E Diel, 1 Nëntor 2026

Maskat; Grabiten me armë 8 milionë lekë në bankën greke



Grabitet në mes të ditës një nga filialet e Bankës Kombëtare Greke në Tiranë. Persona të armatosur e me maska kanë grabitur filialin e bankës, i cili ndodhej vetëm 8 kilometra larg kryeqytetit, përkatësisht në autostradën Tiranë-Durrës. Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, çdo veprim ndodhi brenda pak minutash, kur tre personat e armatosur kanë hyrë në ambientet e brendshme të bankës dhe kanë kryer grabitjen në kërcënimin e armëve. Pasi kanë marrë paratë që kanë qenë nëpër kasa, grabitësit janë larguar me urgjencë, duke shmangur një përplasje me policinë që ishe duke shkuar në vendngjarje. Çdo gjë ka qenë e kronometruar dhe synimi i tyre ka qenë grabitja e parave që kanë qenë në kasa në sportelet e ndryshme të bankës, pasi, sipas punonjësve të bankës greke, tre autorët e grabitjes nuk kanë kërkuar t’u dorëzohen paratë e kasafortës, të cilat nuk kanë qenë me sa duket synimi i tyre. Sipas të dhënave të para, mësohet se autorët e grabitjes të jenë të rinj, të moshës rreth 30 vjeç, ndërkohë që dyshohet që sasia e parave të vjedhura të jetë afro 8 milionë lekë. Policia, e lajmëruar nga punonjësit e bankës, ka mbërritur brenda një kohe mjaft të shkurtër në vendngjarje, por pa mundur të kapë autorët, për kapjen e të cilëve është duke u punuar intensivisht. Sapo ka mbërritur në vendngjarje, policia ka bërë rrethimin e zonës, ndërkohë që ekspertët kriminalistë në bashkëpunim me punonjësit e bankës nisën të bëjnë inventarizimin e parave të bankës, me qëllim që të nxjerrin shumën e saktë të grabitur nga tre personat e maskuar. Ndërkohë, policia ka ngritur postblloqe në të gjithë hyrje-daljet e kryeqytetit dhe zonës përreth, për të bërë të mundur ndalim e çdo personi të dyshuar për këtë ngjarje.

Ngjarja

Grabitja me armë, e cila ka ndodhur në mes të ditës në autostradë, vetëm 8 kilometra larg kryeqytetit, ka ndodhur rreth orës 12:05, kur tre persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve kanë kërkuar dhe marrë gjithë paratë që ndodheshin në kasa. Në momentin kur ndodhi grabitja, sipas dëshmive të marra në vendngjarje, në filial kanë qenë vetëm punonjësit e bankës. Ndërkohë që grabitësit merrnin paratë dhe nuk hasën në rezistencën e punonjësve të bankës, këta të fundit shtypën butonin dhe lajmëruan policinë. Ndërkohë që shërbimet policore të komisariatit të policisë nr. 6 morën njoftim për vjedhjen e bankës edhe përmes një telefonate të kryer nga një shtetas, i cili lajmëroi mbi grabitjen e filialit të bankës NBG, të ndodhur në kilometrin e 8-të në autostradën Tiranë-Durrës. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan specialistët e seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë e Armë, për të bërë të mundur identifikimin dhe lokalizimin e autorëve, si dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Gjithashtu, në vendin e ngjarjes shkuan drejtues të Policisë së Tiranës, grupi hetimor i përbërë nga ekspertë kriminalist, specialistë të seksionit të Vjedhjeve me Dhunë dhe armë, shërbimet policore të komisariatit të policisë numër 6 Tiranë, të cilët punuan intensivisht për të mundësuar grumbullimin dhe marrjen e të gjitha provave, me synim identifikimin dhe dokumentimin ligjor të kësaj vjedhjeje në një kohë sa më të shkurtër. Policia bashkëpunoi edhe me punonjësit e bankës për të përcaktuar shumën e saktë të parave të vjedhura, ndërkohë që po punohet për të arritur sa më shpejt në identikitin e autorëve të dyshuar dhe kapjen e tyre.

Hetimi

Kamerat e sigurisë, dialekti i tre grabitësve dhe gjurmët e lëna në vendngjarje janë thelbësoret për identifikimin e autorëve. Sapo kanë mbërritur në vendngjarje, ekspertët kanë bllokuar regjistrimet e kamerave të sigurisë, ka mbledhur prova të tjera të lëna në vendngjarje, dëshmitë e punonjësve të bankës. Por, filmimet dhe dialekti i tre autorëve pritet të zbulojnë shumë shpejt identitetet e grabitësve. Sipas dëshmive të marra në vendngjarje, tre personat kanë hyrë të maskuar në bankë dhe kërkuan paratë që gjendeshin në kasa. Paratë janë dhënë pa rezistencë nga punonjësit e traumatizuar të bankës, ndërkohë që, pavarësisht tmerrit që po kalonin, menjëherë kanë shtypur butonin e alarmit për të sinjalizuar policinë për vjedhjen. Sapo kanë marrë shumën, e cila dyshohet të jetë rreth 8 milionë lekë, autorët kanë dalë dhe janë larguar me shpejtësi. Por, ndonëse kanë qenë të maskuar, sipas burimeve policore, identifikimi i tyre për shkak të filmimeve të bëra, dialektit dhe zërave të regjistruar, synohet të bëhet në një kohë tepër të shkurtër. Ndërkohë, sipas burimeve policore, ekspertët janë duke punuar për përpunimin e provave, të cilat do të çojnë në zbardhjen e ngjarjes dhe identiteteve të grabitësve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›