OMONIA në prag të divorcit me PBDNJ-në, Barka takon ambasadorin grek
Shkarkimi i ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale ka sjellë dhe ndarjen e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nga shoqata “OMONIA”, cila gëzon mbështetjen e minoritetit grek në Shqipëri. Madje burime nga kjo shoqatë kanë bërë të ditur se në fundjavë do të thërrasin mbledhjen e strukturave të PBDNJ-së për të diskutuar rreth vendimit të Kryesisë së kësaj partie. Burimet kanë bërë të ditur se ministri Barka ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme një takim me ambasadorin grek në Shqipëri. Megjithatë, ende nuk dihen detaje nga ky takim. Ndërsa anëtari i këshillit drejtues të shoqatës “OMONIA”, ish-deputeti Jani Jani, nëpërmjet një letre të hapur, ka dënuar lëvizjet e fundit të kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, për shkarkimin e ministrit Barka. Ai i ka cilësuar të papërgjegjshme veprimet e Dulës, ndërsa e ka cilësuar Barkën një ministër të suksesshëm. “Pa dyshim duket se mbushet kupa e veprimeve politikisht të papërgjegjshme të kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, pas kërkesës për shkarkimin e ministrit të Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, njëkohësisht nënkryetar të kësaj partie dhe anëtar i forumeve më të larta të Bashkimit Demokratik të Minoritetit Etnik Grek “OMONIA”. Kryetari i PBDNJ-së, me mbështetjen e deputetëve të tij dhe të një grupi të papërfillshëm njerëzish që nuk kanë asnjë lidhje as me OMONIA-n dhe as me minoritetin etnik grek”, - ka shkruar Jani. Më tej Jani ka bërë të ditur se ministri Barka, i cili është propozuar nga udhëheqja e OMONIA-s, i ka menaxhuar mirë çështjet që i takojnë kësaj ministrie dhe ka marrë vlerësime nga kryeministri Berisha për punën e bërë. Më tej Jani ka bërë të ditur se anëtarësia e OMONIA-s, e cila ka mbështetur dhe ka votuar PBDNJ-në, tashmë nuk gjen përfaqësim të interesave të kësaj partie nga kreu i PBDNJ-së, Dule. “Pjesa e minoritetit që i dha votën PBDNN-së, anëtarësia e OMONIA-s në bazë nuk e ka mbështetur këtë parti, që organet dhe lideri i saj të abuzojnë dhe as të sillen si "Zeuse", nuk i ka mbështetur që disa të kënaqin egoizmin dhe ambiciet personale. Në qoftë se kjo parti nuk do të shprehë sot dhe në vazhdim këto aspirata, është mëse e pritshme që të humbasë mbështetjen e faktorëve politikë të minoritetit etnik grek”, - është shprehur Jani.
23 Shtator 2008