E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma “Një OKB” kremton në Tiranë suksesin e saj

28-06-2012 / Gazeta 55

Shqipëria është klasifikuar dje si njëri nga shtetet pioniere të reformës “Një OKB”, projekt që synon ndihmën ndaj vendeve në zhvillim
Ish-kryeministrja neozelandeze, Helen Klark: Tirana, rol kyç për reformën tonë
Berisha: “Një OKB”, një histori suksesi për Shqipërinë

Zhvilloi dje punimet në Tiranë, për herë të parë, konferenca ndërqeveritare e nivelit të lartë për reformën, “Një OKB”. Në këtë takim morën pjesë mbi 300 përfaqësues nga 40 vendeve të botës, përfaqësues nga vendet donatore, krerë e përfaqësues të lartë të sistemit të OKB-së, etj. Punimet e konferencës u përshëndetën nga kryeministri Sali Berisha dhe ish kryeministrja e Zelandës së Re, Helen Clark, aktualisht kryetare e grupit të zhvillimit të OKB-së.
Kryeministri Sali Berisha në nisje të fjalës së tij falënderoi Organizatën e Kombeve të Bashkuara për përzgjedhjen e Tiranës si kryeqytet i kësaj veprimtarie me një rëndësi globale. Kreu i qeverisë renditi disa nga arritjet e vendit tonë gjatë këtyre viteve kur edhe ka nisur kjo nismë, ndërsa parashtroi potencialet e Shqipërisë për një zhvillim të qëndrueshëm.
“Në këto vite dhe nën këtë moto në vendim tim janë realizuar një sërë reformash që kanë përfshirë sistemin arsimor, identifikimin e qytetarëve , barazinë gjinore, mjedisin dhe mbrojtjen e tij dhe një seri fushash të tjera. Pra të gjitha këto projekte janë në një kohë të shkurtër histori e vërtetë suksesi” deklaroi kryeministri Berisha, i cili shtoi se kjo nismë filloi vite më parë nën moton “Një OKB”, ku fillimisht në këtë projekt u përfshinë 8 vende, si një proces i reformimit të suksesshëm.
“Në një hark të shkurtër kohor projekti pilot u faktua si një test që i rezistoi kohës dhe sot numri i vendeve që janë angazhuar në këtë proces është rritur 4 herë”, vijoi mjë tej ai. “Në kuadër të bashkëpunimit Shqipëria shënon një prej rekordeve më të mëdha atë të imunizimit të fëmijëve”, theksoi kreu i qeverisë, ndërsa vlerësoi se “Një OKB” ka si qëllim kryesor rritjen e eficencë së ndihmës së OKB-së. Ai e cilësoi historinë e bashkëpunimit me OKB-në si një histori suksesi dhe shprehu angazhimin që objektivat e mijëvjeçarit t’i shkrijë me ato të integrimit
“Ne jemi angazhuar me përkushtim të madh që objektivat e mijëvjeçarit t’i shkrijmë me ato të integrimit. Janë objektiva të drejta të rëndësishme dhe për Shqipërinë ato ishin një nxitje e madhe për të përmbushur detyrimet në procesin e integrimit evropian”, nënvizoi shefi i qeverisë i cili renditi disa nga arritjet e vendit të tij gjatë këtyre viteve që janë ulja e varfërisë, rritja e të ardhurave nga një vend me të ardhura të ulëta në vend me të ardhura të mesme e të larta.
Ai tha se ekonomia shqiptare i rezistoi krizës evropiane, ndërsa theksoi se do të bëjë gjithçka për një zhvillim të qëndrueshëm, të cilin e bazoi tek energjia, dhe gjithë potencialet e vendit.
Kryeministri Berisha nënvizoi se kriza që po përjeton njerëzimi është një apel i madh për ne, të bëjmë gjithçka për një zhvillim të qëndrueshëm të vendeve tona në mënyrë që ata që vijnë pas nesh të jetojnë më mirë se ne tha dhe Shqipëria është angazhuar për një zhvillim të qëndrueshëm duke shfrytëzuar në këtë rast disa avantazhe natyrore tha kryeministri i Shqipërisë.
“Shqiptarët të cilët në vitin 2001 kishin shtëpi banimi për frymë më pak se të gjitha kombet e tjera Europiane në vitin 1980. Nga regjistrimi i vitit 2011 rezulton se kemi lënë prapa pesë kombe anëtare të BE dhe OECD-së. Nga viti 2005 në vitin 2008 varfëria u ul nga 18 në 12 për qind. Varfëria ekstreme u ul nga  4.3 në 1.3 për qind. Ekonomia shqiptare i rezistoi krizës, u përball me pasojat e saj, por ajo ka pasur një rritje mesatare 4 herë më të lartë se mesatarja e Rajonit.  Eksportet janë rritur 3 herë këto vitet e fundit, megjithatë ne përballemi me vështirësi dhe nuk e kemi si një rrugë të shtruar”, tha më tej kryeministri.
Synimi i organizimit të konferencës është të përmirësojë efektshmërinë e sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe shihet si një mundësi e rëndësishme për të paraqitur rezultatet, arritjet, sfidat dhe mësimet e nxjerra nga qasja “Një OKB”.
Nga Konferenca do të dalin dy dokumente kryesore, të cilat do të japin rekomandime mbi të ardhmen e kësaj nisme në vendet ku ajo do të aplikohet.
Në konferencë pritet ndër të tjera që vendet pjesëmarrëse të bien dakord mbi një qëndrim të përbashkët që, elementë kyç të nismës “Një OKB”, t’i paraqiten, në korrik 2012, Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së (ECOSOC) dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në vjeshtë të vitit 2012, si dhe të identifikohen dhe njihen praktikat më të mira të nismës “Një OKB” nga të cilat vendet e tjera mund të përfitojnë, duke u përqendruar në rezultatet konkrete dhe sfidat në të ardhmen.
Shqipëria dhe Nisma “Një OKB”/Ne vitin 2007 pas kërkesës se qeverise shqiptare, Kombet e Bashkuara zgjodhën Shqipërinë si një nder tetë vendet pilote të nismës Një OKB në botë. Ndërtuar mbi programin e reformave të vendosura nga shtetet anëtare të OKB-së, koncepti “Një OKB” përshpejton përpjekjet për rritjen e koherencës dhe efektshmërisë së aktiviteteve të zhvillimit në nivel vendi. 
Tetë vendet pilote të programit Një OKB filluan zbatimin e një modeli te ri ku programet dhe agjencitë do te bashkoheshin ne “Një Program”, “Një Kuadër Buxhetor”, Një Drejtues” dhe “Një Zyrë”. Më 24 tetor 2007, Qeveria e Shqipërisë dhe njëmbëdhjetë Agjenci, fonde dhe programe të OKB-së, nënshkruan Programin Një OKB.
Objektivi i Programit Një OKB në Shqipëri është përmirësimi i rezultateve dhe impaktit të zhvillimit duke bashkuar avantazhet krahasuese të sistemit të OKB në një program të vetëm strategjik. Ndërsa në tetor të viti 2011 qeveria e Shqipërisë dhe Kombet e Bashkuara nënshkruan programin e ri të bashkëpunimit për periudhën 2012-2016 i cili mbështet përparësitë kombëtare dhe sfidat e zhvillimit të vendit në fushat e qeverisjes, shtetit të së drejtës, ekonomisë dhe mjedisit, zhvillimit rajonal dhe lokal dhe politikave sociale gjithëpërfshirëse. Programi mbështet Shqipërinë në axhendën e saj të integrimit evropian.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›