E Diel, 1 Nëntor 2026

Për një ulje të TVSH-së mbi disa produkte ushqimore

Adea Meidani * 

Adea Meidani *

TVSH-ja apo Tatimi mbi    Vlerën e Shtuar është bërë pjesë e legjislacionit shqiptar që prej ligjit nr. 7928 të datës 27 prill 1995. Që nga viti 2000 e më tej, ky ligj ka pësuar modifikime e përmirësime të domosdoshme në përputhje me kërkesat e kohës. Ky legjislacion është praktikisht në përputhje me Direktivën Evropiane Nr. 6, që është në vetvete nyja e legjislacionit  të çdo shteti të komunitetit evropian, ose të shteteve të tjera të Ballkanit që aspirojnë të bëhen pjesë përbërëse e Evropës së Bashkuar. TVSH-ja shqiptare bazën e taksueshme e ka të gjerë, duke përfshirë shumë elementë Përjashtime të pakta ndaj saj janë vetëm disa shërbime financiare e postare, furnizimi i mallrave dhe shërbimeve nga organizatat jofitimprurëse, librat e  gazetat, eksportet etj. Parimi bazë është se çdo person apo subjekt që ka një xhiro vjetore më të madhe se 8.000.000 lekë duhet të paguaj TVSH-në.
     Struktura e sistemit fiskal shqiptar ndjek modelin e vendeve në zhvillim që kanë një fiskalitet të tërthortë relativisht të rëndë (d.m.th. TVSH dhe taksa import/eksporti), ndryshe nga vendet e zhvilluara, ku taksat e drejtpërdrejta zënë një vend mbizotërues në të ardhurat e shtetit. Kjo politikë fiskale është tipike e vendeve në zhvillim dhe nxjerr në dukje faktin që shteti zgjedh rrugën më të thjeshtë për të mbledhur të ardhurat, ndërkohë që lë pas dore realizimin e qëllimeve të taksimit, si reduktimi i pabarazisë.
Organizmat ndërkombëtare (si p.sh. FMN) përgjithësisht kanë shprehur një gjykim vlerësues mbi thjeshtësinë e rentabilitetin e sistemit shqiptar. Megjithatë, në kundërshtim me të gjitha vendet e komunitetit evropian (përveç Danimarkës), Shqipëria nuk ka një taksë të reduktuar për produktet ushqimore. Ndërkohë që si të gjitha vendet në zhvillim, familjet shqiptare shpenzojnë një pjesë të madhe të buxhetit mujor e vjetor në blerjen e produkteve ushqimore (në Evropë, afro 16.7% e buxhetit të një familje shkon në produkte ushqimore, ndërkohë që në Shqipëri, pavarësisht “leximeve” të fundit statistikore midis 30-40%, ajo është praktikisht mbi 50%). Direktiva Evropiane Nr. 6 e parashikon një mundësi të tillë, por taksa e reduktuar sipas kësaj direktive nuk duhet të zbresë më shumë se 5%. Produktet dhe shërbimet që mund të përfitojnë nga taksa e reduktuar janë të përcaktuara në aneksin H të kësaj Direktive.
    Në fakt, shtetet evropiane vitet e fundit kanë shumëfishuar prodhimet e shërbimet që përfitojnë nga taksa e reduktuar duke rritur numrin e kategorive dhe përjashtimet brenda të njëjtit lloj kategorie ushqimesh. P.sh., në Irlandë, ndeshen 89 kategori ushqimesh të trajtuara me këtë taksë të reduktuar. Kurse, në Francë, p.sh., përjashtimet brenda kategorisë së produkteve të çokollatës i nënshtrohen një legjislacioni shumë të ndërlikuar (trajtimi fiskal është i ndryshëm nëse çokollata përmban qumësht apo jo). Shpeshherë, një komplikim apo “teprim” i tillë është kritikuar nga instancat fiskale evropiane. Jo më kot ky lloj teprimi, në jo pak raste, e ka bërë këtë iniciativë kundër produktive. Nuk duhet harruar po ashtu që këto shtete fusin në veprim edhe mekanizma të tjerë, nëpërmjet taksimit të drejtpërdrejtë, për familjet në nevojë. Aty aplikohen mekanizma nga më të ndryshmet për të ndihmuar familjet me të ardhura të ulëta, si p.sh. ulje taksash për çdo fëmijë të lindur, ndihma në qira-pagesë në raste problematike, rimbursime e lehtësime nëpërmjet kredive të ndryshme, etj.
     Një përafrim i tillë i parametrit evropian, që lidhet me taksën e reduktuar, duhet të studiohet dhe aplikohet sa më shpejt dhe në kushtet e Shqipërisë. Madje, në rastin e Shqipërisë, një sistem i thjeshtë, që do të përdorte një taksë të reduktuar për një spektër të rëndësishëm të ushqimeve bazë, nuk do të shtonte në mënyrë të ekzagjeruar shpenzimet e administrimit përkatës. Aq më tepër që një humbje e tillë tatimore, pra dhe rënia e të ardhurave në buxhet mund të kompensohet paralelisht me rritjen e një takse tjetër (p.sh., taksat mbi cigaret dhe alkoolin).
    Në Evropë, TVSH-ja mbi produktet e nevojave “bazike” si ushqimi e elektriciteti, apo produktet që rrisin vlerat shoqërore si p.sh. libri, ka një mesatare prej 8%. Një nga argumentet kryesore të uljes së përqindjeve apo normave të TVSH-së mbi ushqimet është dhe ai që shërben për të krijuar një shpërndarje sa më të drejtë të të ardhurave midis familjeve të varfra dhe të pasura. Me fjalë të tjera, një masë e tillë do të sillte reduktimin e pabarazisë, të paktën në kuadër të nevojave të dorës së parë, dhe akoma më veçanërisht në situata krizash.
    Nuk mohohet që mekanizma të llojit “tax credit” apo “ndërhyrje” e drejtpërdrejta të shtetit për familjet modeste janë më efektive sesa një ulje e TVSH-së, nga e cila përfitojnë të gjithë pa përjashtim. Në kuadrin e Shqipërisë, për momentin, do të dukej si e tepërt vendosja e këtyre masave, aq më tepër që ato janë komplekse dhe kërkojnë një kontroll aposteriori. Në çdo rast, situata deri diku thjeshtësohet kur bëhet fjalë për produktet ushqimore. Pikërisht, në këtë shkrim, sugjerohet një gjë e tillë dhe në kushtet shqiptare, në mënyrë të veçantë për produktet ushqimore. Aq më tepër, që është pranuar nga të gjitha shtetet evropiane se duhet të ketë një trajtim më special të tyre kundrejt produkteve të tjera. Dhe jo pa arsye...
     Edhe Britania e Madhe në këtë periudhë recensioni vendosi para dy-tre javëve, një ligj me efekt të menjëhershëm që solli një ulje të përgjithshme të TVSH-së nga 17.5% në 15%, duke filluar nga 1 dhjetori 2008, për një periudhë dyvjeçare. Edhe Shqipëria, herët a vonë, duhet të fillojë të mendojë për adoptimin e një politike fiskale, më të përpunuar për të arritur qëllime të caktuara. Në një kohë krize, për më tepër, një masë konkrete, që do të ndikonte apo konsistonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e TVSH-së me produktet ushqimore, do të ishte e mirëpritur nga çdo qytetar shqiptar.

*Avokate Evropiane (Avocat a la Cour)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›