E Diel, 1 Nëntor 2026

Maskat në Laknas lidhin kryefamiljarin dhe grabisin 1,2 milionë lekë



Tiranë – Dje duket se ka qenë dita e grabitjeve. Përveç asaj te Unaza e Re, një tjetër grabitje ka ndodhur në periferi të kryeqytetit. Burime policore thanë për gazetën se katër persona të maskuar kanë grabitur dje një familje, duke dalë duarplot me shumën e 1.2 milionë lekëve. Bazuar në informacionin e policisë, katër agresorët kanë marrë fillimisht me forcë kryefamiljarin, e lidhën pranë banesës dhe më pas u zhdukën në drejtim të paditur. Zyrtarisht Policia e Tiranës pohon se bëhet fjalë për familjen Matranxhi në Laknas, pranë Kamzës. Burimet nga Komisariati i Policisë Nr. 5 thanë se në orën 03:00 të mëngjesit të djeshëm, katër persona me maska, që dyshohet të jenë djem të rinj, banorë të zonës, kanë hyrë me dhunë në banesën private të 45-vjeçarit Isuf Matranxhi. Duke përdorur armët dhe forcën, të maskuarit kanë arritur të marrin nga banesa shumën e 1.2 milionë lekëve. “Katër maskat fillimisht kanë lidhur kryefamiljarin, një 45-vjeçar nga Kukësi me banim vitet e fundit në Laknas dhe më pas kanë kryer grabitjen dhe janë zhdukur me shpejtësi”, - tha policia. Postblloqe të shumta janë ngritur në vendngjarje dhe përreth saj, por policia thotë se ende nuk ka rënë në gjurmë të agresorëve.

Gjykata lë në burg të riun që shiste drogë

Tiranë – 23-vjeçari i dyshuar për shitje të narkotikeve pranë shkollës së mesme të përgjithshme “Partizani” në Tiranë do të mbahet në paraburgim deri në përfundim të hetimit të hapur ndaj tij nga prokuroria. Vendimi është marrë dje nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila me kërkesë të prokurorisë, caktoi masën e sigurisë së “arrestit me burg” ndaj shtetasit Brunis Shaqja, 23 vjeç, lindur e banues në Tiranë, me akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. 23-vjeçari Shaqja u arrestua në kushtet e flagrancës pak ditë më parë, në afërsi të rrugës “4 dëshmorët” me një qese farmaceutike me bimë të dyshuar si e llojit Cannabis sattiva. Më pas forcat e policisë ushtruan kontroll në banesën e tij, ku janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale 658 gramë bimë narkotike e llojit Cannabis sattiva, e ndarë në 265 porcione dhe e ambalazhuar në qese farmaceutike. Sipas të dhënave të grumbulluara nga policia e Tiranës, mendohet se Brunis Shaqja merrej me shitjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike pranë shkollës së mesme të përgjithshme “Partizani”.

11 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›