E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekimi i gabuar, hetim mjekut të Spitalit Ushtarak

Mjekimi i pakujdessshëm
ka dërguar
një tjetër mjek për
hetim, pasi është
denoncuar nga një pacient i dëmtuar.
Mjeku i njohur te Spitali Ushtarak,
Vilson Ruçi, akuzohet nga
një 55-vjeçar se i ka prerë gishtin
e dorës pa qenë e nevojshme,
duke i sjellë edhe paralizë të
pjesshme. Nga policia mësohet se
është marrë në pyetje ky mjek,
por ka argumentuar se nuk ka
qenë gabim i tij. Megjithatë, ai
nuk do t‘i shpëtojë hetimit të
prokurorisë për këtë ngjarje.
Hetimi e ka marrë nismën nga
kallëzimi i Fatos Kadriut, 55 vjeç, lindur
dhe banues në rrugën "Ali
Kelmendi" në Kombinat. Burimet
zyrtare nga Drejtoria e Policisë së
Tiranës bënë të ditur se dje paradite,
i dëmtuari është paraqitur në
Komisariatin Nr. 3, duke kërkuar të
regjistrojë një kallëzim penal. Në
denoncimin e tij, ai është shprehur
se mjeku Vilson Ruçi, 40 vjeç, kishte
ushtruar mjekim të pakujdesshëm
ndaj tij. Ai ka shpjeguar për oficerin
e policisë gjyqësore, se kjo histori ka
ndodhur para dy javësh. Në
shpjegimin e tij, 55-vjeçari nga Kombinati
ka deklaruar se ka pasur
probleme në dorën e majtë dhe
është paraqitur në Spitalin Ushtarak.
Mjeku i këtij spitali dyshohet se
i ka thënë se duhet t‘i nënshtrohet
një ndërhyrjeje kirurgjikale. Në
këtë ndërhyrje, mjeku i ka prerë
një gisht të dorës së majtë, ku sipas
të dhënave të Kadriut, ka qenë
e panevojshme. Por, pas prerjes së
gishtit, pacientit i është shkaktuar
paralizë e pjesshme e gishtave të
tjerë të kësaj dore, e me raste e
gjithë dorës. Duke u nisur nga ky
fakt shqetësues, 55-vjeçari ka kryer
vizita mjekësore edhe te disa
mjekë të tjerë, të cilët i kanë thënë
se prerja e gishtit mund të jetë bërë
nga pakujdesia. Kjo e ka shtyrë atë
të paraqitet në polici dhe të denoncojë
rastin e dëmtimit të dorës së
tij. Madje, ai është shprehur para
oficerit të policisë gjyqësore, se ai
nuk ka pasur para për t‘i dhënë
ryshfet mjekut, megjithëse ai nuk
i kishte kërkuar asgjë.
Duke u nisur nga ky kallëzim
penal, uniformat blu të Komisariatit
Nr. 3 kanë kërkuar kontakt me
prokurorin, ku kanë marrë direktivat
për marrjen në pyetje të mjekut
të Spitalit Ushtarak. Nga të dhënat
e grupit hetimor, ai ka pasur një
kontakt me oficerin e policisë
gjyqësore, por nuk ka pranuar asgjë
nga akuzat e ngritura nga pacienti
i tij. Megjithatë, grupi i punës
ka vendosur që mjeku të dërgohet
për ndjekje penale për veprën e
mjekimit të pakujdesshëm,
megjithëse do të ndiqet penalisht
në gjendje të lirë. Policia shpjegoi
se tashmë i takon prokurorisë të
mbledhë prova edhe më të shumta
mbi këtë çështje për të vendosur
se çfarë do bëhet me hetimin e
këtij mjeku. Sipas të dhënave nga
prokuroria, nëse do gjenden fakte
për fajësimin e këtij mjeku, atëherë
çështja do të dërgohet në gjykatë,
ku do u shtohet edhe çështjeve të
tjera të këtij lloji. Sipas të dhënave
nga Kodi Penal, mjekimi i pakujdesshëm i të sëmurëve nga ana
e mjekut ose personelit tjetër
mjekësor, si dhe moszbatimi i terapisë
ose i porosive të mjekut nga
personeli mjekësor apo farmacist,
kur ka shkaktuar dëmtimin e
rëndë të shëndetit, ka rrezikuar
jetën e personit ose ka shkaktuar
vdekjen e tij, dënohet me gjobë ose
me burgim deri në pesë vjet burg.
Ky nuk është rasti i parë kur mjekët
kallëzohen për mjekim të gabuar.
Rastet fundit ka të bëjë me
mjekun Xhevahir Hoxhallari, i cili
gjendet nën akuzë për mjekim të
gabuar të një vajze nga Korça që
humbi jetën për shkak të këtij
mjekimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›