E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi Dule-Berisha: Në vend të Barkës, Andrea Marto



Eljona Ballhysa
Lidershipi i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ia ka arritur dje qëllimit për të shkarkuar nga posti i ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka. Gjatë ditës së djeshme kryetari i PBDNJ-së ka zhvilluar një takim kokë më kokë me kryeministrin Berisha në zyrën e tij, në ambientet e Kryeministrisë. Takimi, i cili është zhvilluar rreth orës 14:00 dhe ka zgjatur vetëm disa minuta, ka rezultuar i suksesshëm për kreun e PBDNJ-së, Dule. Kryeministri Berisha ka rënë dakord që të shkarkojë ministrin Barka, i cili e ka mbajtur këtë post prej gati tre vjet e gjysmë. Pas takimit me Berishën kreu i PBDNJ-së, Dule, ka mbledhur Kryesinë e kësaj partie. Në përfundim të mbledhjes Dule ka bërë të ditur se në vend të Barkës, PBDNJ-ja do të përfaqësohet në qeveri me Andrea Marton. Madje Dule ka sqaruar se emri i Martos është pranuar dhe nga kryeministri Berisha. Ky i fundit ka mbajtur postin e sekretarit të Përgjithshëm të kabinetit të ministrit Barka.
Konflikti
Sipas burimeve nga PBDNJ-ja, arsyeja e shkarkimit të Barkës ka qenë pikërisht shkarkimi nga detyra e sekretarit të Përgjithshëm, Andrea Marto. Ky i fundit njihet si një anëtar me peshë në PBDNJ, që gëzon mbështetjen e lidershipit të partisë. Ndërsa Barka, i cili gëzon mbështetjen e shoqatës “OMONIA”, ka bërë të ditur dje se Marto ishte një person i papërgjegjshëm me detyrën dhe nuk respektonte oraret zyrtare. Duke folur në një konferencë për shtyp, Dule ka sqaruar se zëvendësimi i Barkës bëhet për shkak të ngërçit që është regjistruar sipas tij në drejtim të reformave sociale. “Kryeministri Berisha pranoi propozimin për shkarkimin e Kosta Barkës. Për postin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale propozuam Andrea Marton. Ndryshimi i ministrit bëhet për të bërë reformat që deri tani nuk janë bërë. Reformat në fushën sociale nuk kanë ecur ashtu siç duhet”, -ka pohuar Dule. Kreu i PBDNJ-së ka folur edhe për zgjedhjet e ardhshme elektorale. “Për aleancat në zgjedhjet e ardhshme do të presim hartimin e Kodit Elektoral”, - ka shtuar Dule. I pyetur rreth qëndrimit të OMONIA-s Dule u shpreh se kjo shoqatë ka qenë në dijeni për shkarkimin e Barkës.
Ndryshimet
Pritet që gjatë ditëve në vijim kryeministri Berisha të bëjë publik dhe ndryshimin më të fundit në kabinetin e tij qeveritar. Kreu i qeverisë pritet të firmosë shkarkimin e Barkës dhe emërimin në vend të tij të Andrea Martos. Nëse kryeministri Berisha do të marrë një vendim të tillë, do të tregojë se për herë të parë po respekton marrëveshjen me partitë aleate.
Vetëm pak kohë më parë, kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka dhe lidershipi i kësaj partie kërkuan shkarkimin e dy zëvendësministrave të kësaj partie, Zef Bushati dhe Anton Gurakuqi. Por kryeministri Berisha nuk iu përgjigj kësaj kërkese, përkundrazi, ai firmosi shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, kryetarit të PDK-së, Nard Ndoka. Këto zhvillime sollën dhe përçarjen e PDK-së dhe në krijimin e dy partive me të njëjtin emër.

Pango mbron spotin e Berishës

Ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, gjatë fjalës së tij në Parlament ka mbrojtur spotin antikorrupsion të kryeministrit Berisha, i cili ka shkaktuar debate të shumta. Pango ka ftuar deputetët e opozitës që të krahasojnë arritjet që paraqiten në spot me realitetin. “Shikoni spotin dhe më thoni diçka që aty përmendet dhe nuk ekziston. Ekziston gjithçka, të gjitha arritjet e qeverisë sonë”,- ka deklaruar Pango, i cili ka ironizuar edhe lëvizjen “G99” të Erion Veliajt, e cila ka qenë kritike ndaj spotit. “G99-a është gënjeshtra 99”, - ka pohuar Pango. Me tej ministri e ka vënë theksin te turizmi, sektor që, sipas tij, këtë vit ka arritur shifra rekord. “Në 2008-n nuk është regjistruar asnjë incident me turistët. Këtë vit kemi pasur turistë nga Kosova, Maqedonia, Greqia, Italia e Gjermania”, - ka shtuar Pango.

23 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›