E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Cërrikut, i arrestuari: Sillem mirë, më ulni 90 ditë dënim

TIRANE - Tomorr Buzani, anëtari i paraburgosur i “bandës së Cërrikut”, kërkon ulje të 90 ditëve nga dënimi me 16 vjet burg që ka marrë 8 vjet më parë në Elbasan, ku është gjetur fajtor për një vrasje të kryer në vitin 1998.

Kërkesa e tij, që po shqyrtohet në Gjykatën e Tiranës mbështetet në pretendimin se sillet mirë në qeli dhe si pasojë duhet të përfitojë ulje të dënimit. Pas hedhjes së shortit elektronik në gjykatë, kërkesa e Buzanit, i është dorëzuar gjyqtarit Ilir Çeliku, në drejtimin e të cilit ka nisur shqyrtimi i saj. Buzani, është transferuar për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nga burgu i Peqinit në paraburgimin 313 në Tiranë, pohon në kërkesën e vet se sillet mirë në qeli dhe se një sjellje të tillë ka pasur edhe në burgun e Peqinit, ku ka kaluar një pjesë të mirë të dënimit. Ndërsa për akuzën e pjesëmarrjes në masakrën ndaj gardistëve në Cërrik më 22 maj 1997, Buzani pretendon se është i pafajshëm. Dosja për këtë krim aktualisht ndodhet në duart e prokurorëve të Krimeve të Rënda, të cilët po kryejnë veprime hetimore. Buzani akuzohet në këtë proces se është një nga personat që ka qëlluar mbi gardistët, ku humbën jetën pesë prej tyre. I pandehur në këtë çështje është edhe i vëllai i Buzanit si dhe gjashtë persona të tjerë, banorë të Cërrikut, të cilët ishin pjesëmarrës në Komitetin e Shpëtimit Publik të këtij qyteti në vitin e trazuar 1997. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›