Refuzoi t’i jepte para borxh, plagoset nga kushëriri në Itali
ITALI - Një shqiptar ka plagosur kushërirën e tij në Itali, pasi kjo e fundit ka refuzuar që t’i japë para, por në përpjekjen për të ikur është prangosur nga policia. Burimet nga mediat italiane bëjnë të ditur se shtetasja S. N., 26 vjeçe, është dhunuar brutalisht nga shtetasi A. N., 28 vjeç, i cili më pas e ka qëlluar me thikë. Sipas tyre, 26-vjeçarja refuzoi t’i japë para borxh kushëririt të tij. Ngjarja ndodhi në zonën e Kaluxhit në Pontelungo. Për këtë arsye ai dyshohet t’i ketë marrë një sasi parash së afërmes së tij dhe pasi e ka plagosur, ka tentuar që të largohet, por pikërisht në atë moment kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë bërë ndalimin e tij. Mendohet se policia është lajmëruar nga banorët që ndodheshin në zonën ku u shënua përplasja.
Ngjarja
A. N. ishte prej disa vitesh emigrant në Itali, por që nuk kishte arritur të punësohej kohët e fundit. I ndodhur pa para, ai ka shkuar për t’i kërkuar ndihmë kushërirës së tij, S. N., e cila punonte në një lokal nate. Mbrëmjen e së dielës ata janë takuar fare pranë banesës së 26-vjeçares. Kur kushëriri i ka kërkuar paratë, ajo ka refuzuar. I riu shqiptar, duke ditur se e afërmja e tij kishte një sasi parash në çantë, e ka sulmuar, duke ia marrë dhe prej andej të nxjerrë një shumë prej 600 eurosh. Por vajza e ka kundërshtuar dhe ata janë konfliktuar përreth 30 minuta. Sipas dëshmive në vendngjarje, të përcjella në mediat italiane, 26-vjeçarja ka mundur që t’i ikë nga dora kushëririt të saj dhe të kërkojë ndihmë te banorët e pallatit që ndodhej aty pranë.
Arrestimi
Të alarmuar nga skena e konflikti mes tyre, banorët kanë lajmëruar policinë, e cila mbërriti brenda pak minutash. Burimet bëjnë të ditur se A. N. është ndaluar teksa po largohej nga vendi i ngjarjes. Ai ndodhej në “Via Calughi Nr. 7” kur është arrestuar nga karabinierët. Në momentin e kontrollit atij i janë gjetur 600 euro, të cilat ia kishte marrë përdhunë kushërirës së tij. Ndërkohë, S. N. është dërguar me urgjencë në spital. Mediat italiane raportojnë se e lënduara, pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ajo ka dhënë dëshminë për ngjarjen e ndodhur. S.N është e martuar me një shtetas italian. Ndërsa autori i ngjarjes kishte vetëm një muaj që ishte zhvendosur nga Pistoja e Firences në Torino. Tashmë ndaj 28-vjeçarit pritet të nisin hetimet për “plagosje” dhe për grabitje me dhunë.
23 Shtator 2008