën ekonomike që e mohoi dhe e nxori jashtë kontrollit për të kontrolluar me pahir pushtetin politik dhe ekonomik të këtij vendi. Prandaj ne i themi: hap kutitë, ose largohu Pinok, sepse Shqipëria nuk ka më para të paguajë për gënjeshtrat e tua, për pushtetin tënd. Shqiptarëve nuk u duhen një Shqipëri ku tregjet janë të kapura nga familja në pushtet, po një treg i lirë dhe një ekonomi tregu ku vendos konkurrenca, jo pushteti i babait”, - ka deklaruar Rama. Sipas kryesocialistit, Pinoku kryeministër e ndan përditë Shqipërinë me gjuhën e urrejtjes për opozitën. Por opozita, sipas tij, do ta bëjë 2010-n vitin e ndarjes së Shqipërisë me kryeministrin Pinok, pasi ky pushtet e ka kthyer Parlamentin në skenën e shthurjes së turpshme të gjuhës, ku bëjnë paradë gojët e përdala të shërbëtorëve të Berishës dhe ku Berisha duartrokitet për sharjet me libër shtëpie ndaj opozitës. “Ne nuk jemi kundër dialogut, s’kemi qenë dhe s’do të jemi kurrë, por më parë të hapin kutinë e mbyllura të të gjithave të dhënave reale të kësaj ekonomie që po fundoset, duke filluar nga hapja e hetimit për tunelin i Kalimashit, ku janë varrosur qindra miliona euro të tjera për përfitime të paligjshme, që kërkojnë drejtësi”, - ka deklaruar Rama. Kreu i PS-së ka nënvizuar se socialistët janë për dialog, por më parë duhet të hiqet dorë nga kushti i moshapjes së kutive, duke i dhënë fund gënjeshtrës së gënjeshtrave, që me demek hapja e kutive qenka në kundërshtim me vendimin e gjykatës.

21 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›