E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, nipi i biznesmenit Vulaj shpallet fajtor

Pas më se katër vitesh hetimi Prokuroria e Bedfordit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka arritur të identifikojë vrasësin e biznesmenit shqiptar Zef Vulaj. Nga hetimet e kësaj të fundit rezultoi se nipi i viktimës ishte dhe vrasësi i tij. Marash Gjocaj, 32-vjeç, jetonte në familjen Zef Vuleviç ose siç quhej dhe ndryshe Zef Vulaj, i cili ishte dhe daja i tij. Gjithçka është konfirmuar një ditë më parë në agjencinë e lajmeve “Lower Hudson Journal Neps”, sipas së cilës, Gjocaj është dërguar në një burg në Konektikatit ku dhe do të presë të nisë gjykimi ndaj tij.

Gjocaj akuzohet se është autori i vrasjes së dajës së tij, me të cilin ishin partnerë biznesi dhe drejtonin një lokal në rrugën kryesore të Denbërit. Sipas të dhënave të medieve amerikane për këtë ngjarje, mësohet se kërkimet rreth biznesmenit të humbur shqiptar, i cili në Amerikë thërritej edhe si Xho Vuli, vazhduan pesë ditë pas shpalljes së tij si të zhdukur nga familjarët.

Lidhur me këtë, nga kërkimet e shumta trupi i biznesmenit u gjet i copëtuar në disa pjesë në 24 prill të 2004 gjatë një aksioni pastrimi nga vullnetarë me rastin e ditës së pastrimit të Tokës. Pas vrasjes së Vulajt, Policia e Denbërit gjeti një thikë mishi, me të cilën dyshohej se mund te ishte kryer vrasja e biznesmenit shqiptar në Nju-Jork. Thika u gjet në kuzhinën e lokalit “Gusto”, pronë e biznesmenit të vrarë Vulaj.

Vrasja e tij dyshohej se ishte kryer në restorant. Ekspertët e policisë konstatuan se në restorantin e biznesmenit ishte ndërruar një pjesë tapeti dhe ishte blerë një sasi pastruesi. Shefi i policisë, Artur Sulo, tha në atë kohë se po ushtrohej kontroll edhe në apartamentin e një punonjësi, emri i të cilit nuk u publikua për arsye hetimi si dhe u intervistuan miq, të afërm e të punësuar të viktimës.

Trupi i Vulajt u gjet i copëtuar dhe i futur në qese plastike në një rrugë pranë qytetit. Sipas burimeve policore, Zef Vulaj, i thirrur Xho Vuli ose Vujeviç, me origjinë shqiptare nga Ulqini i Malit të Zi, ishte zhdukur më 5 prill teksa kishte dalë në orën 1 të mëngjesit nga njëri prej restoranteve të tij “Gusto Restorante” ku përgatiteshin gjellë italiane. Zhdukja e tij bëri që policia të fillonte hetimin më 10 prill, vetëm pasi ai u raportua i humbur nga familja e tij. Trupi i viktimës mësohet se është identifikuar nga krahasimi i gjurmëve të gishtave, të cilët kishin mbetur të padëmtuar në qeskat që përmbanin pjesët e fizikut të tij. Sipas verifikimit që është bërë nga ekspertiza, rezultoi se mbi trupin e biznesmenit shqiptar është qëlluar dy herë para se ai të copëtohej më pas në pjesë nga vetë nipi i tij Gjocaj.

Vulaj dhe familja e tij merreshin me biznesin e restoranteve që prej 27 vjetësh. 42-vjeçari ishte pronar i 7 restoranteve në zonën e Nju-Jorkut, Ueçesterit dhe Konektikatit. Ai dhe vëllai i tij, të dy emigrantë nga Shqipëria, ishin midis shumë kuzhinierëve shqiptarë që shkuan në qytetin e Nju-Jorkut gjatë Luftës së Ftohtë për një jetë më të mirë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›