E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagon Kosta Barka: “Andrea Marto nuk ishte korrekt me detyrën”



Ministri i Punës dhe i Çështjeve Sociale, Kosta Barka, ka reaguar dje ndaj kërkesës së Kryesisë së PBDNJ-së për shkarkimin e tij. Barka ka bërë të ditur se megjithëse ai është anëtar i Kryesisë së PBDNJ-së, nuk është në dijeni të një vendimi për shkarkimin e tij. Madje ai e ka marrë vesh këtë kërkesë vetëm nëpërmjet mediave. Ministri i Punëve dhe i Çështjeve Sociale, Kosta Barka, i cili përfaqëson në qeveri Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ka bërë të ditur dje se ai është një ministër i përgjegjshëm, i cili, gjatë qëndrimin e të tij në krye të ministrisë ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme. “Kërkesën e kryetarit të partisë për largimin tim nga posti i ministrit e kam mësuar nga media. Unë di se jam ministër, kam bërë një reformim të plotë të të gjithë sistemit të mbrojtjes sociale, dhe për projektet në të ardhmen kam siguruar edhe mbështetjen e kryeministrit Berisha. Jam i predispozuar për t’iu përgjigjur të gjitha detyrimeve institucionale që kam dhe si ministër jam në performancën më të mirë për t’iu përgjigjur qytetarëve shqiptarë, në mënyrë të veçantë grupeve në nevojë”, - është shprehur Barka për mediat. I pyetur për arsyet e largimit të sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, Andrea Marto, i cili duket se është dhe arsyeja pse PBDNJ-ja kërkon largimin e Barkës, ministri u shpreh se Marto nuk respektonte orarin zyrtar të punës. “Vlerësova një njeri që e kisha marrë, e kisha komanduar në rolin e sekretarit të Përgjithshëm para disa muajsh. Nuk iu përgjigj këtij detyrimi institucional dhe unë si person përgjegjës para qeverisë, para vendit, vendosa largimin e tij nga pozicioni në të cilin e kisha komanduar. Një njeri i cili në radhë të parë duhet të jetë në rolin e menaxhuesit të burimeve njerëzore nuk ishte prezent në punë, largohej mbi 5-6 orë, bile donte dhe shoqëri në shumë raste jashtë, kështu që, unë si një njeri i detyruar t’u përgjigjem detyrimeve të mia, e hoqa nga puna”,- është shprehur ministri Barka.

23 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›