E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtaraku, 20 pacientë në pritje të operacionit

 Dje në Spitalin Ushtarak nuk është kryer asnjë operacion. Shkak për këtë është bërë mbyllja e sallave, pasi rezultuan të ndotura me mikrobin e stafilokokut. Rreth 20 pacientë, të cilët kanë qenë në listë për të kryer ndërhyrje kirurgjikale s'kanë mundur të futen në thikë. Burime nga stafi i mjekëve pohuan se edhe sot ka shumë gjasa që puna të jetë sërish e pezulluar."Na kanë thënë që priten analizat përfundimtare. Dezinfektimi është kryer në të gjithë bllokun operator,por pa dalë përgjigjet nuk mund të rinisë puna",thanë mjekët. Aktualisht Ushtaraku operon vetëm me një sallë për rastet urgjente. Gazeta publikoi dy ditë më parë lajmin për pezullimin e operacioneve për shkak të ndotjes tej mase të atyre që duhet të jenë ambientet më sterile të spitalit. Drejtoria pranoi prezencën e mikrobit, por e cilësoi situatën aspak kritike. Ndërkaq burime nga stafi i mjekëve të Spitalit Ushtarak pohojnë se infektimi i sallave me mikrobe është një problem madhor që kërcënon shëndetin e pacientëve. "Këto lloj infeksionesh, përveçse duan një trajtim të gjatë me antibiotikë, mund të bëhen aq rezistentë sa të kërcënojnë edhe jetën e të sëmurëve, sidomos kur bëhet fjalë për plagë kritike", sqarojnë mjekët. Ata shtojnë se nëse sallat, që duhet të jenë ambientet më sterile të spitalit, janë në këtë gjendje, atëherë gjendja e pavijoneve duhet të jetë akoma më e rëndë. Në to fluksi i pacientëve dhe familjarëve që hyjnë e dalin është tepër i lartë. Sipas tyre për shkak të mangësive në protokollin e dezinfektimit, shkeljes së rregullave të higjienës, por edhe mbjelljeve jo të shpeshta për të matur nëse gjendje është sterile, dhjetëra pacientë kanë marrë një infeksion të dytë pas ndërhyrjeve kirurgjikale. Nga ana tjetër, po të bësh një vëzhgim të shpejtë për mënyrën si punohet, nuk mund të të shpëtojë kurrsesi edhe pakujdesia e vetë mjekëve, të cilët hyjnë e dalin pa e vrarë fort mendjen për rregullat strikte që duhen zbatuar. Kalimthi në bllokun operator mund të shohësh edhe ndonjë familjar i cili me ankth futet drejt e në ambientet "e ndaluara" të spitalit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›