Nga 13 projekte,vetëm 2 të miratuar
17/02/2005 KORÇË - Ministria e Rregullimit të Territorit ka miratuar për financim vetëm 2 projekte të bashkisë Korçë. Kjo konfirmohet nga kryetari i kësaj bashkie Robert Damo, sipas të cilit, kjo situatë është mjaft problematike. „Ka që në muajin gusht, kur pranë pushtetit qendror kemi dorëzuar, jo pak, por 13 projekte, që do t’i realizonim në qytet me një vlerë prej 300 milionë lekë të reja. Çuditërisht na janë miratuar vetëm 2 prej këtyre projekteve me një fond prej 30 milionë lekë të reja, pra më pak se 1/10 e projekteve të dorëzuara brenda afatit ligjor“. Projektet e miratuara nga Ministria e Rregullim Territorit konsistojnë në rregullimin e trotuareve në bulevardin „Gjergj Kastrioti“ deri në kinema „Majestik“, si dhe në sistemim-rregullim të rrugës prapa teatrit „Andon.Z.Çajupi“.