E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, duhet vetëm një përfaqësues për të marrë paratë

Procedura kur i përndjekuri jeton, ose kur dëmshpërblimin do ta marrin trashëgimtarët.

Laureta Rryçi

Tiranë - Të përndjekurit që janë përcaktuar në listën e tretë për të përfituar dëmshpërblim duhet të deklarojnë vetëm një përfaqësues për të marrë këstet në Drejtorinë e Thesarit. Burime pranë grupit të punës në Ministrinë e Drejtësisë shpjeguan dje për gazetën “Albania” se për të tërhequr paratë duhet të njihet zyrtarisht vetëm një përfaqësues. Ky rregull është i detyrueshëm për t’u zbatuar pasi ka të bëjë me procedurën që do të ndiqet për të marrë paratë nëpër llogaritë bankare. Të njëjtët specialistë treguan se procedurat janë të ndryshme, në varësi të personave që përfitojnë dëmshpërblimin. Në rastin kur ish-i përndjekuri jeton, atëherë llogaria duhet të jetë në emrin e tij, por në ato raste kur ai nuk jeton, atëherë trashëgimtarët duhet të përzgjedhin një përfaqësues që do të komunikojë me Drejtorinë e Thesarit.
Lista e tretë me emrat e përfituesve ka vetëm pak ditë që është përgatitur nga grupi i punës. Kjo listë vetëm sa mori miratimin e Ministrisë së Drejtësisë për të vijuar më tej me procedurën e mëtejshme deri në tërheqjen e parave. Aktualisht po bëhen kalkulimet me institucionet e tjera shtetërore për të mësuar nëse këta të përndjekur kanë përfituar nga ligje të mëparshme. Këto të dhëna do të ballafaqohen me të dhënat që të përndjekurit kanë shkruar në formularët e vetëdeklarimit. Mandej do të bëhen kalkulimet se sa është shuma financiare e dëmshpërblimit për secilin prej tyre. Sipas ligjit, Ministria e Drejtësisë, brenda 1 jave nga miratimi në Këshillin e Ministrave të vendimit për dëmshpërblimin, i përcjell Ministrisë së Financave kopjen e plotë të dosjeve individuale të ish-të dënuarve politikë që përfitojnë dëmshpërblim sipas këtij ligji. Ministria e Financave, sipas buxhetit të vënë në dispozicion, shpërndan, në vlerë të plotë, dëmshpërblimin për çdo të dënuar politik që përfiton sipas këtij ligji, nëpërmjet çeljes së depozitës bankare, në emër dhe/ose për llogari të tij ose të familjarëve të tij, në një bankë të nivelit të dytë. Dokumenti i çeljes së llogarisë bankare i bashkëlidhet dosjes në Ministrinë e Financave.
Trashëgimtarët
Kur ish-i përndjekuri nuk jeton ose ka vdekur pas daljes së vendimit për dëmshpërblimin, atëherë paratë duhet të tërhiqen nga trashëgimtarët që njihen ligjërisht me dëshmi trashëgimie. Në këto raste, meqë personi i dënuar nuk jeton dhe që sipas vendimit ka emrin në listë për dëmshpërblim, trashëgimtarët e ligjshëm do të jenë përfituesit. Në mënyrë që përfituesit të tërheqin pagesën duhet që të depozitojnë pranë Degës së Thesarit ose pranë Ministrisë së Financave këto dokumente: certifikatë vdekje të ish-të dënuarit; certifikatë të trungut familjar; dëshminë e trashëgimisë të ish-të dënuarit politik; prokurë kur autorizohet një person për të bërë veprimet dhe numrin e llogarisë në njërën nga bankat që do të bëjë publike Ministria e Financave pasi të ketë kaluar paratë në llogaritë përkatëse. Pagesa pastaj vijon normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit brenda një muaji. Është kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë; emër, atësi e mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare si dhe kompletimi i praktikës më të gjithë trashëgimtarët ligjorë sipas Nenit 8, pika 1, të Ligjit nr. 10111, datë 2.04.2009 “Për disa shtesa dhe ndryshime të Ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 ‘Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist’”.
Ish-i përndjekuri
Për rastet kur ish-i përndjekuri jeton, Ministria e Financave ka përcaktuar një tjetër procedurë për tërheqjen e kësteve të dëmshpërblimit. Sipas njoftimit zyrtar nga kjo ministri, pasi është siguruar që emri i ka dalë për pagesë në vendimin e Këshillit të Ministrave, i dënuari politik duhet të ndjekë njërin nga dy opsionet e mëposhtme. E para është që të depozitojë pranë Degës së Thesarit ku ata jetojnë vetëm numrin e llogarisë në emër të tyre në një nga bankat që Ministria do t’i bëjë publike në një njoftim të mëvonshëm. Në këto raste pranohet numri i llogarisë vetëm në një nga këto banka, sepse këto janë zgjedhur si kërkesë e ligjit. Ndërsa opsioni i dytë që mund të ndiqet nga ish-të përndjekurit është të dërgojnë me postë numrin llogarisë që kanë hapur në emër të tyre si dhe adresën e saktë. Ministria e
Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, Tiranë, me mbërritjen e numrit të llogarisë vijon me pagesat nga Banka e Shqipërisë në llogaritë personale të përfituesve (ish-të dënuarve). Edhe në këtë rast është kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë; emër, atësi e mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare.

Për të përndjekurit me dënim kapital

Sipas specialistëve, personat me dënim kapital dhe trashëgimtarët e tyre që janë listuar në VKM-në Nr. 1699, datë 29.12.2008 do të veprojnë në të njëjtën mënyrë duke ndjekur njërin nga dy opsionet e mësipërme. Pra të gjithë trashëgimtarët e të pushkatuarit depozitojnë pranë Degës së Thesarit ku jetojnë ose dërgojnë me postë numrin e llogarisë (të hapura në një nga bankat e përmendura më lart) në adresën; Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, Tiranë. Veprimet mund të kryhen edhe në emër të një trashëgimtari të vetëm kur së bashku me numrin e llogarisë depozitohet një prokurë që trashëgimtarët e tjerë autorizojnë njërin prej tyre për kryerjen e veprimeve të pagesave. Pagesa pastaj vijon normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit. Është kusht i domosdoshëm për
pagesë përputhja e plotë; emër, atësi e mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare.

Formulari për pasuritë e paluajtshme

Çdo kërkues, brenda dhjetë ditësh nga marrja e njoftimit për shqyrtimin, në themel të kërkesës së tij nga Ministria e Drejtësisë, plotëson formularin e vetëdeklarimit për përfitimet, në pasuri të paluajtshme, të marra prej tij me ligje të mëparshme. Formulari i dërgohet kërkuesit nga Ministria e Drejtësisë, së bashku me njoftimin për shqyrtimin në themel të kërkesës. Ministri i Drejtësisë, pas mbërritjes së formularit të plotësuar nga ish-i dënuari politik ose i afërmi i tij, u dërgon Entit Kombëtar të Banesave dhe Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nga një kopje të formularit të plotësuar dhe u kërkon të verifikojnë përfitimet në pasuri të paluajtshme nga ish-të dënuarit politikë në ligjet e mëparshme. Enti Kombëtar i Banesave dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pasi verifikojnë, secila, përputhjen e formularit të vetëdeklarimit me të dhënat arkivore që kanë, i dërgojnë Ministrisë së Drejtësisë përgjigje zyrtare për masën e zbritshme të përfitimit. Enti Kombëtar i Banesave dhe Zyra Qendrore e Pasurive të Paluajtshme, brenda 30 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës, i japin përgjigje sipas tekstit në vijim: “Pas verifikimit dhe përllogaritjeve të kryera nga institucioni ynë, ju informojmë se masa e zbritshme është shuma në lekë si përfitim i marrë nga ligje të mëparshme. Kjo shumë është e barabartë me shumën e deklaruar nga vetë kërkuesi, sepse te ne nuk ka të dhëna”.
Paraqitja në Ministrinë e Drejtësisë e formularëve të vetëdeklarimit nga ish-të dënuarit politikë apo të afërmit e tyre kryhet brenda territorit të vendit vetëm me anë të Postës Shqiptare. Për kërkuesit me vendndodhje jashtë vendit, dorëzimi i këtij formulari kryhet nëpërmjet shërbimit konsullor përkatës. Punonjësi përgjegjës e përfshin këtë formular në dosjen individuale përkatëse. Pas marrjes së përgjigjes nga Ministria e Financave, Enti Kombëtar i Banesave dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Drejtësisë bën zbritjen e masës së përcaktuar prej tyre nga shuma e dëmshpërblimin, e përllogaritur sipas nenit 6 të ligjit që u miratua në fundvitin e 2007-s për të përndjekurit politikë.

21 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›