Përplaset me makinën, vdes i riu 23-vjeçar në Rimini të Italisë
ITALI – Një shtetas shqiptar gjeti vdekjen si pasojë e një aksidenti automobilistik në Itali. Burime nga media italiane bëjnë të ditur se shtetasi Edmond Salaj është ndarë nga jeta teksa udhëtonte me motor në autostradën e Riminit. Mjeti tip “Honda HRV” është përplasur me një makinë në orën 1:20 të mëngjesit të djeshëm, duke shkaktuar pasoja fatale për 23-vjeçarin. Salaj e gjeti vdekjen disa orë pas aksidentit në spitalin i Riminit. Ai kishte marrë goditje të shumta në trup. Viktima jetonte në qytetin Bellaria së bashku me prindërit dhe bashkëshorten. Familjarët po presin përfundimin e procedurave nga autoritetet italiane dhe më pas për ta sjellë në Shqipëri trupin e tij, ku pritet të bëhet edhe ceremonia funerale e përcjelljes për në banesën e fundit.
Shoferi i pirë përplaset me karrocën, plagoset rëndë çifti
DURRËS – Burrë e grua, të këputur nga ekonomia familjare, janë përballur dhe me një aksident për faj të alkoolit dhe papërgjegjshmërisë së shoferit që i shtypi dhe tani po luftojnë me vdekjen në spital. Ngjarja ka ndodhur në orën 19:00 të ditës së diel, në segmentin rrugor Sallmone - Katër Rrugët e Shijakut. B. H., 39 vjeç dhe bashkëshortja e tij L. H., 32-vjeçare, që të dy me banim në fshatin Xhafzotaj, ishin duke udhëtuar mbi një karrocë me kalë në këtë segment rrugor kur është afruar një automjet tip “Volkswagen Golf”, me targa DR 3466 D, drejtuar nga 30-vjeçari nga i njëjti vendbanim, Indrit Kapedani. “Si pasojë e përplasjes mes karrocës dhe makinës, çifti i bashkëshortëve mori plagë të rënda dhe gjendja e tyre është serioze, në spitalin e Durrësit ku u dërguan për ndërhyrje mjekësore”, - thanë burimet policore.
Në orën 11:30 të ditës së djeshme, ata thanë se arrestuan të dyshuarin Indrit Kapedani, i dënuar më parë për vjedhje. Pasi u kryen veprimet e para hetimore, materialet për veprat penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të mjetit në gjendje të dehur iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
23 Shtator 2008