Vidhet shtëpia dhe dyqani
19/02/2005 Shtohen grabitjet e pronës në Qarkun e Tiranës. Vetëm ditën e enjte shënohen 2 të tilla, një në Kavajë dhe një në kryeqytet. Burime zyrtare nga ky dikaster, shprehen se mbrëmjen e datës 17, në rrugën "K.Bano" në Laprakë, është konstatuar vjedhje në banesën private të Arben Hoxhës. Sipas dëshmisë së dhënë nga pronari i dëmtuar dhe hetimeve të kryera në vendin e ngjarjes, rezultoi se autori ka shfrytëzuar derën e hapur të banesës. "Dera ishte e hapur për pak momente dhe në shtëpi nuk kishte njeri. Nuk ma mori mendja se në aq pak kohë, hajdutët mund të bënin kërdinë. Kur u ktheva konstatova se ishin vjedhur 3 varëse dhe 4 unaza floriri mbi komedinën e dhomës së gjumit", ka dëshmuar i dëmtuari. Si të mos mjaftonte me kaq, një tjetër denoncim vjen nga Golemi i Kavajës. Gjatë natës, në fshatin turistik është thyer dyqani i Flamur Dervishit. Aty janë grabitur 6 celularë dhe 170 bateri. Policia po punon për zbulimin dhe kapjen e autorëve të krimit.