E Diel, 1 Nëntor 2026

Mosha e tretë, mes pazareve, dominove dhe punëve të shtëpisë

Nuk ka një përkufizim ekzakt të moshës së tretë. Askush nuk e quan veten të moshuar derisa ka probleme fizike, shqetësime kronike shëndetësore, apo shtim të rrudhave në fytyrë, sidomos në rrathët e syve. Ka nga ata të cilët nuk e tregojnë moshën, gjithmonë janë të mbajtur e përpiqen të tregohen më të rinj nga ç‘janë, ka të tjerë që e lëshojnë veten dhe në moshë mesatare duken të moshuar. Por përkufizimi më afër të vërtetës për moshën e tretë janë personat të cilët e kanë kaluar moshën 65 vjeç.

Me rrudha apo pa rrudha, me sëmundje apo jo, 66 vjeç quhemi të moshuar, pavarësisht se në shpirt mund të jemi 26 apo 36.

Në moshën e tretë presupozohet që prindërit të kenë realizuar ato punë dhe detyrime që njihen botërisht, sigurimi i një shtëpie, rritja dhe edukimi i fëmijëve, arsimimi i tyre dhe ndihma për ta në krijimin e familjeve të reja. Në këtë moshë, nëpërmjet pensionit apo të ardhurave të grumbulluara në vite, mendohet që pensionistët mund të shohin dy ditë të bardha dhe të rehatohen në shtëpitë e tyre. Por mosha e tretë në Shqipëri është pak më e vështirë se në vendet e zhvilluara, shpesh herë shumë më e vështirë, aq sa një pjesë e pensionistëve vazhdojnë që me të ardhurat e tyre, ashtu si në rini, apo në moshën e mesme, të mbajnë fëmijët, madje të ndihmojnë nipërit dhe mbesat.

Mosha e tretë

Të moshuarit në Shqipëri ndodhen në vështirësi ekonomike. Të paktën një pjesë e mirë e tyre jetojnë me të ardhura nën minimumin jetik. Ata paguajnë energjinë elektrike, faturën e ujit të pijshëm, taksa, recetën e ilaçeve e pjesa e mbetur shkon për të blerë ushqime. Sipas sindikatës së pensionistëve, mosha e tretë janë më të rregulltit në marrëdhënie me shtetin, duke paguar të gjitha faturat. Më pas, me paratë që u mbeten e kanë të pamundur të mos blejnë ilaçe apo ushqime, të dyja shërbejnë për mbijetesë. Janë të paktë ata pensionistë që në Shqipëri bëjnë pushime apo ia plotësojnë vetes kushtet për të lëvizur me taksi, për të ngrenë jashtë, apo për të marrë kujdestare në rast se ata sëmuren. Mosha e tretë i kalon ditët duke rritur nipërit dhe mbesat, duke ndihmuar fëmijët që janë në punë apo duke gatuar që pjesëtarët e familjes të lirohen nga disa punë. Këta janë persona më të lumtur, pasi nuk e kalojnë ditën vetëm në shtëpi, nuk mërziten nga vetmia dhe nuk u rritet tensioni apo kolesteroli në gjak si pasojë e të ndjerit të braktisur.

Koha e lirë

Kohën e lirë mosha e tretë e kalon duke e marrë ditën me avash e duke u kujdesur për të qenë sadopak në aktivitet. Zakonisht gratë bëjnë pazarin, ndonjë punë në shtëpi, dhe përgatisin drekën. Ndërsa burrat vishen, bëhen gati, dalin për shëtitje, pinë kafe apo ndonjë teke raki, luajnë domino në ato pak vende që kanë sajuar njësoj si kioskat e "ndërtimet pa leje".

Të tjerë shëtisin nipërit e mbesat me karrocë, lënë takime, sidomos në lulishten e parkut "Rinia" në qendër të qytetit. "Kjo është e vetmja hapësirë që na ka mbetur. E kalojmë kohën duke biseduar me njëri-tjetrin", thotë Osmani, një 70-vjeçar, i cili bisedon me shokun e tij dhe në krahë mban nipin që ende s‘ka mbushur 2 vjeç.

Ai ka punuar në ndërtim, shoku i tij në sektorin e bujqësisë. "Nuk jemi lodhur, mirë kemi bërë që punuam", thotë Osmani. Ai është i kënaqur që jeton me djalin e tij dhe në ditët me diell përfiton për të takuar shokët apo për të shëtitur.

"Dita më shkon mirë. Çohem në mëngjes, bëj punët, dal, bëj pazarin dhe përgatis drekën. Bëj vizitat te doktori, dhe pres djalin kur më vjen në shtëpi", thotë Juria. Ajo sapo ka mbushur 65 vjeçe dhe pret në poliklinikën numër 9 doktorin e saj. "Desha ta pyes për disa vitamina, po e pres deri sa të vijë", tregon ajo.

Për më shumë, të gjithë bashkë, mosha e tretë, bien dakord në disa pika: rritje pensioni, shërbim më i mirë shëndetësor, ilaçe më të mira dhe më shumë begenisje nga fëmijët, nipërit dhe mbesat, të afërmit dhe shokët e shoqet.

Të vetmuarit

Janë 87500 familjarë, pensionistë të vetmuar. Sipas sindikatës së pensionistëve, pensionet që quhen të larta janë nën nivelin e minimumit jetik, prandaj dhe rritja e pensioneve duket të jetë e barabartë si për të ulëtat, ashtu dhe për të lartat

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›