Gjirokastër ; Kapet bashkëpunëtori, ndihmonte kalimin e klandestinëve
Ditën e djeshme u bë i mundur ndalimi i Leonard Koçiut, 52 vjeç nga Gjirokastra nga seksioni i Luftës së Krimit të Organizuar pranë policisë së këtij qyteti. Sipas burmimeve të policisë, thuhet se ndalimi i Koçiut u bë për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, në bashkëpunim mbetur në tentativë”. Personi në fjalë kishte disa kohë që kërkohej nga policia, por i kishte rezistuar kapjes së kësaj të fundit. Kapja e këtij shtetasi u bë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative mbi vendndodhjen e tij nga specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me komisariatin e Policisë Gjirokastër, në momentet kur ky shtetas po kthehej për në shtëpinë e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme si dhe për të verifikuar dhe gjetur persona të tjerë të cilët fshihen pas kësaj ngjarjeje.