Berisha: As Marko Panela nuk e mbështeti bllokimin e rrugës
Politikani italian, Marko Panela, u kërkoi përfaqësuesve të Partisë Socialiste që me grevën e tyre nuk duhet të bllokojnë rrugën. Kjo ishte deklarata që bëri dje Kryeministri Sali Berisha gjatë një konference për shtyp me kryebashkiaken e Milanos, Leticia Morati. Duke marrë shkas nga oferta që bëri Morati për hartimin e një studimi për problemet e trafikut në Tiranë, kreu i qeverisë foli për situatën e rëndësuar të trafikut në kryeqytet dhe këshillave që Panela i kishte dhënë PS-së. “Rama duhet të pyesë kampionin e botës në grevat e urisë, që është Marco Panela, nëse i ka bllokuar ai ndonjëherë rrugët e qytetit të tij me grevat e urisë apo jo? Ai erdhi dhe e vizitoi grevën dhe më thanë se u ka deklaruar se çdo gjë mund të bëni, por rrugën s’duhet ta bllokoni”, theksoi Berisha. Në lidhje me projektin që Bashkia e Milanos do të ofrojë për trafikun në Tiranë, Berisha nënvizoi se ky projekt është jashtëzakonisht i rëndësishëm për kryeqytetin. Në këtë kuadër, Berisha theksoi se Ministria e Punëve Publike dhe Transportit do të bashkëpunojë me një prej kompanive kryesore në fushën e transportit të Milanos, për të studiuar se cila është mënyra më eficente, për të lehtësuar qytetarët e kryeqytetit në lëvizjen e tyre të përditshme. Gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, kryebashkiakja e Milanos, nënshkroi me ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, Deklaratën e Përbashkët midis Shqipërisë dhe Italisë mbi “Ekspo Milano, 2015”. Në këtë ekspozitë, e cila do të zhvillohet pas pesë vitesh do të zgjasë gjashtë muaj dhe Shqipëria do të marrë pjesë në të. Sipas Berishës, në këtë kohë Shqipëria do të ketë kompletuar të gjithë kuadrin ligjor për shfrytëzimin e energjisë nukleare dhe do të kërkojë mundësitë për bashkëpunim për ndërtimin e impiantit bërthamor. “Shqipëria do të ketë kompletuar të gjithë kuadrin e saj ligjor për shfrytëzimin e energjisë nukleare për qëllime paqësore dhe do të shqyrtojë të gjitha opsionet për fillimin e këtij shfrytëzimi”, theksoi Berisha. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi Shqipëria ke edhe potenciale të mëdha të energjisë së rinovueshme. Nga ana e saj, Morati theksoi se ekspozita që do të mbahet në Milano do të jetë një mundësi shumë e mirë për të formuar miqësinë dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Italisë. “Kjo ekspozitë parashikon pjesëmarrjen e rreth 150 vendeve, si dhe mbi 20 milionë vizitorë. Ekspozita universale në Milano nuk do të jetë vetëm një event që realizohet në atë periudhë, por do të jetë një projekt që na lidh me Shqipërinë”, theksoi ajo. Kryebashkiakja e Milanos theksoi se tashmë me firmosjen e deklaratës së përbashkët do të nisë puna për bashkëpunim intensiv në sektorët e agroindustrisë dhe të energjisë. Gjatë në fjalën e saj, Morati u ndal edhe te bashkëpunimi mes dy vendeve për agroindustrinë, duke theksuar se Milano është rajoni i dytë agroushqimor i Italisë dhe Lombardia është rajoni i parë i Europës për prodhimin bujqësor.
#