E Diel, 1 Nëntor 2026

Rënia e demokracisë

Po ndodhin dy rënie të rëndësishme në botë sot. Njëra ka fituar vëmendje të madhe. Është rënia e ekonomisë në Amerikë. Por kjo eventualisht do të kalojë dhe bota nuk do të jetë edhe aq keq. Tjetra nuk ka pasur aspak vëmendje. Quhet "rënia e demokracisë" dhe nëse nuk ndryshon kjo, do ta ndryshojë botën për një kohë të gjatë. Termi "rënia e demokracisë" u shpik nga Larry Diamond, shkencëtar politik i Universitetit Stanford, në librin e tij "Shpirti i demokracisë". Dhe numrat tregojnë historinë. Në fund të vitit të kaluar, "Freedom House", i cili përcjell tendencën e demokracisë dhe zgjedhjet përreth botës, tha se viti 2007 ishte viti më i keq për liritë në botë, që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Pothuajse katër herë më shumë shtete, 38, kishin pasur rënie në liritë dhe të drejtat e njeriut, kurse vendet që i kishin përmirësuar liritë ishin rreth 10.

Çfarë e shpjegon këtë? Një pjesë e madhe e kësaj sprapsjeje po udhëhiqet nga rritja e petro-autoritarizmit. Shpesh kam thënë se çmimi i naftës dhe ritmi i lirisë operojnë në një korrelacion të anasjelltë, të cilën e quaj: "Ligji i Parë i Petro-Politikës". Ndërsa çmimi i naftës rritet, liria zvogëlohet. Kur çmimi i naftës zbret, liria rritet. "Ekzistojnë 23 shtete në botë, të cilat nxjerrin së paku 60 për qind të eksporteve të tyre nga nafta dhe gazi, dhe asnjëra nga këto nuk është demokraci e vërtetë", shpjegon Diamond. "Rusia, Venezuela, Irani dhe Nigeria janë vetëm pllakate" për këtë trend, ku udhëheqësit rrëmbejnë gypin e naftës për t‘ia rritur fuqinë vetvetes. Por, përderisa nafta është kritike për të ndalur valën demokratike, ajo nuk është faktori i vetëm. Rënia e ndikimit dhe autoritetit moral të SHBA-së e ka bërë të veten.

Përpjekjet e Bushit për të ndërtuar demokraci në Irak kanë qenë aq të dobëta, si prej nesh, ashtu edhe prej irakianëve, sa që aftësia dhe dëshira e Amerikës për të promovuar demokraci kudo tjetër është dëmtuar. Skandalet e torturës në Abu Ghraib dhe Gjirin e Guantanamos gjithashtu e kanë bërë të veten. "Ka pasur harxhim të madh të fuqisë së butë dhe të fortë të Amerikës në vitet e fundit", tha Diamond, i cili ka punuar në Irak si specialist i demokracisë. Djemtë e këqij e dinë këtë dhe po e shfrytëzojnë. Dhe vendi ku e shihni këtë më së shumti është në Zimbabve, ku Presidenti Robert Mugabe është përpjekur t‘i vjedhë zgjedhjet, pas dhjetë viteve të zvarritjes së shtetit të tij gjer në gropë. Mund të them se nuk ka udhëheqës më të neveritshëm sot sesa Mugabe. I vetmi që e rivalizon është fqinji i tij dhe mbrojtësi kryesor, Presidenti i Afrikës Jugore, Thabo Mbeki. Zimbabveja doli në zgjedhje më 29 mars dhe qeveria publikoi rezultatet javën e kaluar. Mugabe duket se vendosi që nuk mund të marrë fitoren, sepse kishte shumë dëshmi për të kundërtën. Andaj qeveria e tij tha se udhëheqësi i opozitës, Morgan Tsvangirai, kishte fituar 47.9 për qind të votave dhe Mugabe 42.3 për qind. Por ngase askush nuk kishte 50 për qind të votave, sipas ligjit të Zimbabvesë, duhet të mbahen përsëri zgjedhjet.

Tsvangirai dhe Lëvizja e tij për Ndryshime Demokratike thonë se kanë fituar 50.3 për qind të votave dhe duhet të vendosin nëse duan apo jo të marrin pjesë në zgjedhjet e sërishme, të cilat do të jenë të dhunshme. Figurat e opozitës tashmë janë bërë caqe të një kampanje sulmesh dhe kërcënimesh të udhëhequra nga shteti. Nëse Mbeki i Afrikës së Jugut do të kishte tërhequr mbështetjen ekonomike dhe politike për qeverinë e Mugabes, Mugabe do të ishte i detyruar të jepte dorëheqje para shumë kohe. Por Mbeki nuk ndien ndonjë besnikëri ndaj popullit të përvuajtur të Zimbabvesë. Besnikëria e vetme që ka është ndaj mikut të tij, Mugabes. Ajo që i ka bërë Mugabe shtetit të vet është akti më grotesk i keqqeverisjes që është bërë ndonjëherë. Inflacioni është aq i shfrenuar, sa që njerëzit në Zimbabve duhen t‘i mbajnë monedhat e tyre, nëse kanë ndonjë, në torba. Raftet e shitoreve janë të zbrazëta; agrikultura është përmbysur; krimet nga njerëzit që thjesht janë të uritur janë të shumta dhe rrjeti elektrik nuk mund t‘i mbajë dritat e ndezura.

Çfarë mund të bëjë SHBA-ja? Në Zimbabve duhet të punojmë me udhëheqësit e denjë si Levi Muanavasa i Zambisë për të sjellë presionin për një tranzicion paqësor. Dhe me aleatët tanë perëndimorë duhet të kërcënojmë me dërgimin e grupit të Mugabes në Gjyqin Ndërkombëtar për Krime në Hagë, njësoj siç bëmë me udhëheqësit e Serbisë. Por gjithashtu duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të zhvilluar alternativa për naftën, në mënyrë që të dobësohen petro-diktatorët. Kjo është edhe arsyeja pse propozimi Xhon Mekejn-Hilari Klinton për të hequr taksën federale për karburant gjatë verës, në mënyrë që amerikanët të vozisin më shumë dhe të mbajnë çmimin e naftës të lartë, nuk është vetëm një dhuratë e padëmshme. E as nuk është fundi i civilizimit. Është vetëm edhe një gozhdë në arkivolin e demokracisë anembanë botës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›