E Diel, 1 Nëntor 2026

Maskat tentojnë të vrasin 41-vjeçarin, kapen nga policia

VLORË Dy persona me maska kanë tentuar të vrasin një 41-vjeçar nga një fshat i Vlorës, por më pas janë arrestuar nga policia. Sipas burimeve nga policia, mësohet se në qytezën e Selenicës, në afërsi të tregut, dy persona të maskuar dhe të armatosur, kanë qëlluar me armë zjarri automatik, në drejtim të shtetasit me iniciale N.Xh., 41 vjeç, lindur në Vlorë e banues në lagjen “Minatori” Selenicë, të cilët më pas janë larguar me shpejtësi me një automjet tip autoveturë. Pas marrjes së këtij njoftimi forca të shumta policie janë nisur në vendin e ngjarjes dhe janë vënë në ndjekje të autorëve, duke bllokuar drejtimet kryesore të mundshme që mund të shfrytëzoheshin nga autorët për t’iu fshehur kërkimit e arrestimit të policisë. Pas disa minutash ndjekje dhe kërkimi në një terren të thyer, forcat e policisë kanë bërë të mundur që në afërsi të vendit të quajtur “Depoja e Ujit”, në fshatin Kocul, të kapet një makinë dhe dy autorët e dyshuar, Altin Aliaj, 34 vjeç, i dënuar për vjedhje banke dhe Armando Shakaj, 26 vjeç. Nga kontrolli i ushtruar brenda në automjet u gjet një bidon 5-litrosh me benzinë, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin tip Mercedes-Benz 200, me motor “diesel” me ngjyrë gri pa targa, i cili pas verifikimeve të kryera ka rezultuar si i vjedhur në Tiranë në datën 15.09.2011, dhe gëzhojat e armës së zjarrit model 56, të kalibrit 7.62 mm të gjetura në vendngjarje. Të arrestuarit akuzohen për “Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, e kryer në kushtet e bashkëpunimit, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit” si dhe “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›