E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtruesit, çfarë fshihet në mendjet e tyre?

Dhe Madoff nuk do të jetë i fun
dit përfaqësues i sërës së
mashtruesve financierë.
Përmbysja e tregjeve financiare
ka tendencë që të vështirësojë
shumë punën e atyre që operojnë mbi
skema mashtruese e transaksione të
rreme. Kjo, pasi investitorët në kohë të
turbullta i duan paratë sërish në shtëpi
dhe kërkojnë tërheqjen e aseteve dhe
pikërisht atëherë del në dritë edhe
gënjeshtra. Rasti i Madoff është rasti i një
mashtrimi të jashtëzakonshëm dhe nuk
mund të kalojë lehtësisht. Ndër pyetjet
që bëhen më shpesh pas kësaj që ndodhi
janë: Cili ishte motivi i fortë që bëri
një njeri të nderuar të Wall Street të rrezikonte
në një mënyrë të tillë? Si është e
mundur që për një kohë të gjatë askush,
madje edhe institucionet e specializuara
të kontrollit, nuk patën as më të voglin
dyshim? Si është e mundur që edhe
klientë super të pasur e inteligjentë ranë
në grepin e mashtrimit? Çfarë ishin duke
bërë ndërkohë institucionet e kontrollit?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë të rëndësishme
si për biznesmenët, ashtu edhe
për investitorët. Në Shtetet e Bashkuara,
individë dhe organizata të ndryshme
humbasin çdo vit rreth 5% të të
ardhurave për shkak të mashtrimeve të
ndryshme, ndërkohë që në Mbretërinë e
Bashkuar, sipas KPMG, janë regjistruar
128 raste mashtrimesh që kanë sjellë si
pasojë humbjen e mbi 1 miliard dollarëve
vetëm gjatë këtij viti. Megjithatë,
skema të tilla, sipas analistëve, janë tipare
të përhershme të ambientit të biznesit
dhe shpesh sfidojnë dhe shmangin
edhe rregullatorët më të rreptë shtetërorë,
por sigurisht jo për shumë kohë.
Për sa u përket vetë organizatorëve të
skemave të tilla, shpjegimi konvencional
do të ishte se ata janë individë lakmitarë
dhe të pangopur, që nxiten në veprimet
e tyre nga dëshira për një pasurim sa më
të shpejtë dhe sa më të madh, aktivitetet
e të cilëve lulëzojnë falë boshllëqeve dhe
dembelizmit të institucioneve
mbikëqyrëse. Por realiteti nuk është kaq
i thjeshtë. Psikologët e biznesit besojnë
se mashtrimet ndodhin për shkak të një
ndërveprimi dhe kombinimi kompleks
ndërmjet personalitetit të mashtruesit
dhe mjedisit në të cilin ata veprojnë. Një
qeverisje e mirë nuk do të lejonte fenomene
të tilla të lulëzonin shpesh. Sipas një
studimi të Institutit Australian të Kriminalistikës,
shkencëtarët që janë marrë
me studimin e rasteve të ndryshme të
mashtrimeve financiare, por edhe llojeve
të mashtrimeve të tjera, kanë dalë në
përfundimin se jo të gjithë mashtruesit
janë persona në vetvete lakmitarë dhe se
në kushtet e përshtatshme shumë njerëz
do të tundoheshin nga rrethanat dhe do
të shndërroheshin në mashtrues. Ekspertët
në fushën e psikologjisë së biznesit
flasin për një "trekëndësh mashtrimi",
përbërësit e të cilit janë: mundësia për të
vepruar në mënyrë të pandershme, nxitja
e brendshme, apo presioni për ta bërë
një gjë të tillë dhe mendimi racional i
mashtruesit për veprimet e tij dhe pasojat
e tyre. Me fjalë të tjera, që të mashtrosh,
pikë së pari duhet që të përballesh
ose me një ofertë për përfitime financiare,
ose të jesh nën presion. Veç kësaj, të
duhen viktimat, si dhe një mungesë frike.
Sipas psikologëve, kur tre faktorët e sipërpërmendur
bëhen bashkë, mundësitë e
mashtrimit janë më të mëdha dhe nuk
mund të përzgjedhësh e të veçosh tipare
karakteristike që të çojnë domosdoshmërish
në konkluzionin se një person që
i mbart është mashtrues. Ka shumë
njerëz që janë lakmitarë për shembull,
por që nuk shndërrohen në mashtruesa.
Gjithmonë sipas studimit, shumë mashtruesa
e nisin veprimtarinë e tyre nga një
pozicion suksesi të pastër. Ata detyrohen
të mashtrojnë për të mbajtur të gjallë
mitin e fuqisë dhe suksesit të tyre të
përhershëm. Problemi i dështimit të
kapjes së shumë skemave mashtruese
është se shpesh ato organizohen dhe drejtohen
nga njerëz që janë me pushtet dhe
kanë në dorë edhe mekanizmat e kontrollit.
Mashtruesit janë jo rrallë drejtues
të lartë kompanish apo bankash dhe
madje ka nga ata që merren me kontrollin
e bizneseve, duke qenë për vete mashtruesit.
Për sa i përket personalitetit të
mashtruesve, ata janë pa përjashtim narcizistë,
që shfaqin një optimizëm të tepruar
dhe ndërkohë kanë një vetëkontroll
shumë të dobët. Shpesh ata janë
njerëz me arritje pozitive në fushat e tyre,
por me kalimin e kohës arritjet kanë mbetur
pas e madje mund të jenë shndërruar
në humbje dhe ata për të mbajtur
namin e mirë gjithmonë vendosin që të
mashtrojnë duke ngritur përreth tyre
kështjella prej rëre. Ata kanë tendencë ta
rrethojnë veten me njerëz që janë më pak
të zgjuar se vetja, duke tentuar kështu të
mbeten gjithmonë në qendër të vëmendjes.
Ka të tjerë që mashtrojnë të
tmerruar nga fakti se mund të dështojnë,
ose sepse janë shumë të dhënë pas ndërmarrjes
së rreziqeve. Të tjerë sepse kanë
sensin e lojës dhe dëshirën perverse dhe
të kotë që të ndikojnë në fatet e financave.
Atyre u duhet një fushë beteje për
të qenë gjeneralë dhe këtë e krijojnë
duke ngritur skema financiare dhe duke
bindur njerëz që të investojnë për to. Kur
tregu është pozitiv, ata janë euforikë dhe
shpërthyes, por kur gjërat nisin të shkojnë
keq, ata fillojnë të fshehin humbjet
përmes mashtrimeve, duke mbajtur me
shpresë veten dhe të tjerët se do t‘ia dalin
mbanë. Por kur gjërat marrin për keq,
nuk ka shanse që të ndryshojnë më. Për
të "lulëzuar" për një kohë të gjatë, një
mashtrues financiar ka nevojë për një
njohje të thellë të psikologjisë së viktimave
të tij. Disa mashtruesë, si në rastin
e Madoff, vendosin një maskë për vite me
radhë dhe ndërkohë operojnë me teknika
shumë efektive mashtrimi, të ngjashme
me mënyrat e ligjshme të të bërit
biznes. Kështu, fillimisht ata krijojnë besimin
e klientëve, duke vendosur me ta
një lidhje korrekte e afatgjatë dhe më pas
operojnë me "rrjepjen" e tyre. Shpesh
mashtruesit kanë edhe histori personale
ndjellëse. Për shembull, Madoff ishte
tipiku i mishërimit të ëndrrës amerikane,
pra një njeri që erdhi nga hiçi dhe me
guxim e mençuri arriti të bëhej i famshëm
e i pasur. Kjo histori jetësore suksesi ndolli
shumë nga klientët e tij. Dhe Madoff arriti
që të siguronte shumë investitorë, ose
siç do të quheshin sot, "viktima". Madje
ata ishin ndër personat më të kamur të të
dyja anëve të Atlantikut. Në rrjetin e tij
ishin futur edhe banka të rëndësishme
dhe kompani prestigjioze financiare që
ende duhet të përballen me humbjet reale
që pësuan. Tentakulat e tij përfshinë
edhe emra të shquar të Hollivudit, emra
të trashëgimtarëve e pinjollëve të pasanikëve,
apo të pushtetarëve. Mashtruesit
financiarë shpesh e justifikojnë veten me
argumentin se viktimat e tyre janë budallenj
dhe e meritojnë që të mashtrohen.
Nëse ata mashtrojnë një institucion të
tërë, atëherë justifikimi para vetes në
këtë rast do të ishte se ata nuk po dëmtojnë
askënd dhe se të gjithë në këtë botë
mashtrojnë kush më shumë e kush më
pak. Madoff i kuptonte fare mirë viktimat
e tij. Ai e dinte se ata e kishin fiksim që të
ishin pjesë e një klubi ekskluziv dhe të
fshehtë biznesi, që bënte transaksione
vetëm me një elitë personash dhe mbi të
gjitha fitimet ishin jashtëzakonisht të
mëdha në krahasim me bizneset e tjera.
Madje Madoff refuzonte jo rrallë persona
që të përfshiheshin në "biznesin" e tij,
duke lënë të kuptohej se ishte ai që po u
bënte nder atyre dhe jo anasjelltas. Sigurisht
që në rastin e veprimtarive mashtruese
një pjesë e fajit u takon edhe institucioneve
të kontrollit. Mosaktivizimi i
tyre është i pafalshëm. Në një mjedis që
inkurajon ndërmarrjen e risqeve, novacionet
e shpejta dhe zgjerimi i kufijve
ekzistues, vija e hollë ndarëse mes etikes
dhe joetikes, mund të kalohet lehtësisht.
Shtoji kësaj edhe prirjen njerëzore se kohët
e mira do të zgjasin përgjithmonë dhe
ja ku ke një terren të përsosur për lulëzimin
e të gjitha llojeve të mashtrimeve të
mundshme që gjithsesi gjejnë hapësira
ligjore për të lulëzuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›