Vrasja e gjyqtarit, ripyeten dëshmitarët e familjarët
VLORË Afro 20 ditë pas vrasjes së gjyqtarit vlonjat Skerdilajd Konomi, Policia dhe Prokuroria Shqiptare ende nuk ka një emër konkret për autorin e ngjarjes makabre. E ndërsa krerët e policisë së Vlorës tashmë janë ndërruar, është vendosur që të rimerren në pyetje dëshmitarët okularë, por edhe familjarët e viktimës.
Hetuesit e ardhur nga Tirana, dy prokurorët e Krimeve të Rënda si dhe drejtues të Krimeve të Rënda pranë Policisë së Shtetit kanë thirrur përsëri për të dëshmuar personat që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, për të zbardhur identitetin e personit që mund të ketë kryer edhe atentatin. Këtyre personave u është bërë krahasimi i dëshmive, për të zbuluar ndonjë gjë të re, ndërsa mësohet se dosja do të kalojë e gjitha për hetim në Tiranë. Pritet që në hetim të përfshihen të gjithë personat me precedentë penal, të cilët janë arrestuar më parë për vënie në jetë të mekanizmave të tillë me eksploziv. Hetimet pak ditë më parë mblodhën provat filmike të televizioneve të ndryshme, si dhe të bankave përreth. Dëshmi për herë të dytë kanë dhënë edhe familjarët e gjyqtarit të vrarë, për të mësuar më shumë nëse ka folur me ta për ndonjë kërcënim pak kohë para se të ndodhte ekzekutimi.