E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e Maqedonisë pa pushime verore

Nga Express më 09 gusht 2011 në ora 11:51

Kabineti i ri qeveritar i kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski, këtë vit nuk do të shfrytëzojë pushimet verore, bën të ditur zyra për informim e Qeverisë.

Sipas këtij vendimi, kabineti i ri qeveritar do të punojë këtë verë pa shfrytëzuar pushimin veror dhe janë përcaktuar aktivitetet e të gjitha ministrive për të nisur punët e tyre.

Vendimi ka pasuar me një unanimitet midis partnerëve të koalicionit, BDI dhe VMRO-DPMNE.

Nga partia shqiptare theksojnë se kjo ka të bëjë edhe me faktin se shënohet 10 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit dhe me rastin e këtij përvjetori janë paraparë aktivitete qeveritare, por edhe partiake, të niveleve të ndryshme.

Edhe liderët e partive politike gjithashtu këtë verë kanë anuluar pushimet verore.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, muajin gusht do ta kalojë në selinë partiake në Tetovë, por edhe pushimet e fundjavës në vendlindjen e tij Zajaz.

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka planifikuar gjithashtu që të mos bëjë pushime, kjo për arsye edhe të muajit të shenjtë të Ramazanit, ku siç bëhet e ditur Thaçi është një nga liderët shqiptarë që mban agjërimin.

Edhe lideri i RDK-së, Rufi Osmani, gjithashtu ka anuluar çdo pushim dhe se siç bëjnë të ditur nga kabineti i tij, ai po para-përgatitet për aktivitete partiake në fillim të muajit shtator.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›