Nafta virxhin, Prokuroria, “gjueti” pasurive të katër biznesmenëve
Tiranë Investimi i parave të fituara nga kontrabanda e naftës virxhin mund t’u kushtojë bllokimin e të gjitha aseteve dhe llogarive bankare të arrestuarve, si organizatorë të skemës që sillte miliona euro të ardhura. Përveç akuzës së mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, njësia “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës ka nisur hetimet edhe për pastrim parash ndaj të arrestuarve, të cilët dyshohet se kanë përfituar të ardhura të konsiderueshme nga kjo skemë abuzimi me karburantet. Burime të rezervuara pohuan për MAPO-n se, menjëherë pas arrestimit të 13 personave, në ngarkim të katër prej tyre kanë nisur verifikimet e aseteve, apo llogarive bankare, të krijuara nga aktiviteti i dyshuar kriminal. Akuza zyrtare për të cilën po hetohet është “pastrim i produkteve të veprës penale”, e cila mund të provohet vetëm pasi organi i akuzës, dhe më pas gjykata, të vendosin se të arrestuarit kanë kryer më parë një vepër penale, e cila u ka siguruar atyre përfitime. Megjithatë, Prokuroria tha se nga dita e djeshme u është kërkuar të gjitha bankave të nivelit të dytë që operojnë në vend, informacione mbi llogaritë bankare dhe transfertat e kryera nga biznesmenët Hajri Elezaj, Iljaz Fisheku, apo dhe dy të afërmit e tij të arrestuar për të njëjtën çështje. Paralelisht me kërkesat drejtuar bankave, Prokuroria ka kërkuar informacion edhe në zyrën e regjistrimit të pasurive, për të parë të gjitha pronat apo asetet e regjistruara, në emër të të arrestuarve. Hetimi pasuror për këtë çështje, ku të arrestuar janë biznesmenë prej vitesh, sipas prokurorisë, padyshim që ka vështirësi. Fillimisht do të mblidhet informacioni i nevojshëm mbi pasuritë që disponojnë të dyshuarit, ndërsa më pas do të kryhen verifikimet për të evidentuar të gjitha asetet e vëna nga veprimtaria e kontrabandës së naftës virxhin. “Duke qenë se dy prej të arrestuarve kanë aktivitet biznesi prej disa vitesh, evidentimi i pasurive të vëna nga tregtimi i naftës virxhin, për karburant të gatshëm, mbetet shumë i vështirë. Këto të ardhura janë riinvestuar dhe gjithashtu janë bashkuar me të ardhurat e siguruara nga biznesi i ligjshëm” - thanë burime pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat gjithashtu konfirmuan kërkesat për sigurimin e informacionit mbi pasuritë e të arrestuarve. Tashmë, prokuroria është në pritje të përgjigjeve nga bankat apo Hipoteka, ndërkohë që paralelisht vazhdon puna për zbardhjen e skemës së mashtrimit me karburantet, ku dyshohet se janë përfshirë 12 të arrestuarit, mes të cilëve një doganier i kontrollit fizik në Portin e Vlorës dhe një specialist tatimesh në Drejtorinë e Tatim-Taksave në Fier. Prokuroria pritet të marrë dëshmitë e të arrestuarve si organizatorë të kësaj skeme, të cilët deri tani nuk kanë dhënë një version për akuzat e ngritura ndaj tyre. Të vetmit persona që janë pyetur rreth transportit të naftës virxhin, që deklarohej për eksport, por në fakt rihidhej në treg e përzier me benzinë, janë shoferët e kompanisë “Fisheku”, si dhe punonjës të tjerë që kanë pasur dijeni për këtë aktivitet. Të gjithë personat e pyetur kanë deklaruar se naftën e kanë transportuar drejt Portit të Vlorës, me qëllim eksportin e saj jashtë vendit. Por hetimet treguan se sasia prej 17 ton naftë virxhin është eksportuar vetëm me letra, pasi realisht ajo është përzierë me benzinën dhe është shitur në tregun e pakicës me trefishin e çmimit të blerjes.
Depozitat “sekrete” të Golemit, të marra me qira
Hetimet e Prokurorisë zbulojnë se biznesmenët e naftës kishin marrë me qira disa depozita në Golem, ku bëhej përzierja e naftës virxhin me benzinën
Tiranë Pak ditë pas arrestimit të 12 personave dhe shpalljen e dy të tjerëve në kërkim, Prokuroria zbardh detaje të tjera për mënyrën se si funksiononte skema e mashtrimit me naftën virxhin. Përveç deklaratave doganore të falsifikuara, që tregonin kryerjen e eksportit të virxhinit, në një kohë kur ajo nuk ishte blerë ende, grupi i hetimit ka mundur të zbulojë edhe disa depozita në Golem të Kavajës. Këmbëngulja e biznesmenëve për të orientuar punonjësit që do pyeteshin nga prokuroria, që për asnjë arsye të mos përmendnin Golemin, sipas prokurorisë ka lidhje me vendin ku dyshohet se është kryer përzierja e naftës virxhin. Sipas hetimit rezulton se pikërisht në Golem të Kavajës, biznesmenët Hajri Elezaj dhe Iljas Fisheku, kishin marrë me qira disa depozita, që dyshohet se janë përdorur për përzierjen e virxhinit me benzinën, duke u rihedhur më pas në treg si karburant i gatshëm. Pas kontrollit të ushtruar në zyrat pranë depozitave në Golem, dhe hetimeve të bërë për zbardhjen e gjithë skemës së mashtrimit, prokuroria thotë se këto depozita janë marrë me qira vetëm për të kryer këtë aktivitet. Sipas hetimeve, rezulton se sasia prej 17 mijë ton naftë virxhin, e blerë realisht 6-mujorin e parë të vitit 2009, është transportuar drejt depozitave të Golemit, edhe pse me letra ajo rezulton e eksportuar jashtë vendit. Duke qenë se në shkurt të vitit 2009, në Doganën e Vlorës ishin siguruar dy deklarata doganore, për eksportin fiktiv të sasisë prej 17 mijë ton virxhin, organizatorët e skemës së mashtrimit e kishin më të thjeshtë të kryenin transportin e naftës në depozitat e Golemit. Sipas librit të blerjeve të kompanisë “Euroil”, rezulton se 17 mijë ton virxhin është blerë në sasi të ndryshme pas muajit shkurt, pra pasi kjo sasi ishte “eksportuar” më parë. Prokuroria synon të sigurojë dëshmi dhe të dhëna të tjera për të provuar përzierjen e naftës virxhin, me benzinën në depozitat e Golemit, e cila më pas do të mundësojë edhe mënyrën apo sasitë e karburantit të përzierë me virxhin, që ka përfunduar në tregun e pakicës. Dyshohet se në tregtimin e karburantit të dëmshëm janë përfshirë edhe kompani të tjera, duke kryer tregtimin e saj, por mbetet për t’u sqaruar nëse kanë pasur apo jo dijeni për cilësinë e karburantit. L.Bakillari