E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i naftës ngrihet mbi 36 dollarë për fuçi

Çmimi i naftës u rrit mbi 36 dollarë fuçi gjatë ditës së djeshme, teksa Emiratet e Bashkuara Arabe iu bashkuan Arabisë Saudite në masën për pakësimin drastik të prodhimit, masë e miratuar javën e shkuar gjatë takimit të vendeve të OPEC-ut. Çmimi i një fuçie nafte u rrit me 71 cent dje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke arritur kuotën 36.06 dollarë. I njëjti trend u vërejt edhe në Londër, ku rritja ishte me 64 cent, duke shkuar në 37.25 dollarë për fuçi.
"Lajmi i vetëm i mirë vlen për Emiratet e Bashkuara Arabe", shkruante në një raport Oliver Xhekob i kompanisë "Petromatrix". "Tani për tani Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po korrin frytet e pakësimit të prodhimit". Shoqëria "Abu Dhabi National Oil Co" (ADNOC), prodhuesi kryesor në Emiratet e Bashkuara Arabe, njëherësh eksportuesi i pestë në rang botëror, do të vazhdonte edhe më tej me pakësimin e prodhimit.
Një burim pranë një rafinerie aziatike vërejti se pakësimet e ADNOC do të jenë më të mëdha nga ç‘pritej. "ADNOC kishte përcaktuar destinacionin e të gjitha volumeve për janarin, por më pas i rishikuan dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në planifikimet tona", tha burimi. "Për shkurtin zvogëlimi i volumeve do të jetë shumë i madh, kështu që jemi të detyruar të rishikojmë transportin e ngarkesave detare".
Gjendja e tanishme reflekton vendimin e marrë para një jave nga ana e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) për të pakësuar sasinë e prodhimit me 2.2 milionë fuçi në ditë. Arabia Saudite i kishte njoftuar klientet e veta për mundësinë e pakësimit të volumeve edhe përpara se vendimi të merrej bashkërisht nga OPEC.
Masa e ndërmarrë këto ditë nga ana e OPEC-ut është e paprecedentë, teksa grupi përpiqet të ngrejë çmimin që është ulur me 110 dollarë, që nga korriku i këtij viti, kur një fuçi naftë kushtonte 147 dollarë për fuçi.
Tregjet e naftës ishin të mbyllura gjatë ditës së mërkurë, me rastin e festës së Krishtlindjeve. Të enjten, tregu amerikan u zgjua me çmim 3 dollarë më të ulët. Të dhënat negative ekonomike, përfshi rritjen e numrit të të papunëve, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (konsumatori më i madh i naftës në rang global) janë më të lartat në 26 vitet e fundit, gjë që ka sjellë uljen e shpenzimeve të konsumatorëve për të pestin muaj radhazi. Të gjitha këto kanë shkaktuar ulje të ndjeshme të kërkesës për arin e zi nga i gjithë konsumatori amerikan.
Ekonomitë aziatike, dikur të konsideruara si garante të mbajtjes në nivele të qëndrueshme të kërkesës për naftë, edhe në rast se kjo do të binte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk kanë rezultuar të tilla dhe po nisin të shfaqin ulje të ndjeshme të kërkesës. Edhe Japonia, e treta ndër konsumatorët e naftës në rang global pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, mendohet se do ta ulë me 5 për qind kërkesën për arin e zi, duke nisur nga prilli i ardhshëm - duke qenë se edhe ky vend po përjeton efektet e krizës ekonomike globale e po zhytet në recesion. Sipas disa institucioneve të specializuara, mësohet se Japonia deri marsin që vjen do ta ulë kërkesën totale për naftë me 5.7 për qind.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›