E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen reshjet e dendura të dëborës në Korçë dhe Bulqizë

KORÇE- BULQIZE- Rikthehen reshjet e dëborës në rajonet e Korçës dhe të Bulqizës, por deri më tani nuk raportohen akse rrugore të bllokuara. Në qytetin e Korçës, por edhe atë të Pogradecit, rrugët janë mbuluar nga bora, duke bërë kështu që edhe aksi nacional Korçë-Pogradec të ketë pengesa sa i takon qarkullimit të automjeteve. Rreth 20 cm ka qenë trashësia e borës së regjistruar në Qafë-Plloçë. Për këtë shkak, policia ka marrë të gjitha masat, duke mos lejuar qarkullimin e mjeteve pa zinxhirë. Për shkak të pamundësisë për të vazhduar udhëtimin të një kamioni të mbetur i bllokuar në Qafë-Plloçë, rruga ka pasur vështirësi për tu kaluar, pasi ka qenë me një kalim. Kjo shkaktoi edhe vonesa për mjetet e tjera. Situatë normale është regjistruar në segmentet e tjera rrugore, ku sipas të dhënave nuk ka pasur probleme, por nëse reshjet do të vijojnë edhe gjatë natës, pritet që mjaft zona rurale të bllokohen. Gjatë 24 orëve të fundit, edhe në rrethin e Bulqizës ka pasur reshje dëbore dhe ulje të temperaturave deri në minus 10 gradë, por nuk raportohen probleme. Vështirësi janë krijuar në zonat malore, mbi 700 metra mbi nivelin e detit. Probleme më të shumta janë krijuar në fshatrat e komunave malore të Ostrenit, Klenjës, Trebishtit dhe Martaneshit. Jo pak probleme janë krijuar në akset kryesore si Bulqizë-Peshkopi, Bulqize-Klos, për shkak të akullit në disa segmente. Për drejtuesit e rrugëve nacionale dhe ata të njësive vendore, kjo situatë nuk ka krijuar probleme për lëvizjen e mjeteve apo bllokimin e zonave malore.        dh.d/h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›