E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjela: Frenojmë ardhjen e PS në pushtet

 

Partia Ligj dhe Drejtësi nuk do të jetë pjesë e Polit të Lirisë me Partinë Demokristiane dhe Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar. Në një konferencë për shtyp, ai është shprehur se nuk ndajnë të njëjtat pikëpamje me këto dy forca politike, për shkak të drejtimit të Polit. Por sipas Ngjelës, qëllimi i kësaj force politike është të pengojnë rikthimin në pushtet në zgjedhjet e 28 qershorit. “Partia Ligj dhe Drejtësi ka vendosur të dalë e vetme në zgjedhje me ndonjë koalicion anësor, sepse ndjen dallim në pikëpamje. Deri në këto momente qëndrimi i partisë tonë është ky. Në të njëjtën kohë dua të deklaroj që Partia Ligj dhe Drejtësi ka dalë në skenën politike për të frenuar riardhjen e socialistëve në pushtet dhe të shpëtojë të djathtën, duke e ristrukturuar brenda nocioneve të reja pas goditjes së rëndë që i solli qeverisja aktuale”, bëri të ditur dje Ngjela. I pyetur nëse do të bëjë marrëveshje parazgjedhore me Partinë Demokratike nëse kjo e fundit do t’i bëjë ftesë, kreu i PLiDr theksoi se nuk do të ketë asnjë marrëveshje me lidershipin aktual të PD-së. Një ditë më parë, PDK, LZHK dhe PBD firmosën marrëveshjen e daljes së bashku në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë që përsëritën ftesën për bashkimin e Ngjelës në këtë koalicion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›