Maskat grabisin Western Union
KORÇE/ GEZIM ASHIMI
Grabitet filiali i "Western Union" në qendër të qytetit të Korçës. Një punonjës i agjencisë mbeti i plagosur me një plumb, pasi tentoi t'u bënte rezistencë grabitësve të armatosur e maskuar. Sipas policisë, rreth orës 14:30, në afërsi të Prefekturës, ndodhi grabitja e një prej filialeve të "Western Union", e cila frekuentohet më shumë prej qytetarëve. Thimaq Lapi, punonjës i agjencisë ka qenë duke kryer furnizimin me para të zyrës kur pas tij kanë hyrë dy persona të maskuar dhe të armatosur. Ngjarja ndodhi në një kohë kur ka pasur shumë pak kalimtarë në rrugë, edhe për shkak të motit me reshje shiu. Nën kërcënimin e armëve, që sipas të dhënave të para të policisë kanë qenë pistoleta të pajisura me silenciator, autorët e grabitjes kanë arritur të shtien në dorë të gjitha paratë që do të depozitoheshin në arkën e filialit të "Western Union". Pas hetimeve të kryera, por edhe të dëshmisë së punonjësit të filialit, autorët kanë arritur të grabisin një shumë prej 8 mijë eurosh. Sipas dëshmisë së punonjësit Lapi, dy persona me maska dhe të armatosur kanë hyrë me shpejtësi në pikën e transfertave të parave dhe kur kanë parë rezistencën e tij e kanë qëlluar me armë me silenciator. Burime të policisë, duke iu referuar dëshmisë, thanë se një nga autorët ka kryer grabitjen, ndërsa tjetri ka qëndruar për të mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e kalimtarëve të rastit aty pranë apo edhe hyrjen e ndonjë klienti. Pasi kanë lënë të plagosur 34-vjeçarin Thimaq Lapi, dy autorët janë parë të largohen me shpejtësi me një mjet pa targa, që i priste i parkuar përballë derës së zyrës së "Western Union". Sipas të dhënave, punonjësi Thimaq Lapi është plagosur me pistoletë në pjesën e krahut. Ai është dërguar në spital dhe pasi mori ndihmën e parë iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale për nxjerrjen e plumbit. Burimet spitalore bënë të ditur se 34-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se kjo plagosje është kryer nga grabitësit vetëm për të neutralizuar reagimet e tij gjatë vjedhjes së shumës prej 8 mijë eurosh. Policia nisi hetimet për ngjarjen, që ndodhi në mes të ditës dhe në qendër të qytetit. Deri në orët e mbrëmjes nuk kishte asnjë të arrestuar për ngjarjen. Blutë shoqëruan disa të dyshuar, por pasi u morën në pyetje ata u lanë sërish të lirë.