E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli, vizitë në Hungari, kërkon lobim për integrimin e Shqipërisë në BE



Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, mori pjesë në Konferencën IV rajonale të kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit. Në fjalën e saj Topalli kërkoi mbështetjen e homologëve të saj për të lobuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin e Europian. “Integrimi i Shqipërisë dhe i Ballkanit Perëndimor në BE është i rëndësishëm për ju, por edhe për vetë BE-në”, - është shprehur kryetari i Parlamentit të Hungarisë, Bela Katona, gjatë Konferencës së zhvilluar në Budapest. Në Konferencë u theksua se anëtarësimi i Shqipërisë dhe i Kroacisë në NATO ka sjellë një ndryshim të thellë në strukturimin e sigurisë së rajonit, si edhe të vetë Aleancës, por puna në Ballkanin Perëndimor ende nuk ka përfunduar. Përshpejtimi i integrimit të këtij rajoni në strukturat euroatlantike është i rëndësishëm jo vetëm për rajonin, por edhe për vetë Bashkimin Europian dhe NATO-n. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, tha gjatë fjalës së saj se prioritetet e mandatit të ri, veçanërisht të politikës së jashtme, janë liberalizimi i vizave dhe integrimi në BE. Ajo theksoi se Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-s, do të vazhdojë t’i konsiderojë me prioritet marrëdhëniet me vendet e rajonit, duke punuar për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik e social, me synimin e qartë të anëtarësimit në BE. Duke u ndalur veçanërisht te Kosova, kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria do të vijojë mbështetjen e fuqishme për njohjen e pavarësisë së saj dhe anëtarësimin në OKB e organizata të tjera ndërkombëtare, duke shtuar bindjen se Kosova do të jetë e pranishme së shpejti edhe në tryeza të tilla rajonale. Avokatinë e Hungarisë për integrimin e Shqipërisë në BE, kryetari i ri i Parlamentit të Hungarisë, Bela Katona, ia konfirmoi kryetares së Kuvendit edhe në takimin e veçantë të rezervuar. “Për liberalizimin e vizave ju po trokisni në dyer të hapura”, - tha ai, duke siguruar jo vetëm mbështetjen e Hungarisë si vend i BE-së, por edhe influencën në vende të tjera europiane për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Ne do të lobojmë për ju”, - theksoi kryetari Katona, duke shtuar se marrëdhëniet e shkëlqyera mes Hungarisë dhe Shqipërisë do të ndikojnë në muajt shumë të rëndësishëm të presidencës hungareze të BE-së pas një viti. Katona nënvizoi se edhe gjatë periudhës deri në marrjen e presidencës, Hungaria do të jetë një ombrellë mbrojtëse për Ballkanin Perëndimor dhe do të përdorë të gjithë potencialin e saj politik e diplomatik për anëtarësimin sa më të shpejtë të këtij rajoni. Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për organizimin e Konferencës rajonale në Budapest, e cila u karakterizua nga përgjegjshmëria, maturia dhe fryma e fortë e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit për të bashkërenduar politikat e për të nxitur vendet e Bashkimit Europian të fokusojnë vëmendjen te anëtarësimi i këtij rajoni.

21 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›