E Diel, 1 Nëntor 2026

Masterat njëvjeçarë, mbyllen sot aplikimet, Rrokaj shpjegon se si do të bëhet përzgjedhja

Kandidatët e vjetër, më shumë shanse për të vijuar studimet “Master” pranë Filologjikut. Zhbllokimi i situatës, Kule u kërkon fakulteteve propozimet e masterave

Jonida Tashi

Mbyllet sot zyrtarisht procesi i dorëzimit të dosjeve për masterat 1-vjeçarë në universitetet publike të vendit. Menjëherë pas përfundimit të procesit të aplikimit, fakultetet që ofrojnë këto studime do të nisin punën për përzgjedhjen e kandidatëve. Dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj, bën të ditur se deri ditën e sotme do të priten dosjet e aplikimit, ndërkohë që në fillim të javës që vjen, komisionet përzgjedhëse të ngritura pranë çdo fakulteti do të fillojnë punën për seleksionimin e kandidatëve.
Përzgjedhja
Duke qenë se ka pasur një fluks kërkesash për të vijuar studimet “Master i Nivelit të Dytë”, përzgjedhja e kandidaturave do të jetë një proces paska i vështirë sipas dekanit të Filologjikut, pasi përveç kandidatëve që i kanë dorëzuar rishtas dosjet, një vit më parë, me qindra të tjerë u pararegjistruan pranë këtij fakulteti për të vijuar një master 1-vjeçar. Kjo nënkupton që të parët shansin për të vijuar një master të nivelit të dytë do ta kenë kandidatët që kanë plot 12 muaj që presin të fillojnë studimet në degën që kanë përzgjedhur. Ndërsa përsa u përket kritereve të përzgjedhjes, Rrokaj shpjegon se përparësi do të kenë kandidatët që kanë një notë të mirë mesatare, që preferohet të jetë mbi tetë. Përveç notës mesatare, po kaq të preferuar nga Universiteti i Tiranës për studimet “Master” janë edhe aplikuesit që kanë një CV të pasur, që zotërojnë një gjuhë të huaj. Ndërkohë që një kusht tjetër për të fituar një master të nivelit të dytë është edhe ngjashmëria e programit të studimit të fakultetit që kandidatët kanë përfunduar me masterin që duan të vazhdojnë.
Situata
E vetmja zgjidhje për zhbllokimin e situatës së masterave, sipas ish-rektorit të Universitetit të Tiranës (UT), është miratimi i programeve të tjera për masterat e nivelit të dytë që ofrojnë tetë fakultetet e këtij universiteti. Deri tani qeveria ka miratuar vetëm 10 programe “Master të Nivelit të Dytë” për Universitetin e Tiranës, katër prej të cilave i përkasin Fakultetit Histori-Filologji. Pikërisht për këtë arsye, Shezai Rrokaj bën të ditur se rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, u ka kërkuar fakulteteve në varësi të tij që brenda ditës së premte të dorëzojnë në Rektoratin e UT-së edhe njëherë propozimet e tyre për masterat 1-vjeçarë. Mësohet se pas marrjes së këtyre propozimeve, Kule do t’i drejtohet edhe njëherë Ministrisë së Arsimit, me shpresën se kreu i ri i saj, Myqerem Tafaj, do ta marrë parasysh zgjidhjen e këtij problemi. Në të kundërt, ashtu siç edhe ka deklaruar publikisht, viti i ri akademik 2009-2010 në universitetin më të madh në vend nuk do të nisë në muajin tetor.

Kreditet për të vijuar masterin 1-vjeçar

Për të ndjekur një program studimi “Master i Nivelit të Dytë”, pranimi varet nga kreditet. Por, një master të tillë mund ta vazhdojnë edhe studentët që janë diplomuar sipas sistemit akademik 4-vjeçar. Sipas ligjit “Për Arsimin e Lartë”, për t’u pranuar në një program studimi “Master i Nivelit të Dytë” (MND), kandidati duhet të ketë përfunduar së paku një program studimi të ciklit të dytë apo program të integruar të studimi të ciklit të dytë, si dhe të plotësojë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv për këto programe studimi, të cilat bëhen publike para fillimit të pranimeve tё radhës në institucion. Kurse për të fituar një diplomë “Master i Nivelit të Dytë”, studenti duhet të ketë grumbulluar të paktën 60 kredite. Programet e studimeve “Master i Nivelit të Dytë” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë të nivelit të dytë, arsimim dhe trajnim të një niveli më të lartë shkencor ose profesional. Këto programe realizohen me jo më pak se 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është minimumi një vit. Në përfundim të këtyre programeve të studimeve jepet diploma “Master i Nivelit të Dytë” (MND).

Fakulteti i Historisë-Filologjisë

Masterat e miratuar
Master në “Gjuhësi”
Master në “Studime letrare”
Master në “Shkencë e bibliotekave”
Master në “Gjeografi”, me drejtimet:
“Gjeografi fizike dhe mjedisore”
“Gjeografi humane dhe rregullim territori”

Masterat në pritje të miratimit
Master në programin e studimit “Histori”
Master në programin e studimit “Arkeologji”
Master në programin e studimit “Trashëgimi kulturore”
Master në programin e studimit “Marrëdhënie ndërkombëtare”

Universitetet
Mbyllet sot regjistrimi paraprak, nesër fakultetet nxjerrin vendet bosh

Dita e sotme është afati i fundit i vendosur nga Ministria e Arsimit për të kryer procedurën e regjistrimit paraprak në universitete. Maturantët fitues që nuk do ta kryejnë këtë proces brenda ditës së sotme, do të humbasin të drejtën për të vijuar studimet e lara gjatë vitit të ri akademik. Pas mbylljes së këtij procesi, ditën e hënë pritet që universitetet të shpallin listën përfundimtare të fituesve të fazës së parë, e për rrjedhojë edhe vendet që kanë ngelur të paplotësuara nga kjo fazë për secilën prej degëve. Burime nga Fakulteti Histori-Filologji bëjnë të ditur se në degët e tij është plotësuar pothuajse i gjithë numri total i kuotave të pranimit.

21 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›