E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra urbane vazhdon

Bajramaj dhe Beqiri u arrestuan. A do të dënohen? Kjo i përket një momenti tjetër. Pak vite më parë për abuzime në shpërndarjen e tokave u arrestua dhe dënua në Durrës edhe kryetari i Komisionit të Kthimit të Pronave Vasil Hila. E masakra vazhdon, në kundërshtim me çdo lloj rregulloreje a ligji urbanistik. Lejet e ndërtimit vazhdojnë të jepen në kundërshtim të hapur me ligjin për urbanistikën dhe një Vendim të Këshillit të Ministrave për pezullimin e zbatimit të studimeve urbanistike të zonës turistike Rrashbull-Golem-Karpen dhe hartimin e studimit urbanistik të integruar të kësaj zone. Tre vjet më parë doli dhe një tjetër Vendim i Këshillit të Ministrave "Për miratimin e detyrës së projektimit për studimin e integruar të zonës turistike". Dalja e këtyre vendimeve ndalon dhënien e lejeve të ndërtimit deri në miratimin e studimit të integruar të zonës turistike, por realiteti duket i dhimbshëm dhe shumë larg zbatimit të rregullave dhe ligjeve. Në fund të fundit, si në çdo sektor tjetër të jetës shqiptare, por në këtë pjesë të bregdetit shqiptar masakra urbanistike ulërin. Të gjithë e shohin dhe dëgjojnë, askush nuk vepron. Madje, në brezin e rërës këtë verë të gjithë vërejtën godinën që deri më tani ka arritur në 18 kate dhe nuk dihet edhe sa do të vazhdojë të ngrihet e që përpin frikshëm një territor të ashtuquajtur turistik, por që vetëm i tillë nuk është. E gjithë zona e Shkëmbit të Kavajës është nën administrimin e komunës së Rrashbullit. Prej saj jepen edhe lejet për ndërtime e gjithçka tjetër në zonë. Arrestimet e Bajramajt dhe Beqirit janë thjesht një tronditje në majën e ajsbergut të abuzuesve me ndërtimet në bregdet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›