E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masat greke kerkohen ende 4 mld euro

Megjithë takimin e fundit të stafit financiar të qeverisë me Trojkën, ende mbetet i hapur hendeku me vlerë 4 miliardë euro në paketën e masave të reja prej 11,9 miliardësh.
Këtë opinion përcollën përfaqësuesit e tri partive qeveritare, pas informimit që iu bëri të hënën në mbrëmje ministri i financave, Janis Sturnaras. Sipas të njëjtave burime, “pika fërkimi” mbeten reduktimet me vlerë 750 miliardë euro në shpenzimet funksionale të sektorit publik, por edhe një pjesë e madhe reduktimesh në shëndetësi dhe mbrojtje.
Është karakteristike se njeri prej përfaqësuesve të partive që morën pjesë në takim, deklaroi se “masat nuk mjaftojnë, trojka kërkon gjak”, ndërsa pjesëtari i një partie tjetër u mjaftua të komentonte se “gjërat janë të egra”.
Përfaqësuesit e partive përcollën perceptimin nga informimi i ministrit të financave, se paketa e masave duhet medoemos të jetë mbyllur deri të dielën e ardhshme. Dhe e konsiderojnë të pashmangshme, sa rritjen e moshës së daljes në pension nga 65 në 67 vjeç, aq dhe reduktimet e mëdha në pensionet, kompensimet dhe pushimet nga puna në sektorin publik.
Ndërkaq bëhet me dije se kontaktet e trojkës me drejtuesit e ministrisë së financave dhe të ministrive që implikohen në paketën e masave, do të jenë tashmë të përditshme.
Ndërkaq, pritet edhe një takim i ri i tre liderëve të partive që mbështesin qeverinë, që do të shqyrtojnë zhvillimet në negociatat me trojkën.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›