Maska e armë në bankë, plagoset roja

Filiali i bankës së grabitur dje në Vlorë
VLORE/ Ngjarja në bulevardin kryesor të qytetit. Policia blindon rrugët për ti arrestuar.
Tre autorët terrorizuan klientët, nuk arritën të marrin paratë.
Maskat sulmojnë sërish bankat e Vlorës. Tre persona të armatosur me një armë zjarri pistoletë dhe të maskuar arritën të futeshin dje rreth orës 11:00 në një nga filialet e Raiffeisen Bank, që ndodhet në bulevardin kryesor të qytetit. Roja i bankës, që tentoi të ndalonte grabitësit, mbeti i plagosur me një plumb në këmbë, por fatmirësisht gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se grabitësit kanë arritur të marrin në ikje një shumë të papërfillshme parash që ndodheshin në banak. Ata kanë nxituar të largohen menjëherë pas krismës në ambientet e brendshme të bankës. Rreth 12 klientë janë ndodhur në vendin e ngjarjes. Ata u përfshinë në panik, por asnjëri prej tyre nuk mbeti i lënduar. Ndërkaq, kamerat e sigurisë kanë filmuar gjithçka ndodhi. Ato janë marrë si provë materiale nga policia, por për shkak se autorët kanë qenë të maskuar, identifikimi nëpërmjet tyre është mjaft i vështirë. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes bënë të ditur se të tre personat janë futur në bankë dhe kanë kërcënuar se do të vrisnin këdo që do të tentonte ti ndalonte. Klientët kanë mbetur të shtangur, pa guxuar të reagojnë, ndërsa roja i bankës ndërhyri duke tentuar ti nxjerrë ata jashtë. Njëri prej autorëve, i cili ka pasur armën në dorë, e ka qëlluar atë në këmbë. Krisma e armës shkaktoi konfuzion e rrëmujë, derisa grabitësit janë detyruar të largohen me shpejtësi. Sipas klientëve, ata kanë arritur të marrin një shumë të papërfillshme që ndodhej në banak, por ndërkohë përfaqësuesit e bankës nuk kanë deklaruar shumën e vjedhur. Mësohet se pas ngjarjes autorët janë larguar me shpejtësi në këmbë, duke u futur në një nga rrugicat pas bankës, nga ku dyshohet se ata kishin ardhur. Kamerat e sigurisë nuk kanë fiksuar asnjë mjet të dyshimtë në afërsi të filialit që mund të ketë qenë duke pritur grabitësit. Roja i bankës, Viron Toska, 50 vjeç, i cili mbeti i plagosur me një plumb në këmbë, u dërgua menjëherë në spitalin rajonal dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se një vit më parë, i njëjti filial i Raiffeisen është grabitur. Policia e Vlorës ka mbërritur në kohë rekord në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të identifikuar dhe arrestuar autorët. Blutë shoqëruan disa persona të dyshimtë që mund të kenë dijeni për ngjarjen, ndërsa mësohet se janë ngritur disa postblloqe dhe po hetohet edhe me metoda të tjera speciale për të bërë të mundur identifikimin e grabitësve. Në pyetje janë marrë edhe punonjësit e bankës, si dhe klientët që u ndodhën në vendin e ngjarjes, të cilët dëshmuan atë që kishte ndodhur, por pa qenë në gjendje të japin një identikitin për ndonjërin prej personave të armatosur.
Policia: 10 mijë dollarë informatorëve
Pas ngjarjes që ndodhi dje në qytetin e Vlorës, policia e këtij qarku ka vendosur një shpërblim prej 10 mijë dollarësh për të gjithë ata që do të japin informacion të saktë që do të çonte më pas në arrestimin e tyre. Policia garanton anonimatin e informatorëve, të cilët mund të japin sinjalizime në numërin telefonik të publikuar prej saj. Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë në lidhje me këtë ngjarje vë në dispozicion numrin e telefonit 0694105397, si dhe shumën prej 10 mijë dollarësh për çdo qytetar që jep informacion që çon në identifikimin apo kapjen e autorëve, thuhej në njoftimin e Policisë. Në lidhje me këtë ngjarje, policia bëri të ditur se është bërë dokumentimi i plotë ligjor dhe po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
VLORE/ QEMAL BIRAKU