Përmbytjet, grupe specialistësh për vlerësimin e dëmeve
Në zonat e përmbytura në veriperëndim të vendit, do të shkojnë grupe specialistësh për vlerësimin e dëmeve. Këtë parashikon vendimi i ri i Këshillit të Ministrave të miratuar dje për dëmshpërblimin e banorëve të goditur nga përmbytja në qarkun e Shkodrës. Kryeministri Sali Berisha njoftoi ngritjen e grupeve të ekspertëve të cilët do të monitorojnë në terren përllogaritjen e dëmeve dhe me hartimin e faturës financiare, do të fillojë edhe dëmshpërblimi i të dëmtuarve. “Do të bëhet vlerësimi i të gjitha dëmeve të bëra në ndërtesa, të reja apo të vjetra, në stalla, hangarë dhe vathë, në objekte sociale dhe publike, në orendi shtëpiake, pajisje elektroshtëpiake, në të mbjella, në gjënë e gjallë e bazën ushqimore të tyre”, - tha Berisha. Kreu i qeverisë informoi se janë ngritur grupe pune për të verifikuar dëmet, të cilat do të ndahen në disa kategori. Sipas Berishës, dëmet do të vlerësohen në objekte sociale dhe objekte banimi, dëmet në orendi shtëpiake si dhe dëmet në tokat e mbjella dhe në gjënë e gjallë. “Mendoj se ky vendim hap dritën jeshile për një proces shumë të rëndësishëm, i cili do të bazohet në dokumentacionin real, ku me pamje satelitore do të vëzhgohen tokat e përmbytura, banesat, hambarët e mbjellë”, - u shpreh Berisha, duke premtuar se vlerësimi i dëmeve do të jetë real dhe i ndershëm. Kryeministri u shpreh se ministritë do të ndryshojnë fondet, për të shkuar tek zonat e përmbytura. Gjatë fjalës së tij, Berisha shprehu edhe një herë mirënjohjen për të gjithë ata që morën pjesë në evakuimin dhe përballimin e situatës së emergjencës. Ai falënderoi të gjithë ata që bënë të mundur që kjo katastrofë ekologjike në veri të vendit, të mos kthehej në njerëzore. “Ne sot nuk kemi as edhe një jetë njerëzore të humbur, çka përbën një meritë shumë të madhe dhe dëshmon për një efiçencë shumë të lartë të operacionit të shpëtimit që u organizua nën drejtimin e komitetit ndërministror, por dua të them se i mbetem mirënjohës për atë solidaritet të jashtëzakonshëm që kanë dëshmuar qytetarët shqiptarë në këtë fatkeqësi natyrore ndaj zonave të përmbytura”, - theksoi shefi i qeverisë.
Më tej, ai u shpreh se qeveria është e vendosur të përballojë me sukses këtë situatë, duke mobilizuar të gjitha burimet që ka në dispozicion.
“Një mirënjohje e veçantë u shkon të gjitha komunave dhe bashkive të vendit që kanë zbutur pasojat dhe sërish u bëj thirrje që të ndihmojnë para së gjithash me ushqim për gjënë e gjallë. Ministria e Bujqësisë është e angazhuar të krijojë të gjithë rezervën e nevojshme ushqimore për gjënë e gjallë për 2 muajt që vijnë, por është shumë i mirëpritur çdo kontribut që mund të bëhet”, - deklaroi z. Berisha. Në këtë mënyrë, me vendimin e djeshëm të qeverisë, përcaktohen grupet e punës për evidentimin e të gjitha dëmeve, sipas një formulari tip, në ndërtesa banimi, objekte biznesi, objekte sociale dhe publike, orendi dhe pajisje elektroshtëpiake, të dëmeve të shkarkuara në kultura bujqësore, gjësë së gjallë dhe ushqimit të tyre.
Mësohet se për shtëpitë e dëmtuara vlerësimi do të bëhet sipas kostove të ndërtimit të përcaktuara nga Enti i Banesave, e cila për qytetin e Shkodrës është rreth 26 mijë lekë për metër katror. Për objektet e ndërtimit me karakter bujqësor, si stalla, hangarë etj. kostoja e dëmshpërblimit llogaritet në 5 mijë lekë për metër katror. Për kategoritë e tjera të dëmtimeve në objekte banimi, sociale, publike, llogaritja do të bëhet me çmimet sipas çmimeve të Entit Kombëtar të Banesave për qytetin e Shkodrës. Vlerësimi i dëmeve në makineri dhe pajisje të dëmtuara do të kryhet në përputhje me dokumentacionin e depozituar pranë organeve tatimore. Dëmet e shkaktuara në bazën ushqimore, koncentrate, sanë etj. do të llogariten me çmimin e tregut. Me çmimet e tregut të marra nga Ministria e Bujqësisë do të vlerësohen edhe dëmet e shkarkuara në gjënë e gjallë. Vendimi bën vlerësim edhe për pajisjet elektroshtëpiake, mbështetur mbi konstatimin e kryer në vend nga grupi i evidentimit për rregullsinë ose jo të tyre sipas çmimit aktual të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Sipas Kryeministrit Berisha, ky vendim është realizim i premtimit për kompensimin e çdo dëmi të shkaktuar nga përmbytjet në zonën veriperëndimore të vendit.