E Diel, 1 Nëntor 2026

Milani, stërvitja nis mes kontestimeve të tifozëve

Në ditën kur Milani nisi përgatitjet për sezonin e ri, grupimet e tifozerisë ultras treguan hapur pakënaqësitë kundër klubit. Në momentin kur futbollistët po hynin në ambientet e Milanelos, kontestimi ishte mjaft i fortë. Natyrisht që akuzat e përdorura më shumë lidheshin me shitjen e brazilianit Kaka dhe me faktin që klubi nuk ka ndërmend të shpenzojë shifra të rëndësishme në merkato. Më pas, nën vëzhgimin e forcave të rendit, tifozët janë lejuar të afrohen deri në hyrjen e kompleksit stërvitor. Kontestimet e mbështetësve kuqezinj, të cilët ishin afro 200 në numër, filluan që prej orës 11:00 të paradites së djeshme. Thirrjet "Turp, Turp", u shndërruan në slogan kundër drejtuesve për situatën e krijuar. Nuk munguan as dy parulla, mjaft të ashpra për Presidentin Berluskoni: "Ne bëjmë tifo me zemër, ju tallni b..." dhe "Pa kompromise, më parë mendo për Milanin dhe më pas për interesat e tua". Me gjithë situatën e krijuar, kontestimet e tifozëve dhe afrimet e munguara të yjeve, Berluskoni u shpreh i sigurt se Milani i tij është më i fortë se Interi. "Kemi vendosur të shohim përpara, duke synuar rinovimin. Por, kontingjenti ynë mbetet i jashtëzakonshëm dhe për këtë arsye parashikoj një sezon të mirë. Tifozët duhet të jenë të qetë: nuk do të dorëzohemi në asnjë aktivitet", tha njëshi i klubit. "Kemi yje si Pato, Ronaldinjo, Pirlo e shumë të tjerë, askush tjetër në Itali nuk ka një skuadër më të fortë teknikisht. Nuk ndihemi inferiorë ndaj Interit. Madje, as ata nuk kanë skuadër më të mirë se ne".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›