Në 24 orë, kapen 11 të kërkuar
19/02/2005 Për 24 orë Policia e Shtetit vë në pranga 11 persona në kërkim. Ata akuzoheshin nga drejtësia si autorë të veprave të ndryshme penale. Zëdhënësja për shtyp e Drejtorisë së Qarkut, bën të ditur se Arben Çokaj, 22 vjeç, ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Tropojës, për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim". Për të njëjtën akuzë kërkohej dhe Pashk Kola nga Kurbini, Mark Vorfi, Klodian Dervishi e Florian Nika. Për të vijuar më tej me Halit Bullarin, që Gjykata e Apelit Durrës, më datë 26.02.2003 e ka dënuar me 4 vjet heqje lirie për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”. Alush Peza kishte marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë Kavajë masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale të “dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”, ndërsa Xheladin Troplini dhe Asllan Jaho ishin dënuar për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”. Zëdhënësja Edlira Teferiçi saktëson se, Dhimitraq Kokaj ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e rrethit Vlorë, më datë 24.09.2003 ka urdhëruar ndalimin e tij për veprën penale të mbajtjes së lëndëve narkotike. I fundit i arrestuar, por jo më pak i rrezikshëm, është Ferit Matmuja. Në ngarkim të 29-vjeçarit, Gjykata e Shkallës së Parë Kukës, më datë 23.12.2004 ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale të “armëmbajtjes pa leje” dhe “kanosjes me armë të të vëllait”. F.Bramo