E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakrat që tronditën botën

Masakra e 22 korrikut në ishullin Otoya në Norvegji, si dhe ajo e Oslos, e kryer nga norvegjezi, Anders Behrin Breivik 32 vjeç, i cili vrau me pushkë dhe eksploziv mbi 90 persona dhe me dhjetëra të tjerë i la të plagosur rëndë, sjell në vëmendje krimet më monstruoze të kohës moderne. Nga Express më 09 gusht 2011 në ora 08:09

“Do të bëhem një vrasës serik, një person që vret. Përse? Sepse jemi frustruar, bëj një jetë të keqe dhe jetoj i vetëm. Atëherë për të vetmen herë në jetë, dua të ndihem i lirë dhe i fortë”. “Testamenti” më drithërues i lënë nga një prej autorëve të vrasjeve më mizore në historinë e Francës, ai i Richard Durn, i cili me gjakftohtësi vrau 8 të zgjedhur lokalë, plagosi 19 të tjerë, ku 14 prej tyre shumë rëndë gjatë seancës së këshillit bashkiak të Nanterre, afër Parisit në Francë, më 27 mars të vitit 2002, ndiqet ndër vite nga një seri e vrasjeve makabre.

Masakra e 22 korrikut në ishullin Otoya në Norvegji, si dhe ajo e Oslos, e kryer nga norvegjezi, Anders Behrin Breivik 32 vjeç, i cili vrau me pushkë dhe eksploziv mbi 90 persona dhe me dhjetëra të tjerë i la të plagosur rëndë, sjell në vëmendje krimet më monstruoze të kohës moderne. Në sallat e parlamentit, në lice e universitete, në ishuj e rrugë, ku kanë ndodhur vrasjet serike, autorët e këtyre ngjarjeve mbahen mend vetëm për famën e keqe dhe dramat që ata kanë lënë pas, e zemrat që lëndojnë të qindra familjarëve të viktimave. E ndërkohë, ndër motivet më të ndryshme, shënime në copa letrash ku u kërkohet falje familjarëve të viktimave, sëmundje të rënda depresive e psikike, e deri tek paranoja e “shfarosjes” së një besimi të caktuar fetar, siç është dhe rasti i Breivik, disa nga autorët e këtyre të masakrave i kanë dhënë fund jetës duke u vetëvrarë, ndërsa të tjerë nuk do ta shohin më përjetë dritën e diellit.

Por cilat janë disa nga krimet më famëkeqe që kanë lënë gjurmë në 20 vitet e fundit, me në krye të listës me Anders Behrin Breivik.

Masakra e Tuscon, në Arizona, ka ndodhur më 8 janar të këtij viti, kur një person hapi zjarr gjatë një takimi të ligjvënëses amerikane, Gabriele Giffords, me përkrahësit e saj, duke lënë disa të vdekur dhe të plagosur. Të shtënat ndodhën pikërisht në Casas Adobes, në Tuscon. Nga ngjarja u prekën gjithsej 18 persona, ku 6 prej tyre gjetën vdekjen, ku mes tyre edhe gjykatësi federal i Arizonës, John McKarti Roll, si dhe një vajzë e vogël vetëm 9 vjeçe. Giffords ishte në mesin e të plagosurve. Autori i krimit ishte 22-vjeçari, Jared Lee Loughner. Edhe sot e kësaj dite, autoritetet shprehen se motivi i krimit mbetet ende i panjohur, ndërsa mediet e cilësojnë autorin si njeri me çekuilibër të madh psikik.

2 qershor 2010 : Masakra e Cumbrie, Angli, 12 të vdekur
12 persona mbetën të vrarë, si pasojë e një sulmi të armatosur nga një shofer taksie më 2 qershor të vitit 2010. Të shtënat ndodhën herët në mëngjes në Whiteheaven, një qytezë e vogël afër liqenit. Fillimisht, u qëllua për vdekje një person, më pas autori u zhvendos në Seascale duke qëlluar ndaj shumë të tjerëve. Autori i krimit ishte Derrik Bird, një 55-vjeçar, që punonte prej kohësh si shofer taksie. Gjatë hetimit, policia angleze zbuloi se Bird ishte zhytur në borxhe dhe se para vrasjes, i kishte thënë disa miqve se borxhet kapnin shifrën e 72 mijë eurove dhe se druhej se policia do ta fuste në burg.

5 nëntor 2009: Masakra e Fort Hood (Texsas), 13 të vdekur dhe 30 të plagosur
Në 5 nëntor të vitit 2009, Malik Nadal Hasan, një amerikano-palestinez, i punësuar si psikiatër në Ushtrinë Tokësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të shkaktonte 13 të vdekur dhe 30 të plagosur, në një bazë ushtarake në Teksas. Ngjarja ndodhi gjatë një ceremonie të marrjes së diplomave, në një sallë pritjeje në bazën e Fort Hood, përgjatë 13 minutave psikiatri Hasan hapi zjarr me një Magnum 357 ndaj ushtarakëve. Autori do të ndalej vetëm falë ndërhyrjes së njësisë speciale SËAT, ku edhe ky nuk shpëtoi pa u plagosur me tre plumba në trup. Në lidhje me motivet e veprimit të tij, profesorët e spitalit Ëalter Red Washington do ta cilësonin si paranoik, agresiv dhe skizofren. Ndërkohë që sipas një kushëriri të tij, Hasan ishte një “viktimë” e sulmit racist nga kolegët e tij në bazën ushtarake dhe për këtë arsye kishte angazhuar edhe një avokat për t’u liruar nga detyra e tij. Sipas hetimit, Hasan ishte një mysliman i devotshëm praktikant, por që ishte bërë shumë i ndjeshëm pas luftës së shpallur nga SHBA-ja ndaj Irakut dhe Afganistanit.

11 mars 2009: Masakra e Winnenden, Gjermani, 16 të vrarë
Masakra e Ëinneden ka ndodhur më 11 mars të vitit 2009 në një kolegj në krahinën e Bade-Ëurtemberg në Gjermani, kur 16 persona humbën jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga Tim Kretchmer, 17 vjeç. Ngjarja shkaktoi një tronditje për shoqërinë gjermane në atë kohë. Hetimi i policisë do të rezultonte se 17-vjeçari ishte futur i armatosur në klasën ku studionte që prej tre vjetësh dhe kishte filluar të qëllonte me breshëri ndaj shokëve të tij. Më pas, autori do të largohej me shpejtësi, duke vjedhur një makinë të parkuar në shkollë, për t’u kapur në një ndjekje spektakolare të policisë gjermane, e cila kishte qëlluar për ta ndaluar. Edhe sot e kësaj dite, motivet e krimit të rëndë të 17-vjeçarit Tim Kretcher mbeten ende enigmë.

23 shtator 2008: Masakra e Kahajoki, Finlandë, 10 nxënës të vrarë
I shtyrë nga urrejtja për shoqërinë, një nxënës i kolegjit finlandez të Jokelës në Kauhajoki, qëlloi me pistoletë duke u marrë jetën 10 nxënësve. Autori Matti Juhani Saari, 22 vjeç, më pas qëlloi mbi veten në kokë.

16 prill 2007: Masakra në Blacksburg (Virginia), 32 të vrarë
E cilësuar si ngjarja më e rendë në distriktin e Virginias, një raport prej 147 faqesh do të akuzonte autoritetet e Universitetit të Virgjinias që nuk kishin kuruar sëmundjet mendore të autorit të masakrës, Sen-Hui Cho. Më 16 prill vitit 2007, studenti 23-vjeçar me origjinë kineze, hyri i armatosur në shkollë duke vrarë 32 persona. Fillimisht ai vrau dy nxënës dhe videon ia dërgoi me postë kanalit NBC. Më pas ai u kthye përsëri në kamp, ku gjeti kohën të merrte armatime të tjera në dhomë dhe të qëllonte ndaj cilitdo që i dilte përpara.
Autori në fund vrau veten, ndërsa psikologët janë duke u marrë me rastin e tij.

13 mars 1996: Masakra në Dunblane (Skoci), 16 fëmijë të vrarë dhe mësuesja
Masakra që nuk do të harrohet kurrë për anglezët, ka qenë ajo e 13 marsit të vitit 1996, në provincën e Dunblane në Skoci, ku Tomas Hamilton vrau 16 fëmijë dhe mësuesen e tyre dhe më pas bëri vetëvrasje. Sipas raporteve të bëra nga policia angleze në atë kohë, rezulton se Hamilton ishte një përdorues droge dhe ky është cilësuar dhe shkaku i kësaj tragjedie.

6 dhjetor 1989: Masakra në Montreal, 18 të vrarë
Në 6 dhjetor të vitit 1989 në Shkollën Politeknike të Montrealit në Kanada, 25 vjeçari Mark Lepine, i armatosur me pushkë dhe me një pistoletë, qëllon mbi 28 persona dhe në fund vret veten. Raportet tregojnë se ai e ka filluar masakrën e tij nga korridori i shkollës duke hyrë në klasa, ku ka qëlluar mbi çdo femër dhe mashkull që i ka dalë para. Ai ka qëlluar mbi 9 femra, duke plagosur 3 dhe vrarë 6 prej tyre. Qëllimi i tij, sipas dëshmitarëve, ka qenë vrasja e femrave, ku ai në përfundim të masakrës ka vrarë 14 femra dhe katër meshkuj, të cilët janë përpjekur ta ndalojnë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›