E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrimi, zbulohet sekserja e ambasadës amerikane

Nuk e ka pasur të vështirë t’u prezantohej si punonjëse pranë ambasadës amerikane në Tiranë, duke u premtuar nxjerrje të vizave dhe punësim pranë kësaj ambasade. Jo vetëm kaq, por mashtrimi për të zhvatur sa më shumë para kishte arritur deri aty sa që Hanëme Shandori, një 52-vjeçare nga Tirana, u premtonte shtetasve të ndryshëm se do t’u mundësonte dhe lehtësira në marrjen e kredive në Bankën Amerikane. Për të gjitha këto, ajo kërkonte 1 milion e 600 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që në grackën e saj kishin rreth 23 persona. Megjithatë, vonesat në premtimet e bëra duket se janë nuhatur nga të dëmtuarit dhe në dyert e policisë së kryeqytetit janë drejtuar plot 19 persona të cilët kanë denoncuar rastet e mashtrimeve të bëra nga 52-vjeçarja. Hetimi disamujor me metoda speciale nga specialistët e seksionit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar do të kurorëzohej mbrëmjen e së martës ku në sajë të operacionit të koduar “Rruga e Elbasanit” është arrestuar në kushtet e flagrancës Hanëme Shandori. Policia tha se në shtëpinë e saj u gjetën praktikat e rreth 23 qytetarëve të ndryshëm (dokumentacion të cilin e paraqisnin pranë saj), me synim, punësimin apo për t’u nxjerrë vizë në drejtim të SHBA-së.

Hetimi

Nuk kanë rënë në vesh të shurdhët denoncimet e 19 qytetarëve të dëmtuar nga mashtrimi i bërë nga 52-vjeçarja Shandori muaj më parë. Kështu, pas një hetimi disamujor i realizuar në ngarkim të saj duke përdorur të gjitha metodat speciale të hetimit, strukturat e Krimit Ekonomiko-Financiar në kryeqytet kanë pritur orët e vona të së martës për të ndërhyrë në banesën e saj.

Sipas të dhënave zyrtare të policisë pas operacionit, mësohet se Hanëme Shandori dyshohet të ketë mashtruar qytetarë të ndryshëm, duke u prezantuar si punonjëse pranë ambasadës amerikane në Tiranë dhe u premtonte shtetasve të ndryshëm, me motivacionin se do t’i punësonte pranë kësaj ambasade.

Krahas këtyre mashtrimeve, bazuar në kallëzimet e marra nga të dëmtuarit, e sipërcituara u premtonte edhe nxjerrjen e marrjen e vizave në ambasadën amerikane, kundrejt përfitimit të shumave të konsiderueshme parash.

Mashtrimi

Po ashtu, policia tha se Shandori dyshohet se fillimisht u kërkonte si garanci shumën e parave prej 160 000 lekësh për person, duke u premtuar lehtësimin e procedurave për marrjen e kredive bankare, pranë Bankës Amerikane në Tiranë. Ndërsa në ngarkim të saj kanë deponuar kallëzim penal, pranë strukturave të seksionit Kundër Pastrimit të Parave dhe Krimit Ekonomiko-Financiar, 19 qytetarë të dëmtuar prej saj.

Ndërkohë që gjatë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në mjediset e banesës së saj, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale praktikat e rreth 23 qytetarëve të ndryshëm (dokumentacion të cilin e paraqisnin pranë saj), me synim, punësimin apo për t’u nxjerrë vizë në drejtim të SHBA-së.

Materialet e përpiluara nga ana e këtij seksioni i kaluan për kompetencë organit të prokurorisë me akuzën e “mashtrimit më shumë se një herë”.

Aktualisht, vazhdon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale apo të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Pas operacionit, policia e Tiranës ka ftuar qytetarët, të cilët janë të dëmtuar, të mos të bien pre e këtyre rasteve të mashtrimit, por të paraqiten në rastin e parë të konstatimit pranë zyrave të seksionit Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë së qarkut Tiranë, rruga “Sami Frashri”, kati III.

Shifra

19 qytetarë të dëmtuar nga mashtrimi kanë denoncuar në polici

23 persona dyshohet të jetë numri i plotë i të dëmtuarve

160 mijë lekë të reja u kërkonte Shandori qytetarëve për t’u nxjerrë viza amerikane

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›