E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reparacionet, dueli i panjohur i shqiptarëve me italianët pas Luftës

 

Ferdinand Dervishi

Pa llogaritur përplasjet e shpatave të lashtësisë, por duke bërë bashkë dy luftërat e shekullit të kaluar me pushtuesit, historigrafia e ka pak të njohur një tjetër konflikt italo-shqiptar, këtë herë të zhvilluar në fushën e diplomacisë. Një “betejë” që kishte në qendër reparacionet apo zhdëmtimet e Luftës së Dytë Botërore, pagesën për shpirtrat e vrarë, shtëpitë e djegura, pasuritë e grabitura dhe të dëmtuara. Një konflikt i heshtur, i papublikuar në mediat e kontrolluara të kohës së komunizmit, që ka zgjatur për më shumë se dhjetë vjet. Pra, më shumë se dhjetë vjet përpjekje për t’i shtuar arkës së shtetit të varfër shqiptar një shumë prej 5 milionë dollarësh amerikanë, që në finale katandiset në gjysmën e saj. Por edhe një luftë e zgjuar për të bërë legale një shifër shumë herë më të madhe se kaq, që përmblidhej në vleftën e të gjitha pasurive italiane të mbetura në territorin shqiptar. Gjithsesi në këtë rast, më shumë se çdo përfitim pasuror apo monetar, duket për shqiptarët më i rëndësishëm ishte fakti i ngadhënjimit ndaj një ish-kundërshtari. I fitores diplomatike që shkonte në favor të këmbënguljes se vendi i tyre ishte rreshtuar në anën e koalicionit antifashist, përkundër pretendimeve të ndryshme, sidomos të grekëve, që tentuan të kundërtën. Këto dhe të tjera zhvillime, të punuara me parimet e një studimi shumëdimensionësh, studiuesi dhe diplomati i njohur, Ksenofon Krisafi, i ka përfshirë në librin e vet të sapobotuar “Diplomaci pas lufte” me nëntitull “Negociatat me Italinë dhe Gjermaninë për dëmet e luftës në Shqipëri”. Një punim që ka edhe vlerën e të shkruarit nga pena e stërvitur e një personazhi që i ka ndjekur të njëjtat çështje “nga brenda”. Kjo sepse Profesor Krisafi është përfshirë drejtpërdrejt në zgjidhjen e disa problemeve më të vështira diplomatike të Shqipërisë së pasluftës së Dytë Botërore. 
Vlerësimi i dëmeve italiane
Që të ngrihej pretendimi për zhdëmtimet e Luftës së Dytë kundrejt Italisë dhe Gjermanisë, së pari duhej një listë e saktë e dëmeve të shkaktuara. Sipas studimit të Profesor Ksenofon Krisafit, Krerët e partizanëve shqiptarë kujtohen herët, që më 27 maj 1944, që të bëjnë një listë të dëmeve të Luftës, por nuk arrijnë të qëllojnë në shenjë, pasi nuk munden të përpilojnë një dokumentacion të organizuar dhe autentik. Menjëherë pas çlirimit të plotë të vendit, punën e nisur e vazhdon Ministria e Rindërtimit. Ndërsa në korrik 1945 në porositë e qeverisë theksohej se “regjistrimi do të përmblidhte të gjitha dëmet e shkaktuara prej fuqive pushtuese nazi-fashiste... në njerëz dhe pasuri, brenda periudhës prill 1939 deri në çlirimin e plotë të vendit”. Të dhënat e mbledhura do të shërbenin gjithashtu edhe për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes që do të zhvillohej në Paris në vitin 1946. Gjithsesi u vërtetua se rezultatet e para nuk i paraqitën saktësisht dëmet, se në to nuk ishin përfshirë mjaft zëra, por edhe sepse grumbulluesit e të dhënave nuk ishin të kualifikuar. Nga ana tjetër bisedimet dypalëshe me Italinë, që ndërkohë kishin nisur, kishin diktuar edhe përllogaritjen e vleftës së pasurive të shoqërive private italiane në Shqipëri. Një pretendim italian për të ulur shifrën e zhdëmtimit të pretenduar nga shqiptarët dhe të vendosur nga ndërkombëtarët që gjen zgjidhje me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave të 30 gushtit 1950, që urdhëronte mbledhjen e të dhënave dhe fiksimin e vleftës së pasurive italiane në Shqipëri. Përfundimisht llogaritet se dëmet e shkaktuara nga ushtria italiane ishin të konsiderueshme dhe nisnin që pas nisjes së luftës italo-greke. Dëmet ishin kryesisht në bujqësi, pemëtari e blegtori, ndërkohë që shkatërrimi i pyjeve raportohej si katastrofik. Lufta me fashistët kishte sjellë për pasojë edhe shkatërrimin e pothuaj të gjithë industrisë së kohës, nisur nga dëmtimi i motorrave elektrikë, linjave të tyre, shkuar të fabrikat e vajit në disa qytete, të birrës, trikotazhit, stofrave, sapunit,lëkurave, makaronave, çimentos, kauçukut etj. Dëmtime të mëdha ishin konstatuar edhe në sektorin e transportit, që nga vjedhja e makinave e anijeve deri te shkatërrimi i urave, rrugëve e porteve. Shtëpitë e banimit të shkatërruara krejtësisht u llogaritën të ishin 16 400, ndërsa të dëmtuara 4 360. E njëjta listë fliste edhe për 270 shkolla të dëmtuara, 100 kisha, përfshirë ato të Voskopojës, Vithkuqit e Beratit, që ruanin vlera historike e artistike. Në listë ishin përfshirë edhe shpenzimet për mbajtjen e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, ato të kryera në favor të ushtrisë pushtuese, duke u bashkuar në këtë pikë edhe fatura e ushtarëve italianë të mbetur në Shqipëri pas kapitullimit, në shtator të vitit 1943. Dëme të konsiderueshme u përllogaritën në sistemin e doganave dhe sidomos në atë të bankave, ndërkohë që u cilësuan si shumë të vyera pasuritë e vjedhura të trashëgimisë kulturore, nisur nga objekte të ndryshme arkeologjike, shkuar te dokumentet e rralla të vjetra për historinë e Shqipërisë, etj. Pasi përpiluan këtë listë të gjatë dhe përfund fletës vunë një vizë ndarëse, shuma e përgjithshme e dëmeve, e përllogaritur nga autoritetet shqiptare, ndalte në vlerën e 36.4 miliardë frangave të arta shqiptare.
Vetëm 5 milionë dollarë
Hapi i dytë i hedhur nga shteti i brishtë i Shqipërisë së sapodalë nga lufta ishte dërgimi atje ku duhej i kërkesës për dëmshpërblimet. Kështu përpjekja e parë bëhet më 4 shtator 1945, qeveria shqiptare i dërgoi një telegram kryeministrave të Britanisë së Madhe, SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik. Në letër pasqyrohej lufta dhe sakrificat e popullit shqiptar në luftë përkrah koalicionit antifashist dhe në fund kërkohej që qeveria të dërgonte në Londër një delegacion që të shfaqte para Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme (KMPJ, ishte organ ndërkombëtar që do të përgatiste Traktatin e Paqes me Italinë dhe me aleatët e tjerë fashistë, që përbëhej nga Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Sovjetik, Kinës, SHBA, Britanisë së Madhe dhe Francës). Por përpjekjet e diplomacisë shqiptarë që të ndërhynin në axhendën e këtij këshilli nuk merren parasysh dhe gjithçka mbetet të zgjidhet në Konferencën e Paqes, që u mbajt në Paris nga 29 gushti më 15 tetor 1946. Në këtë konferencë, megjithë grackën e grekëve, që me mbështetjen edhe të përfaqësuesve të Britanisë së Madhe pretendonin që Shqipëria të rreshtohej në anën e aleatëve të fashizmit, çështja shqiptare futet në rendin e diskutimeve. Më 21 gusht 1946 kryetari i delegacionit shqiptar, Enver Hoxha, merr fjalën në konferencë dhe veç të tjerave, flet për kontributin e shqiptarëve në luftën kundër fashizmit, dëmet e shkaktuara dhe parashtron kërkesën për dëmshpërblim nga Italia që kapte shumën 3.54 miliardë franga ari. Në vijim të këtij pretendimi përfaqësuesit e shtetit shqiptar dorëzuan në komisionin për çështjen e reparacioneve kërkesat për dëmshpërblime lufte nga Italia. Një nga propozimet e bëra nga përfaqësuesit e Shqipërisë që u tentua të përfshiheshin në projekt-traktat ishte edhe suprimimi, bërja zero, e gjithë borxheve që qeveritë e mëparme të Shqipërisë i kishin marrë shtetit Italian, po kështu pati edhe një kërkesë të paraqitur zyrtarisht për kthimin e rezervës së arit të ish-Bankës Kombëtare të Shqipërisë, që kishte mbetur në Itali. Por me këmbënguljen e përfaqësuesve të Anglisë dhe SHBA-së me shumicë vote këto dy pretendime të fundit rrëzohen. Gjithsesi me këmbënguljen e habitshme të përfaqësuesve të shtetit Francez për gjetjen e një kompromisi u propozua që sasia e dëmshpërblimeve italiane për Shqipërinë të ishte e fiksuan në shumën 5 milionë USD. Por e hedhur në votë, kjo shifër nuk u përligj, pasi gjysma e anëtarëve të komisionit votoi pro dhe gjysma tjetër kundër. E mbetur pa zgjidhje çështja kalohet në seancën plenare të Konferencës së Paqes, por në këtë rast votohet 13 me 7 kundër 5 milionë dollarëve të propozimit francez dhe kështu çështja del nga Konferenca e famshme e Paqes në disfavor të shqiptarëve. Gjithsesi gjithçka riparohet pak kohë më pas më 5 nëntor 1946, kur Këshilli i Ministrave të Punëve të Jashtme, mbledhur në Nju Jork, vendos më në fund që Shqipëria të marrë si dëmshpërblim lufte nga Italia shumën 5 milionë USD. Një vendim që u fiksua në dispozitat e Traktatit të Paqes me Italinë.
Beteja me diplomacinë italiane
Sipas punimit të sapobotuar të Profesor Ksenofon Krisafit, pjesa më e vështirë e reparacioneve të luftës nga Italia kishte mbetur për t’u konsumuar mes diplomacisë italiane dhe shqiptare. Sipas pretendimit të shqiptarëve, për dëmet e shkaktuara nga Lufta, Italia duhet të paguante një shumë të fiksuar në vlerën e 3.64 miliard frangave ari. Ndërsa në nenin 74, pjesa B-(1) të Traktatit të Paqes parashikohej që Shqipërisë ti jepeshin vetëm 5 milionë UED, sipas kursit të datës 1 korrik 1946, 35 USD = 1 once flori. Traktati parashikonte që diferenca mes shumës 3.64 frangave të arta të kërkuar nga Shqipëria dhe 5 milionë dollarëve të fiksuara në Traktatin e Paqes, të nxirrej nga vënia dorë mbi pasuritë italiane që gjendeshin në Shqipëri. Por pikërisht në këtë kohë diplomacia italiane ngre krye duke kërkuar që termi “pasuri italiane” të interpretohej. Kjo sepse në Shqipëri kishte në atë kohë sida lloje pasurish italiane, që ishin edhe plotësisht shtetërore, ose të institucioneve parashtetërore, ose pasuri gjysmëpublike italiane, por kishte dhe pasuri të institucioneve fetare si dhe pasuri private. Sipas Traktatit, shuma prej 5 milionë USD duhet të paguhej brenda shtatë viteve nga hyrja në fuqi, (duke nisur prej 15 shtatorit 1947) dhe sipas nenit 74 B(2) ajo do të nxirrej nga këto burime:
a)një pjesë e instalimeve dhe pajisjeve industriale italiane të vlefshme për fabrikimin e materialeve të luftës që nuk janë as të nevojshme për forcat ushtarake të lejuara as të adoptueshme menjëherë për përdorim civil që do ti merreshin Italisë në bazë të nenit 67. Këtu përfshiheshin edhe luftanijet dhe materiali ushtarak i tepërt.
b)Prodhimi industrial i zakonshëm i Italisë, duke përfshirë edhe prodhimet e industrisë nxjerrëse.
c)Të gjitha llojet e tjera të furnizimeve në kapital, ose në shërbime, me përjashtim të pasurive italiane, të cilat në bazë të nenit 79 të Traktatit ishin në juridiksionin e Shqipërisë.
Por edhe pse Traktati i Paqes kishte përcaktuar qartësisht se si duhet të funksiononte mes dy shteteve, italianët tregohen të ngurtë në negociata. Madje duke paraqitur një pretekst fals, qeveria italiane pengon në mars 1948 pajisjen me viza të disa ekspertëve shqiptarë që do të interesoheshin për identifikimin e pasurive, sendeve dhe objekteve shqiptare në territorin italian. Shqiptarët nxitojnë të njoftojnë përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha për këtë zhvillim, ndërkohë që italianët vazhduan refuzimin duke nxjerrë për pengesë mungesën e marrëdhënieve diplomatike me Italinë. Sipas Profesor Krisafit, Qeveria shqiptare, e nxitur edhe nga Moska, pranon propozimin italian për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Kjo dëshirë dypalëshe formësohet në qershor 1949. Kërkesa e radhës për të zhbllokuar situatën mban datën 2 mars 1950, ku italianëve u kërkohej që të dërgohej në Romë një delegacion shqiptar për të negociuar rreth zgjidhjes së çështjeve të rrjedhura nga Traktati i Paqes me Italinë. Italianët këtë radhë përgjigjen, por duke vënë kushte. Sipas tyre, kushti ishte një sqarim i kënaqshëm, përmes legatës italiane në Shqipëri, i të gjitha pasurive dhe interesave italiane në Shqipëri. Por plotësimi i pretendimeve italiane kërkonte kohë. Në këto kushte, Ministria e Jashtme në prill 1950 njofton autoritetet italianë se me pasuritë dhe interesat e shtetit italian në Shqipëri ndërkohë kishte pasur zhvillime, se ishte kryer shtetëzimi i tyre në zbatim të akteve të brendshme të shtetit shqiptar, etj. Por megjithë shpjegimet e ngjashme, italianët nuk lëvizin nga pretendimet për “shqyrtimin e thelluar të pasurive italiane në Shqipëri” duke ngurtësuar në këtë mënyrë etapat diplomatike për zgjidhjen e çështjes.
Zgjidhja e situatës
E habitshme, por situata e krijuar zgjidhet vetëm katër vjet më pas me anë të një marrëveshjeve që shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, do të shndërronte mbase në librin më të famshëm të tij. “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”. Kjo sepse qeveria italiane reagon pozitivisht pasi qeveria shqiptare e siguron se ishte e gatshme të kontribuonte për gjetjen dhe riatdhesimin e eshtrave të ushtarakëve italianë të vrarë në territorin shqiptar. Kështu italianët i hapin rrugë bisedimeve zyrtare për reparacionet, të cilat nisnin në Romë më 21 dhjetor 1954. Por përgjatë bisedimeve, pala italiane pretendoi se pasuritë e ndryshme italiane në Shqipëri sipas përllogaritjeve të tyre tejkalonin në përmasa të konsiderueshme shifrën e dëmshpërblimeve që Shqipëria kërkonte. Pra ato tejkalonin shifrën prej 3.64 miliardë franga ari. Kështu, sipas tyre, dilte që Shqipëria jo vetëm që nuk duhet të merrte reparacione nga Italia në shifrën 5 milionë USD, por duhet të kthente kompensime. Në një moment të dytë, italianët duke marrë për bazë një studim të ekspertëve të tyre kishin llogaritur që selitë e misioneve diplomatike e konsullore, ato të institucioneve fetare e filantropike, të cilat sipas nenit 29 të Traktatit të Paqes duhet t’i ktheheshin Italisë, kushtonin në total 4.8 milionë dollarë. Pra në këtë manovër të fundit, italianët tentuan të bënin sërish zero shifrën 5 milionë USD të reparacioneve. Shqiptarët nga ana e tyre këmbëngulën duke theksuar se misioni i këtyre përfaqësive diplomatike e konsullore ishte përdorur për qëllime që nuk përputheshin me përmbushjen normale të funksioneve të tyre. Shkurt këto, por edhe institucionet fetare apo edhe ato filantropike, kishin realizuar veprimtari në dëm të popullit shqiptar. Një argument që shqiptarët e kishin shoqëruar edhe me prova. Por duke parë se italianët këmbëngulën, pala shqiptarë shkon në një propozim kompromisi për të lënë të kënaqur të dy palët, duke hedhur në tavolinë pretendimin për gjysmën e shifrës së 5 milionë USD. Për herë të parë italianët qenë dakord për likuidimin e kësaj gjysme të shumës, duke mbyllur në këtë rast edhe kapakun e gjithë tollovisë diplomatike që zgjati më shumë se 10 vjet. Përfundimisht deri në gjysmën e parë të vitit 1960 në zbatim të marrëveshjes së qershorit 1957, Shqipëria kishte marrë mallra dhe pajisje nga Italia në një vlerë të përgjithshme 2 584 mijë dollarë USA. Pak kohë më pas u lëvrua edhe 16 mijëdollarëshi i fundit, që mbylli çështjen e reparacioneve shqiptare nga Italia.

Reparacionet italiane

Jugosllavia                   125 milionë USD
Greqia                        105 milionë USD
Bashkimi Sovjetik         100 milionë USD
Etiopia                        25 milionë USD
Shqipëria                       5 milionë USD

Humbjet në pasuri

Franca                       30 miliardë USD
Belgjika                     2.3 miliardë USD
Holanda                       10 miliardë USD
Danimarka                    2.8 miliardë USD
Egjipti                     415 milionë USD
Greqia                           3 miliardë USD
Shqipëria(nga agresioni gjerman)2.6 miliardë USD

Dëmet e Shqipërisë

28 mijë të vrarë
12 600 të plagosur
12 000 të internuar politikë
3 000 të vdekur në kampet e Mathausen e Dakau
1 850 qytete e fshatra të dëmtuara ose të djegura nga 2 500 gjithsej që kishte vendi

Pasuritë që duhet të ktheheshin nga Italia

 Rezerva në ar e Bankës Kombëtare Shqiptare, që në histori njihet me emërtimin Ari Monetar Shqiptar.

 Kanoniera “Iliria”.

 Objektet arkeologjike e artistike të ekspozitës së “Oltra Mares - Përtej Detit”.

 Pajisjet dhe arkivat e përfaqësive diplomatike dhe konsullore shqiptare në Athinë, Bari, Beograd, Berlin, Bukuresht, Gjenevë, Manastir, Romë, Selanik, Shkup, Sofje, Vjenë etj, të cilat pas pushtimit u morën nga përfaqësitë diplomatike dhe konsullore italiane.

 Dokumente të rëndësishme të ministrive të Bujqësisë, Punëve Botore etj.

 Anije, motobarka, automjete transporti, etj.

 Pajisjet e oborrit mbretëror të Zogut, të rekuizuara nga italianët gjatë pushtimit.

 Një koleksion me vlerë librash dhe dokumentesh të antikuarit të Bibliotekës Kombëtare shqiptare, etj.

 Vlefta e mallrave, lëndëve të para, pajisjeve dhe makinerive të kontraktuara nga tregtarët shqiptarë në Itali që nuk mbërritën për shkak të luftës.

 Vlera e përgjithshme, sipas llogarive të autoriteteve shqiptare, e barabartë me 42.2 milionë USD.

Dëmet në njerëz

SHBA    0.66% të popullsisë

Australia    0.35% të popullsisë

Belgjika    2.24% të popullsisë

Kanada    0.86% të popullsisë

Egjipti    0.05% të popullsisë

Franca    2.65% të popullsisë

Greqia    19.70% të popullsisë

Britania e Madhe    1.55% të popullsisë

India    0.20% të popullsisë

Luksemburgu    2.34% të popullsisë

Norvegjia    0.31% të popullsisë

Zelanda e Re    1.94% të popullsisë

Holanda    2.50% të popullsisë

Çekosllovakia    2.44% të popullsisë

Bashkimi Jugafrikan    0.27% të popullsisë

Shqipëria    7.1% të popullsisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›