Ndalohen shtatë doganierë, akuzohen për korrupsion pasiv
Shtatë doganierë janë ndaluar nga Policia e Tiranës, pasi akuzohen për korrupsion pasiv gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas burimeve zyrtare, dje u organizua operacioni i koduar “Porosia”, ku u vunë në pranga doganierët Ëngjëll Dylgjeri, Xhevdet Mali, Ylli Sharri, Olgert Isa, Frida Guxia, Sofokli Qose dhe Ilmi Krantia. Gjykata e Shkallës së Parë së Tiranës kishte caktuar masën e arrestit në mungesë “arrest me burg” për katër të parët, ndërsa tre të tjerëve u dha masën “detyrim paraqitjeje”. Sipas burimeve nga policia, për një periudhë 12-mujore u arrit që të dokumentohej e gjithë veprimtaria e plotë kriminale korruptive e personave të akuzuar. Ata nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kryenin targimin dhe zhdoganimin e automjeteve të ndryshme, nga ku përfitonin shuma prej 4-5 milionë lekë për makinë. Personat të cilët kanë marrë masën “arrest me burg”, janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të vazhduar procedimin hetimor.
Operacioni
Pas dokumentimit të plotë nga ana e agjentëve të Seksionit Kundër Korrupsionit pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë u organizua operacioni “Porosia”. Në kuadër të tij u arrestuan 5 agjentë doganierë, një komisioner i lejeve të drejtimit dhe një inxhinier pranues i dokumenteve. Sipas burimeve zyrtare të policisë, u ndaluan Ëngjëll Dylgjeri, 48 vjeç, me detyrë agjent doganor, Xhevdet Mali, me detyrë agjent doganor, Ylli Sharri, 46 vjeç, komisioner pranë Lejeve të Drejtimit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë, dhe Olgert Isa, 27 vjeç, me detyrë inxhinier pranues dokumentesh pranë Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë, ndaj këtyre personave gjykata vendosi në mungesë masën “arrest me burg”. Ndërkohë, po sipas burimeve, ndaj Frida Guxias, 56 vjeçe, me detyrë doganiere në Shkodër, Sofokli Qose, 42 vjeç me detyrë doganier në Tiranë dhe Ilmi Krantia, 50 vjeç me detyrë doganier në Tiranë u ekzekutua masa e sigurimit “detyrim paraqitjeje”.
Hetimet
Në sajë të një hetimi intensiv, afro 1-vjeçar, duke realizuar metodat speciale të hetimit, nën drejtimin e Njësisë së Përbashkët Hetimore Task–Forcë, është bërë i mundur dokumentimi i plotë ligjor, për shkeljet e kryera nga shtatë personat e ndaluar. Sipas burimeve nga policia, këta persona dyshohet se në bashkëpunim me njëri–tjetrin në kohë dhe vende të ndryshme, kanë bërë të mundur zhdoganimin dhe targimin e automjeteve në pronësi të shtetasve të ndryshëm, me dokumentacion të falsifikuar, duke përfituar shumat e parave që variojnë nga 4 deri në 5 milion lekë për një zhdoganim dhe targim automjeti. Hetuesit po vazhdojnë nga puna për kryerjen e veprimeve hetimore mbi persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet korruptiv. Të ndaluarit e operacionit “Porosia” akuzohen për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit pasiv, të personave që ushtrojnë funksione publike”, “shpërdorim detyre”, “korrupsion pasiv në sektorin privat” dhe “falsifikim dokumentesh”.
Akuzat
“Korrupsion pasiv të personave të ushtrojnë funksione publike”
“Shpërdorim detyre”
“Korrupsion pasiv në sektorin privat”
“Falsifikim dokumentesh”
Të pandehurit me masë “arrest me burg”
Ëngjëll Dylgjeri, 48 vjeç, me detyrë agjent doganor
Xhevdet Mali, me detyrë agjent doganor
Ylli Sharri, 46 vjeç, komisioner pranë Lejeve të Drejtimit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë
Olgert Isa, 27 vjeç, me detyrë inxhinier, pranues dokumentesh pranë Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë
Të pandehurit me masë “detyrim paraqitjeje”
Frida Guxia, 56 vjeçe, me detyrë doganiere në Shkodër
Sofokli Qose, 42 vjeç, me detyrë doganier në Tiranë
Ilmi Krantia, 50 vjeç, me detyrë doganier në Tiranë