E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaçka: “Vizat, Berisha mban peng shqiptarët”

Deputetja e PS-së, Olta Xhaçka, e akuzoi dje kryeministrin Berisha për vonesat në liberalizimin e vizave. Deklarata vjen një ditë më pas, kur Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë festuar liberalizimin e vizave. “Sot, qytetarët e Serbisë, të Maqedonisë dhe Malit të Zi lëvizin pa viza në Bashkimin Europian. Shqiptarët jo. Shqipëria ka mbetur në klasë ndërkohë që Sali Berisha përpiqet ta shesë si sukses faktin se herët a vonë dhe shqiptarët do të lëvizin lirisht në hapësirën ‘Shengen’, por fatkeqësisht për ne ai moment do të vijë vonë. Do të jemi të fundit në Europë”, - u shpreh Xhaçka. Ajo e fajësoi Berishën për korrupsionin që sa vjen e bëhet me galopant dhe mbi të gjitha Shqipëria nuk arriti të bënte zgjedhje të lira e të ndershme, që procesi zgjedhor i 28 qershorit nuk arriti të plotësonte standardet, që në 1/3 e qendrave të numërimit u numërua keq ose shumë keq. “Faji është i Sali Berishës që shqiptarët kanë mbetur të fundit pasi qeveria e tyre ilegjitime prodhoi krizën politike e ekonomike me paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e tejskajshme që e karakterizon”, - tha deputetja. Ajo e mbylli fjalën duke i bërë thirrje Sali Berishës të hapë kutitë e të zbardhë të vërtetën e 28 qershorit, ose të largohet.

Shalsi: “Të hënën ejani të protestojmë para Parlamentit”

Partia Socialiste i fton të gjithë simpatizantët e saj të protestojnë përpara Parlamentit. Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi, në një deklaratë të mbajtur për shtyp, u bën thirrje shqiptarëve që të shkojnë para Parlamentit për të protestuar për krizën demokratike në të cilën e ka zhytur vendin dhe institucionet papërgjegjshmëria e Sali Berishës. “Ejani të protestojmë kundër kokëfortësisë berishiane që kërkon t’u mohojë shqiptarëve të drejtën elementare të hapjes së kutive”, - tha Shalsi. Ai e vazhdoi fjalën e tij duke u bërë thirrje mbështetësve të protestojnë për rritjen e çmimit të energjisë, që godet dhjetëra mijëra familje shqiptare, por dhe qindra biznese që, përveç krizës ekonomike, tashmë i duhet të përballojnë papërgjegjshmërinë qeveritare. “Ejani të protestojmë kundër kësaj qeverie, që gjendjen ekonomike mundohet ta paraqesë si zhvillim të paparë, ndërkohë që kriza ekonomike është ulur këmbëkryq në Shqipëri”, - u shpreh deputeti. Në përfundim të fjalës ë tij për mitingun e së hënës Shalsi tha: “Ejani të protestojnë për mbërthimin dhe komandimin e shtetit nga një familje e vetme, ajo kryeministrore, që interesat speciale të saj i ka vendosur mbi interesat e përgjithshme të popullit”.

21 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›