Presidenca spanjolle e BE-së harron Shqipërinë
Ministri i Jashtëm, Miguel Angel Moratinos, prezantoi në Bruksel prioritetet e presidencës spanjolle që do të drejtojë Bashkimin Europian nga 1 janari deri më 31 qershor 2010. Vendi që nuk ka njohur ende pavarësinë e Kosovës dhe që mbështeti iniciativën e Greqisë për të shtyrë datën për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë, rendit në vend të katërt të prioriteteve zgjerimin. Ministri Moratinos përfshiu Kroacinë në një bllok me Islandën e Turqinë, e me pas foli për Ballkanin, duke nisur me Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, ndërsa harroi Shqipërinë; por u kujtua për Bosnjën. “Në kuadrin e fqinjëve që dëshirojnë të integrohen në BE kemi Ballkanin, ku disa vende janë më afër procesit të anëtarësimit. Kështu, sapo të zgjidhet çështja e emrit të Maqedonisë, ne shpresojmë që do të mund t'i përshpejtojmë hapat e anëtarësimit me këtë vend, po kështu me Malin e Zi, apo të pranojmë kandidaturat e vendeve të tjera të rajonit në mënyrë që të jepet një perspektivë e qartë europiane e të sigurojmë stabilitetin përfundimisht në këtë zonë”, - u shpreh ministri spanjoll për Punët e Jashtme.
21 Dhjetor 2009