E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Durrësit, arrestohet në Vlorë një i dyshuar

DURRES- Policia e Durrësit arreston një person si të dyshuar për masakrën që tronditi të enjten në mbrëmje qytetin bregdetar. Burime nga policia e këtij qyteti kanë konfirmuar për tv NEWS24 se një 30 vjecar është arrestuar si i dyshuar për vrasjen e Luan Currit, Edmond Shemsit dhe Ani Currit.Krimi ndodhi rreth orës 22 e 45 minuta të së enjtes, në një lokal lotarish sportive, në lagjen nr. 9 të Durrësit, i cili menaxhohej nga Currët.Policia deklaroi sot ne mengjes se i dyshuari i moshës 30 vjecare eshte arrestuar në mesnatë në qytetin e Vlorës. Më vonë ajo informoi se i arrestuari ishte Edison Cela, i cili njihej dhe me një emër tjetër Arjan Cela dhe ishte pronar i një lokali në  qytetin e Vlorës.  Autori i armatosur me automatik pasi kishte qëlluar brenda në lokal kishte mundur të largohej me një motorin me të cilin kishte mbërritur në vendin e krimit dhe e mbante të ndezur një bashkëpunëtor i tij.Për policinë, shënjestra e vrasësit duhet të ketë qenë Luan Curri, duke u nisur nga një precedent penal i tij përpara 1 viti. Me datën 16 shkurt 2009, ai ishte dënuar nga Gjykata e Faktit në Durrës me 10 vjet burg për përdhunimin e një vajze. Gjykata e Apelit e kishte lënë në fuqi vendimin e Faktit, por Gjykata e Lartë e kishte rrëzuar atë për mungesë provash, kështu që më datë 7 maj 2009 ai u lirua nga burgu, duke qëndruar vetëm 3 muaj pas hekurave. Por megjithatë, grupi hetimor nuk ka mundur të zbulojë ndonjë lidhje mes vrasjes së dy netëve më parë me rastin e dënimit. Ndërsa 2 viktimat e tjerë për policinë janë rastësore, pasi janë gjendur në vendin dhe kohën e gabuar. Ai mund t'i ketë vrarë ata për t'u ruajtur nga ndonjë reagim i tyre. Në lokal, në momentin e ngjarjes gjendeshin 9 persona. Dëshmitarët treguan se në momentin kur i panjohuri hyri në lokal, 18-vjeçari Curri gjendej te banaku, pranë kompjuterit ku vihen bastet, ndërsa Luani dhe Edmondi ndodheshin në të njëjtën tavolinë, e në tavolinat pas tyre kishin zënë vend klientët e tjerë të lokalit. Sipas dëshmitarëve, autori, krejtësisht gjakftohtë dhe i qetë fillimisht kishte vrarë Luanin dhe Edmondin, e më pas edhe 18-vjeçarin Ani Curri. Më pas, duket se ishte bllokuar arma apo i ishin mbaruar fishekët, kështu që autori kishte dalë jashtë dhe ishte largua me motor, të cilin e drejtonte një bashkëpunëtor i tij. Po sipas dëshmitarëve, nëse nuk do të kishte ndodhur bllokimi i armës, autori do ta kishte vazhduar masakrën edhe me ta.(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›