E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi ynë i dytë?

Blendi Kajsiu 

Mashtrimi ynë i parë ishte tranzicioni ynë i parë; socializmi.  Tashmë e kemi harruar, por socializmi, pavarësisht 45 viteve të tij, ishte thjesht një tranzicion drejt komunizmit. Në fund të këtij tranzicioni ne u ndjemë të gjithë të mashtruar. Komunizmi drejt të cilit ne kishim ecur për 45 vite doli se ishte veçse një iluzion, pas 45 vitesh zhvillim doli se ne ende ishim vendi më i varfër dhe më i pazhvilluar në Evropë.  Pas 45 viteve tranzicion kuptuam se ishim mashtruar. E ndonëse faji për këtë mashtrim iu faturua vetëm lidershipit komunist, në të morëm pjesë pothuajse  të gjithë. Edhe pse dëshmitarë të dështimeve pafund të socializmit, në ekonomi, politikë dhe shoqëri shumica dërrmuese, me apo pa dëshirë, e ndoqi marshimin drejt komunizmit pa e vënë atë në pikëpyetje, deri në momentin kur u ndodh në fund të një humnere me emrin “post-komunizëm”.
Sot ne jemi në tranzicionin tonë të dytë drejt demokracisë dhe Bashkimit Evropian. Kemi pothuajse 20 vjet që marshojmë në këtë drejtim. Ashtu si në marshimin e parë dje, edhe sot të gjithë janë dakord si me objektivin ashtu edhe me mënyrën e arritjes së tij. Politikanë, shkrimtarë, gazetarë dhe analistë bien dakord se shpresa dhe e ardhmja e Shqipërisë është Bashkimi Evropian. Nuk ka pothuajse asnjë kundërshtim edhe për shtegun që duhet ndjekur; tregtia e lirë, tërheqja e shtetit, stabiliteti makro-ekonomik dhe pothuajse çdo rekomandim që vjen nga FMN-ja, Banka Botërore dhe BE-ja. Dhe raportet e këtyre organizmave na ngrohin, sepse pavarësisht kritikave, çdo vit Shqipëria rritet gjithnjë e më shumë ekonomikisht, çdo vit ne bëhemi gjithnjë e më demokratikë, çdo vit ne i afrohemi gjithnjë e më shumë Evropës. 
E megjithatë ka diçka që nuk shkon si politikisht ashtu edhe ekonomikisht në progresin tonë pafund. Politikisht Shqipëria veçse demokratizohet, por demokraci duket se ka gjithnjë e më pak. Korrupsioni luftohet gjithnjë e më shumë, por ai gjithnjë e më shumë rritet. Sa më shpesh ndryshojnë qeveritë, aq më pak ndryshojnë politikat dhe elitat. Nano dje, me Berishën sot dhe Ramën nesër, duket sikur ndryshojnë gjithnjë e më pak në politikat që ndërmarrin, apo në mënyrën se si abuzojnë me pushtetin, median apo publikun. Shqipëria vërtet duket se ka zgjedhje gjithnjë e më të lira dhe të ndershme, por edhe një Kushtetutë dhe Kod Elektoral gjithnjë e më të keq. Por edhe kur zgjedhjet janë të lira dhe të ndershme, ato të kujtojnë atë grafitin që analisti bullgar Ivan Krastev gjeti të shkruar në muret e Sofjes: “Zgjedhjet nuk ndryshojnë asgjë, përndryshe do ndaloheshin me ligj”. Në përgjithësi sa më shumë “forcohet” demokracia jonë, aq më të pakënaqur bëhemi edhe ne me të.
Ekonomikisht Shqipëria ka njëzet vjet që rritet, por ende mbetet vendi më i varfër në një rajon që është më i varfëri në Evropë. Edhe pse ne po i afrohemi Evropës, po demokratizohemi dhe po zhvillohemi ekonomikisht, shumica e shqiptarëve ende duan ta lënë Shqipërinë. Madje, një nga arsyet se përse marshimi drejt Evropës është kaq popullor, është se shumica shpresojnë se kështu mund t’ia mbathin më lehtë. Natyrisht marshimi ende nuk ka mbaruar, mund të thotë me të drejtë dikush. Megjithatë nëse sot pas 20 vitesh suksesi ekonomik, politik dhe social ne mbetemi një vend ku qytetarët nuk duan të jetojnë, më i varfëri në një rajon të varfër, çfarë garancish kemi që pas nja njëzet vitesh të tjera zhvillimi të mos jemi këtu ku jemi sot dhe ndoshta akoma më prapa në raport me fqinjët dhe BE-në. E vetmja garanci deri tani për ne është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, që si me magji do e kthejë Shqipërinë në një vend të zhvilluar. 
Por çfarë garancish kemi që BE-ja mund të jetë aty edhe pas 20 vitesh? A mos vallë do na ndodhë si në marshimin tonë të parë, ku ecëm 45 vite për të kuptuar se kishim rrugëtuar drejt një iluzioni? Dhe ne mund të zbulojmë se BE-ja është iluzion edhe nëse bëhemi pjesë e saj. Ideja jonë se BE-ja do ta mbysë Shqipërinë në para sapo kjo e fundit të anëtarësohet, është shumë larg realitetit të një BE-je të zgjeruar, ku përfitimi për çdo anëtar të ri vjen duke u tkurrur sa më vonë që ndodh anëtarësimi. Ne mund të zbulojmë se edhe në BE ka zona tmerrësisht të varfra dhe pa shpresë, se një nga këto nesër mund të bëhemi edhe ne. Dhe ndoshta atëherë do të kuptojmë se sa shumë tranzicioni ynë i parë i ngjau tranzicionit tonë të dytë.
Në tranzicionin e parë drejt komunizmit ne përqafuam me zell marksizmin. Ishte një përqafim deri diku qesharak, pasi Shqipëria që nuk kish njohur kapitalizmin nuk kish si të njihte marksizmin, që nuk ish gjë tjetër veçse kritika më e mprehtë e tij. Me të njëjtin zell dhe injorancë siç përqafuam marksizmin dje, kemi përqafuar kapitalizmin sot. Edhe pse për ne kapitalizmi nuk është gjë tjetër veçse ato që thonë BE, BB dhe FMN si dhe thjesht e kundërta e asaj që ndodhi me ekonominë tonë dje. Ne me të drejtë na duken qesharake sot politikat ekonomike izolacioniste të Enver Hoxhës alla ‘me forcat tona’. Por fëmijëve tanë nesër mund t’u duken akoma më qesharake idetë tona ekonomike sot alla ‘me forcat e të tjerëve’. Ideja se Shqipërinë do ta shpëtojnë investimet e huaja kur në Shqipëri nuk po mobilizohet kapitali lokal, mund t’i bëjë për të qeshur dhe qarë brezat që do vijnë. Jo thjesht sepse asnjë vend nuk është zhvilluar thjesht nga investimet e huaja, por sepse është një ide që e vendos kapitalin e huaj në rolin e Nënë Terezës, si një altruist shpëtimtar. A thua se biznesi i huaj do vij në Shqipëri për të shpëtuar shqiptarët dhe jo për të mbushur xhepat e vet. Nesër mund të duket çmenduri edhe ideja se ekonomia e lodhur shqiptare mund të konkurrojë me ekonominë evropiane pa ndihmë nga shteti dhe thjesht nëpërmjet tregut të lirë. Sidomos kur biznesi perëndimor subvencionohet para dhe mbrapa nga shteti kur ia kërkon nevoja. Ashtu sikurse nesër mund të duket qesharake ideja që nga tregtia e lirë përfiton njësoj si një vend me ekonomi të zhvilluar dhe konkurruese, ashtu edhe një vend që nuk prodhon asgjë.
Dhe këto janë të gjitha idetë që përcaktojnë marshimin tonë sot dhe që rrallë, në mos kurrë, vihen në pikëpyetje.   Një nga arsyet është se me të drejtë shumëkush mund të argumentojë se sot ne jemi më mirë se dje. Dhe natyrisht nëse me ‘dje’ nënkuptojmë diktaturën komuniste, kuptohet që Shqipëria është shumë më mirë sot. Ama ky argumentim dëgjohej edhe dje. Edhe e djeshmja e fiksonte veten përballë një të pardjeshme në raport me të cilën ajo veç përmirësohej.   Problemi është se duke e krahasuar veten me të kaluarën, harrojmë ta vendosim atë në të tashmen dhe të ardhmen. Sot shqiptarët ndoshta janë më të lirë dhe konsumojnë më shumë se kurrë më parë në historinë e tyre. Megjithatë cilësia e jetës së tyre sot është po aq larg në mos më shumë në raport me ëndrrën e tyre evropiane. Natyrisht jo për të gjithë shqiptarët, por për shumicën e tyre dërrmuese. 
Prandaj mes gjithë këtij suksesi që na bën gjithnjë e më të palumtur, mbase është koha të ndalojmë dhe të shohim se mos po mashtrohemi për herë të dytë. Do të ishte për të ardhur keq nëse në fund të një rrugëtimi tjetër gjysmë shekullor ne do t’i trashëgonim brezit të ardhshëm përsëri një Shqipëri që është më e pazhvilluara në rajon. Dhe kësaj radhe nuk mund t’ia veshim gjithë fajin Berishës, Nanos apo Ramës. Liria e shprehjes dhe e mendimit sot ekziston, ndonëse takati për të menduar dhe për t’u shprehur ka rënë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›