E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeqaj: Bashkia "do të humbë" 270 biznese

Bashkia e Fierit rrezikon të mos mbyllë dot investimet e këtij viti, si dhe të ndërpresë çdo investim tjetër madhor, emergjent për qytetin. Shkak për këtë është bërë ligji i ri tatimor, miratuar së fundmi nga qeveria shqiptare. Në bazë të kritereve të reja të vendosura për specifikimin e bizneseve, hiqen nga lista e tatim-paguesve të Bashkisë së Fierit plot 270 biznese. Këto subjekte nuk do të derdhin më detyrimet tatimore në "xhepin" e bashkisë, por të qeverisë. Një gjë e tillë do të sjellë rreth 300 milionë lekë më pak të ardhura në buxhetin e Bashkisë së Fierit, gjë që do të sjellë një tkurrje të investimeve dhe të ardhurave totale. Të paktën ky është mendimi i kreut të Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj. "Ndërkohë që flitet për decentralizim të njësive vendore dhe aktualisht të bashkive të mëdha siç është dhe Fieri, jemi një hap mbrapa, duke u marrë këtyre institucioneve një pjesë të mirë të të ardhurave, të cilat ky institucion i përdor për interesa publike", ka thënë kryebashkiaku Zeqo në një konferencë për shtyp, vetëm një ditë pas tryezës së zhvilluar me kryetarin e opozitës dhe të Bashkisë Tiranë dhe shumicën e kryetarëve të tjerë të bashkive në vend. Ndërkohë, Zeqaj ka rikonfirmuar faktin se kryetarët e bashkive të mëdha në vend do të mblidhen dhe nëpërmjet shoqatës së kryetarëve të bashkive do të përpilojnë dhe do të dorëzojnë në Kuvend një notë ankese me qëllim që qeveria ta rishikojë edhe një herë projektligjin. "Nëse nuk arrihet me të gjitha mënyrat institucionale, atëherë do të nisin protesta në sheshet e qyteteve dhe më pas në Tiranë, për të penguar një gjë të tillë. Nuk është normale që të gjitha projektet tona të ëndërruara dhe të çuara deri afër zbatimit, të ngrijnë dhe ndoshta të dështojnë për mungesë fondesh. Nëse ne na ikin edhe ato të ardhura vjetore, atëherë nuk do të ketë më investime në infrastrukturë rrugore, unaza e qytetit nuk do të përfundojë, ura e Sheqit nuk do të zgjerohet, rehabilitimi i lumit Gjanica do mbetet ende një ëndërr, tashmë edhe më e largët etj.", ka thënë me shqetësim Zeqaj.

Ma. Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›