E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria po bën gati një antimiting

Kodheli

Tubimi i sotshëm i opozitës ka bërë prezente edhe akuzat e para ndaj qeverisë. Deputetja socialiste, Mimi Kodheli, ka akuzuar dje ekzekutivin për shkelje të normave dhe ligjeve, teksa në përpjekje për të izoluar efektin e protestës së opozitës ka nisur përgatitjen për një kundër-miting. Potenciali njerëzor i kësaj kundërpërgjigjeje që po vjen nga qeveria e Sali Berishës po kërkohet në radhët e administratës shtetërore, për të cilën sipas Kodhelit ka nisur përpilimi i listave. “Qeveria ‘Berisha’ nuk i ndahet zakonit të vjetër, ku njësoj si 50 vjet më parë, është duke përpiluar listat e duke mbledhur firmat e punonjësve të administratës civile, mësuesve e studentëve, për t’i thirrur me pahir në festën e 1 Majit”, tha ajo. Kjo akuzë në të vërtetë është hedhur nga PS-ja edhe në mitingun e madh të PD-së në 8 dhjetor, ku u pretendua për një pjesëmarrje prej gati gjysmë milioni njerëzish. Sipas Kodhelit, këto praktika jo vetëm dëshmojnë frikën e pushtetit ndaj reagimit të natyrshëm qytetar, por imitojnë në vetvete me festimin e 1 majit vende të tilla si Koreja e Veriut, Venezuela etj. Ajo ka ecur më tej duke deklaruar se protesta e 30 prillit do të zhvillohet edhe në emër të këtyre punonjësve që po nxirren në rrugë, nën kërcënimin e vendit të punës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›