Mashtroi dhe zhvati 150 mijë euro nga kompanitë e makinave, arrestohet 32-vjeçari
Kishte arritur që të krijonte një mënyrë tepër efikase dhe origjinale të tijën të të mashtruarit. Me anë të kësaj mënyre kishte përfituar muajt e fundit rreth 150 mijë euro, duke ua “hedhur” kompanive të makinave dhe qytetarëve të ndryshëm. Ndërkohë që mendohet se përfitimi nga ky mashtrim, shuma e përfituar nga Hektor Mamli, është edhe më e madhe. Por aventura e 32-vjeçarit ka mbaruar ditën e djeshme, pasi ai është ndaluar nga policia, në përpjekje për t’u larguar nga vendi. Agjentët e Sektorit Kundër Krimit Financiar në Policinë e Tiranës e arrestuan atë, teksa po përpiqej që të kalonte në pikën e kalimit kufitar të Morinës. Sipas policisë, ai kishte arritur që të kryente marrëveshje me kompanitë e shitjes së makinave në vend, nga ku kishte marrë me qira rreth 23 makina. Më pas, këto makina ai i linte si garanci, në këmbim të shumave të parave që i merrte borxh nga qytetarë të ndryshëm. Agjentët e Sektorit të Krimit Ekonomik nisën hetimet, nga ku pas disa muajsh, u organizua operacioni i koduar “Rent”, ku dhe u krye ndalimi dhe më pas shoqërimi për në qelitë e paraburgimit të 32-vjeçarit.
Kallëzimet
Në policinë e Tiranës u depozituan një sërë kallëzimesh penale për mashtrim në shuma të konsiderueshme parash ndaj Hektor Mamlit. Kompanitë e shpërndarjes së makinave si: “Classik Wolswagen sh.p.k”, firma “Anas sh.p.k”, distributor i “Fiat”-it në Shqipëri, “Meridiane Travel & Tours sh.p.k”, “Chevrolet sh.p.k”, “Mitsubishi sh.p.k”, “Anvil sh.p.k”, “Lisingu sh.p.k”, “Lumani sh.p.k”, si dhe kompani të tjera e qytetarë të ndryshëm kishin denoncuar 32-vjeçarin, i cili u kishte marrë atyre para ose mjetet motorike dhe më pas nuk i kishte shlyer detyrimet. Nisur nga kjo, agjentët e Sektorit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë nisën hetimet. Pas punës disamujore me metoda speciale të hetimit u arrit të dokumentohej aktiviteti i Mamlit dhe ai të vihej në pranga. Sipas burimeve nga policia, 32-vjeçari kishte gjetur një mënyrë të mirë për të përfituar para. Në bazë të një marrëveshjeje me kompanitë e shitjes së makinave, ai kishte marrë me qira rreth 23 automjete të llojeve të ndryshme. Më pas, ai nëpërmjet njohjeve dhe kontakteve me persona të interesuar arrinte që t’i bindte ata, për të marrë në formë borxhi shuma parash që varionin nga 5 mijë deri në 8 mijë euro. Mjetet e marra ai i linte në formë garancie, ndërkohë që edhe detyrimet ndaj kompanive të automjeteve ishin pjesërisht të shlyera. Sipas policisë, ky person kishte marrë me qira me anë të mashtrimit 23 automjete në pronësi të kompanive të sipërpërmendura, vlerë e cila arrin në shumën prej 150.000 euro. Policia organizoi operacionin e koduar “Rent”, nga ku vuri në pranga 32-vjeçarin. Ai po përpiqej që të largohej, por është ndaluar nga agjentët në pikën kufitare të Morinës. Sipas burimeve nga policia, mendohet se shuma e përfituar nga i arrestuari është edhe më e madhe, ndërkohë që po punohet për ta përcaktuar atë. Mamlit i janë vënë prangat dhe është shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara Gjykatës së Tiranës, për të marrë masën e arrestit. 32-vjeçari akuzohet për kryerjen e veprave penale të “mashtrimit për më shumë se një herë” dhe “mashtrim në shuma të mëdha”.
Kompanitë e mashtruara
“Classik Wolswagen sh.p.k”
“Anas sh.p.k”, distributor i “Fiat”-it në Shqipëri
“Meridiane Travel & Tours sh.p.k”
“Chevriolet sh.p.k”
“Mitsubishi sh.p.k”
“Anvil sh.p.k”
“Lisingu sh.p.k”
“Lumani sh.p.k”